Përfaqësuesit e Kosovës në Kampionatin Evropian U22 në beach volley, që u zhvillua në Baden të Austrisë, e kanë përfunduar garimin e tyre pas dueleve të zhvilluara në fazën e grupeve dhe ndeshjeve për plasman.
Në kategorinë e meshkujve, dyshet e Kosovës Premtim Bytyqi / Plator Fetahu, të udhëhequr nga trajneri Albin Rexhepi, u përballën me tri sfida shumë të forta në Grupin H.
Fillimisht, ata u mposhtën nga Holanda me rezultat 0-2, më pas nga Gjermania po ashtu 0-2, si dhe nga Letonia me 0-2.
Në ndeshjen për renditje nga pozitat 25-29, Kosova u përball me Izraelin, ku pësoi humbje 0-2, duke e mbyllur kështu garën në këtë rang.
Në konkurrencën e femrave, dyshet e Kosovës Amela Llugaliu / Sara Pira, nën drejtimin e trajnerit Edon Ibrahimi, u ndeshën me kundërshtare të forta në Grupin E.
Ato pësuan humbje 0-2 ndaj Sllovenisë, 0-2 ndaj Ukrainës, dhe 0-2 kundër Çekisë 2.
Në ndeshjen për renditje nga pozitat 25-29, vajzat zhvilluan një takim shumë të luftuar ndaj Turqisë, të cilin e humbën ngushtë me rezultat 1-2.
Megjithëse nuk arritën të sigurojnë fitore, pjesëmarrja e përfaqësuesve tanë në këtë kampionat përbën një përvojë të rëndësishme ndërkombëtare, që do të shërbejë si bazë e fortë për zhvillimin e mëtejshëm të beach volley-t në Kosovë.