Shelton kërkon ëndrrën amerikane

Tenis

Shelton kërkon ëndrrën amerikane

Nga: K.G. Më: 13 shtator 2026 Në ora: 16:33
Zverev e Shelton

Finalja e US Openit, sonte nga ora 20:00: Aleksander Zverev lufton për titullin e dytë Grand Slam, ndërsa Ben Shelton për të parin.

Para gjashtë vitesh, tenisti gjerman Aleksander Zverev luajti finalen e tij të parë në një turne Grand Slam. Në atë kohë, në finalen e US Openit kundër Dominic Thiem, ai udhëhiqte 2:0 në sete dhe ishte shumë pranë titullit, por në fund u mposht 3:2.
Pas kësaj, gjermani deri vitin e kaluar nuk pati më mundësi të luante në një finale Grand Slam.

Më pas, në janar 2025, ai fitoi mundësinë të luftonte për titullin në Australian Open, por Jannik Sinner ishte shumë i fortë për të.

Për shumë vite dukej se Zverev do të mbetej pa trofe në turnetë e mëdhenj. Por këtë sezon gjithçka ndryshoi. Gjermani triumfoi në Roland Garros dhe fitoi titullin e parë Grand Slam në karrierë. Më pas arriti në finalen e Wimbledonit, ku humbi nga Sinner, ndërsa tani është kualifikuar edhe në finalen e US Openit, pasi në gjysmëfinale mposhti Karen Khachanov me rezultat 3:0.

Gjashtë vjet pas finales së tij të parë Grand Slam, Zverev ka mundësinë të fitojë edhe trofeun në Nju Jork. Finalja zhvillohet sonte rreth orës 20:00, ndërsa kundërshtari i tij do të jetë Ben Shelton.

“Pas raundit të dytë u ula me ekipin tim në dhomën e zhveshjes dhe qeshëm me faktin se sa keq kisha luajtur. Ky sens humori më ndihmoi. Të nesërmen, në stërvitje, e ndjeva topin shumë më mirë. Në vazhdim të turneut luajta shumë më mirë tenis. Është e qartë se kam luajtur shumë më mirë, sepse përndryshe nuk do të isha në finalen e US Openit”, deklaroi Zverev.

Zverev thotë se fitimi i titullit në Paris i hoqi një barrë të madhe nga shpatullat, por sipas tij nuk ka ndryshuar shumë gjëra.

“Sinqerisht, nuk ka ndryshuar shumëçka, edhe pse fitimi i një titulli Grand Slam ishte objektivi përfundimtar. Këtë vit kam më shumë finale se Sinneri dhe Alcarazi, edhe pse askush prej jush nuk e besonte këtë. Ju vetëm pyesnit veten se si do t'i ndanin ata titujt mes tyre”, tha Zverev.

Kundërshtari i Zverevit në finale do të jetë amerikani Ben Shelton, i cili në gjysmëfinale eliminoi bashkëkombësin Frances Tiafoe me rezultat 3:1 (4:6, 6:3, 6:3, 7:5).

Amerikani i fundit që ka fituar një titull Grand Slam ishte Andy Roddick, i cili në vitin 2003 mposhti Juan Carlos Ferreron.

Tani mbetet pyetja: A mund ta përsërisë Shelton suksesin e Roddickut?
Shelton nga e hëna do të jetë tenisti i katërt në botë:

“Mendoj se tashmë kam dëshmuar se mund të përballem me situata të tilla. Besoj se vetëbesimi do të jetë vendimtar. Natyrisht që do të ndiej nervozizëm. Është hera e parë që jam në një finale, luaj kundër numrit një të turneut, i cili tashmë ka fituar një Grand Slam... Por jam i vetëdijshëm se mund të jap maksimumin".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat