Me takimin mes Studentit dhe Skënderbeut të zhvilluar dje në pallatin e sportit “Feti Borova” është kompletuar java e gjashtë në Superligën e volejbollit për meshkuj.
Skuadra korçare triumfoi pas një sfide mjaft të bukur dhe me rivalitet të lartë, ku për të përcaktuar fituesin u nevojitën pesë sete dhe 2 orë e 37 minuta lojë.
Me shtatë lojtarë të huaj në parket, katër për Studentin dhe tre te Skënderbeu, të dyja ekipet patën një betejë të fortë, duke luftuar deri në fund për fitoren.
Ndonëse dy herë në disavantazh setesh, korçarët arritën të rikuperonin, duke dalë me një sukses 2-pikësh, ndërsa 1 pikë shkoi për ekipin studentor. Takimi nisi më mirë për skuadrën vendëse, të drejtuar nga trajneri Kestrin Batalli, me Studentin që e mori setin e parë 25-20.
Korçarët reaguan në të dytin, ku fituan 19-25, për të vendosur ekuilibrat. I treti vijoi me rivalitet të lartë, me Studentin që fitoi 25-23, duke rikaluar përpara. Seti i katërt ishte edhe më spektakolari i të gjithë ndeshjes, i vendosur me një seri të gjatë pikësh shtesë në favor të Skënderbeut në shifrat 31-33. Në setin final miqtë e kontrolluan më mirë lojën, duke kryesuar nga fillimi, ndërsa Emanuel Driza realizoi pikën e ndeshjes, duke vulosur setin 12-15 dhe të gjithë sfidën 2-3 për korçarët.
Connor Hanks me 34 pikë, Caylor Cox me 18 si dhe Joan Sotir me 14 pikë, bënë diferencën në ofensivën e Skënderbeut.
Për Studentin, Razador Cobalchini realizoi 32 pikë, Edmilson Pinheiro 17 dhe Armando Gaxiri 11. Studenti mbetet në vendin e katërt në kampionat, me 2 fitore dhe 3 humbje, po aq sa regjistron edhe Skënderbeu, me korçarët që pozicionohen në vendin e gjashtë.