Vazhdojnë surprizat në China Open, ku Aryna Sabalenka është eliminuar nga numri 34 i botës, Nikola Bartunkova.
Tenistja çeke fitoi në dy sete, vetëm një ditë pasi nga turneu u eliminua edhe numri një i botës, Elena Rybakina. Ndërkohë në Japan Open, Carlos Alcaraz siguroi një vend në gjysmëfinale pas tërheqjes së Denis Shapovalov.
China Open humbet edhe favoriten e dytë të madhe. Numri dy i botës, Aryna Sabalenka, është eliminuar në mënyrë surprizuese nga çekja Nikola Bartunkova, e 34-ta në renditjen botërore.
Bartunkova fitoi 6-4, 6-3, duke regjistruar një nga rezultatet më të rëndësishme të sezonit të saj dhe duke siguruar vazhdimin në turneun WTA 1000 të Pekinit.
Sabalenka pati pesë mundësi për të thyer shërbimin e kundërshtares, por nuk shfrytëzoi asnjërën. Bjellorusja shfaqi nervozizëm gjatë takimit dhe hodhi raketën pasi humbi shërbimin në fillim të setit të dytë.
Eliminimi i saj vjen vetëm një ditë pas një tjetër surprize të madhe. Numri një i botës dhe favoritja kryesore, Elena Rybakina, u mund nga armenia Alina Charaeva, e renditur në vendin e 118-të në botë.
Është hera e parë që prej vitit 2015 që dy favoritet kryesore të China Open nuk arrijnë në raundin e 16-shes.
Për Sabalenkën vijon një periudhë pa trofe. Titujt e saj të fundit erdhën në mars, kur fitoi radhazi Indian Wells dhe Miami Open, duke kompletuar të ashtuquajturin “Sunshine Double”.
Ndërkohë, në Japan Open, Carlos Alcaraz ka siguruar një vend në gjysmëfinale.
Spanjolli fitoi setin e parë 7-6 ndaj Denis Shapovalov dhe kryesonte 2-1 në të dytin, kur kanadezi u detyrua të tërhiqej për shkak të një dëmtimi në kofshën e djathtë.
Alcaraz, kampioni në fuqi në Tokio, do të përballet me bashkëkombësin Jaume Munar për një vend në finalen e Japan Open.