Osmani: Ideologjia e vetme e këtyre të politikës së vjetër, është ajo e mashtrimit

Zgjedhjet 2021

Osmani: Ideologjia e vetme e këtyre të politikës së vjetër, është ajo e mashtrimit

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 21:47
Vjosa Osmani

Vjosa Osmani ka thënë se platforma e politika e vetme e atyre që i takojnë politikës së vjetër, është ideologjia e mashtrimit. Ajo ka shtuar se po përdoren këto çështje për të mbuluar veprat e zeza të tyre.

“Platforma e ideologjia e vetme e këtyre që i takojnë politikës së vjetër, është ideologjia e mashtrimit. Janë më shumë për të mbuluar veprat e tyre të zeza dhe në kurriz të qytetarëve përgjatë viteve. Ideologjia e vetme që i besojnë është ajo ku e vendosin interesin e tyre të parin e interesin e qytetarit kurrë nuk e kanë në qendër. Këtë e kemi mësuar përgjatë vjetëve”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe liderin Albin Kurti, ishin dakorduar për program qysh në Qeverinë Kurti 1.

Ajo tha se 90 për qind e programit të LDK-së, ku Osmani në zgjedhjet e kaluara ishte bartëse e listës, ishte pranuar atëbotë në koalicionin qeverisës të arritur me LVV-në.

“Pikërisht ai program ka shërbyer si bazë për të rindërtuar këtë partneritet”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se fusha themelore e partneritetit është luftimi i krimit e korrupsionit.

“Vullneti që shohim te Lëvizja Vetëvendosje e në veçanti te zoti Kurti na shtynë të besojmë se ky partneritet jo vetëm që do të funksionojë, por do të plotësohen gjitha zotimet që po ia japim qytetarëve”, ka shtuar Osmani.

E pyetur për kritikat që ka pasur ajo në të kaluarën ndaj Kurtit dhe LVV-së, Osmani, ka thënë se ka pasur kritika të ndërsjella atëbotë, por se duhet të shihet në të ardhmen, pasi e ardhmja i ka bërë bashkë.

“Nuk duhet shpenzuar kohë të folim për të kaluarën, është e ardhmja që na ka bashkuar e ajo duket shumë e ndritur, nga ajo që shohim në sytë e qytetarëve tanë kudo që i vizitojmë”, ka deklaruar Osmani.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat