Klubi i volejbollit Prishtina Elite ka siguruar inkuadrimin në Raiffeisen Superligën A në konkurrencën e femrave, pas një kampanje fantastike në Superligën B, duke kurorëzuar sezonin me sukses të merituar.
Skuadra prishtinase tregoi performancë të shkëlqyer gjatë gjithë kampionatit, duke dominuar në ndeshjet vendimtare dhe duke siguruar promovimin në elitën e volejbollit të Kosovës.
Prishtina Elite festën e promovimit e ndau me shikuesit e vet në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, në ndeshjen ndaj Ferronikelit, të cilën e fitoi me rezultat 3:1, duke e bërë edhe më të veçantë këtë sukses.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, kupën e kampionit e ndau Bahri Gjinovci, ndërsa medaljet u ndanë nga Sekretari i Përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi, anëtari i Bordit, Gëzim Brahimi dhe Komisari i Garave, Fadil Lumi.
Federata e Volejbollit e Kosovës përgëzon KV Prishtina Elite për këtë sukses të madh dhe i uron shumë suksese në edicionin e ardhshëm në Raiffeisen Superligën A.