Kreshnik Arifi, trajner i vitit: KT Peja - klubi me i organizuar në Kosovë

Tenis

Kreshnik Arifi, trajner i vitit: KT Peja - klubi me i organizuar në Kosovë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 25 shkurt 2023 Në ora: 15:37
Kreshnik Arifi

KT Peja pa kurrfarë modestie është klubi me i organizuar në Kosovë 

Kur është trajneri i mirë, edhe rezultatet janë të pashmangshme.

Kreshnik Arifi, trajner i klubit të tenisit Peja, punon me përkushtim dhe gjithnjë në kërkim të talenteve të rinj.

Me punën e tij të pandalshme dhe profesionale, ka zbuluar e formuar emra të rinj të tenisit, prej sporteve më të shtrenjta në botë.

Puna e tij po shpërblehet me rezultate dhe suksese.

Arifi me rezultate po e bën krenar Pejën dhe Kosovën.

Mbrëmë në hotelin “Sirius” në Prishtinë, në një atmosferë madhështore, u shpallën më të mirët nga Federata e Tenisit e Kosovës, ndërsa çmimi i trajnerit më të mirë të vitit për vitin 2022 në Kosovë i takoi Kreshnik Arifit.

Është viti i dytë rresht që shpallet më i miri në Kosovë.

Edhe një dëshmi e fuqishme, se në Pejë i kushtohet rëndësi e veçantë tenisit duke iu falënderuar Arifit me bashkëpunëtorët e tij.   

Arifi është krenar që u shpall trajneri më i mirë i vitit.

”Është ndjenjë shumë e mirë kur vlerësohesh për punën dhe sukseset e arritura gjatë një viti, kjo është hera e dytë me radhë që shpallem trajneri më i mirë i vitit, përveç qe është privilegj dhe nder njëkohësisht është obligim për të punuar edhe më shumë”, thotë Arifi për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Më tej tha se është fat që në Kosovë ka trajner cilësorë: “Në Kosovë kemi fat që kemi trajner shumë cilësor, po shpresojmë shumë që të përmirësohen kushtet infrastrukturore në mënyrë që puna e trajnerëve të jap edhe më shumë fryt”. 

KT Peja është klubi më i organizuar në Kosovë. Rezultatet e viteve të fundit të ekipit pejan, padyshim se i lakmojnë edhe klubet tjera.

“KT Peja pa kurrfarë modestie është klubi me i organizuar në Kosovë, këtë e kemi dëshmuar vite me radhë, viti 2022 ka qenë vit shumë i suksesshëm pasi përveç sukseseve individuale me tenisten më të mirë në vend Aja Broqin kemi arritur të shpallemi Kampion të Kosovës në konkurrencën ekipore në të dyja kategoritë, të meshkujt dhe te femrat”, tha Arifi.

Cilat janë synimet e Pejës? 

“Gjatë vitit 2023 synojmë t’i përsërisim sukseset e vitit të kaluar dhe të vazhdojmë me sukses t’i organizojmë turnetë ndërkombëtarë pasi jemi klubi i vetëm në Kosovë që në bashkëpunim me Komunën e Pejës dhe FTK që organizojmë turne zyrtare ndërkombëtare (Tennis Europe dhe ITF)”, ka përfunduar Arifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat