Carlos Alcaraz është tërhequr nga turneu ATP-500 që ka nisur dje në Barcelonë për shkak të një problemi në kyçin e dorës së djathtë. Kjo tërheqje i jep mundësi italianit Jannik Sinner të mbrojë kreun e renditjes botërore edhe një javë tjetër.
Këmbanat e alarmit për dëmtimin e Alcaraz erdhën që në turneun e mëparshëm në Montekarlo. Tenisti spanjoll kërkoi trajtim fizioterapie dhe, më vonë mbajti një fashë në kyçin e dorës së djathtë.
“Është një dëmtim më serioz nga sa priste kushdo dhe duhet ta dëgjoj trupin tim për të shmangur pasojat e ardhshme,” shpjegoi Alcaraz:
“Me shumë trishtim duhet të kthehem në shtëpi dhe të rikthehem në formë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Kjo tërheqje do t’i kushtojë Alcaraz 280 pikë renditjeje, ndërkohë që beteja mes tij dhe Sinner për kreun e renditjes botërore do të vijojë pas një jave, në turneun Masters-1000 që zhvillohet në Madrid.