Republika e Çekisë është gjysmëfinalistja e parë e turneut final të Davis Cup, që po zhvillohet në Bolonjë të Italisë.
Çekët triumfuan me rezultat 2:0 ndaj Kanadasë në çerekfinale, duke e siguruar kualifikimin falë fitoreve në dy ndeshjet individuale.
Në duelin e parë, Tomas Machac (ATP 59) e justifikoi epërsinë në renditjen botërore ndaj Liam Draxl (ATP 154), duke fituar me rezultat 2:1 në sete, 6:2, 3:6 dhe 6:2.
Pikën vendimtare për Çekinë e siguroi Jiri Lehecka. Tenisti çek, i renditur në vendin e 14-të në botë, mposhti kanadezin Félix Auger-Aliassime, i cili mban pozitën e 17-të në renditjen ATP.
Lehecka shpëtoi një pikë seti në momentin kur ishte në disavantazh 4:5, përpara se ta fitonte setin e parë në taj-brejk me rezultat 7:4.
Në setin e dytë, çeku ishte dukshëm më dominues dhe e mbylli ndeshjen me rezultatin 6:2, duke ia siguruar Çekisë kualifikimin në gjysmëfinale pas pak më shumë se dy orësh lojë.
Çekia pret kundërshtarin në gjysmëfinale
Në gjysmëfinale, Çekia do të përballet me fituesin e duelit ndërmjet Italisë dhe Koresë së Jugut.
Italia, nikoqire dhe kampione në fuqi, do të zhvillojë ndeshjen çerekfinale të mërkurën.
Ndërkohë, dy përballjet e tjera çerekfinale, Britani e Madhe – Gjermani dhe Austri – Spanjë, do të zhvillohen të enjten.