Tirana dhe Pogradeci e nisin mbarë

Volejboll

Tirana dhe Pogradeci e nisin mbarë

Më: 1 nëntor 2025 Në ora: 12:53
Pamje nga ndeshja

Kupa e Shqipërisë në volejboll për femra ka ngritur dje siparin për edicionin 2025-2026 me dy takimet e para në fazën e grupeve.Asnjë surprizë në këto përballje, teksa Tirana dhe Pogradeci nuk falën në shtëpi, duke mposhtur me rezultate të pastra përkatësisht Vllazninë dhe Korabin.

Vajzat baradheblu, të cilat janë edhe fitueset në fuqi të Kupës, dominuan kundër Vllaznisë në sfidën e vlefshme për Grupin B. Skuadra e drejtuar nga Adrian Gorenca i mori bindshëm të tria setet në shifrat 25-16, 25-17 dhe 25-17, duke i mbyllur llogaritë për 1 orë e 13 minuta.

Fitorja ishte formalitet edhe për Pogradecin përballë skuadrës modeste të Korabit, përballje e vlefshme për Grupin A.

Vajzat e drejtuara nga trajneri Besnik Lisha triumfuan me rezultate të thella në të tria setet: 25-16, 25-10 dhe 25-13, për të hipotekuar 3 pikët në harkun kohor të 63 minutave.

Dita e parë e fazës së grupeve do të kompletohet sot me dy ndeshjet e mbetura.

Në orën 16:00 Dinamo do të përballet me Teutën në Farkë, ndeshje e vlefshme për Grupin B, ndërsa Skënderbeu pret Partizanin në Korçë në orën 17:00, sfidë e Grupit A.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat