SH.K.A “Dardania” në Winterthur drejt një feste madhështore – prova intensive

Zvicra

SH.K.A “Dardania” në Winterthur drejt një feste madhështore – prova intensive

Nga: Dashnim Hebibi Më: 8 nëntor 2025 Në ora: 12:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Winterthur, 8 nëntor 2025 – Atmosferë e gjallë, energji rinore, përkushtim dhe dashuri për traditën kombëtare. Kështu mund të përshkruhet mbrëmja e së premtes në lokalet e Shoqërisë Kulturore Artistike “Dardania” në Winterthur të Zvicrës, ku po zhvillohen provat intensive në prag të një ngjarjeje të madhe festive që pritet të mbahet më 22 nëntor 2025, në Aula-n e Kantonsschule Rychenberg, në adresën Rychenbergstrasse 110, 8400 Winterthur.

Tri festa në një ditë – një program unik kulturor e kombëtar

Këtë vit, SH.K.A. “Dardania” shënon një moment të veçantë: Festën e Flamurit Kombëtar, Ditën e Alfabetit Shqiptar dhe 31-vjetorin e themelimit të kësaj qendre kulturore – të gjitha në një mbrëmje të vetme, me një program të pasur artistik dhe me pjesëmarrjen e disa brezave të anëtarëve të saj.

Presidenti i shoqërisë z.Shefqet Cakolli, në fjalën e tij gjatë provave, u shpreh se çdo detaj po përgatitet me kujdes maksimal, në bashkëpunim të ngushtë me stafin organizativ dhe këshillin artistik, për të sjellë një performancë sa më dinjitoze dhe përfaqësuese për kulturën tonë kombëtare.

“Ne po punojmë me shumë dashuri e vullnet, që çdo element i programit të reflektojë shpirtin shqiptar dhe traditën tonë të pasur. Dëshirojmë që publiku të ndiejë krenarinë e të qenit pjesë e këtij komuniteti kulturor,” – tha ai ndër të tjera.

Gjallëri, përkushtim dhe brezash që mbjellin traditën

Në ambientet e ushtrimeve mbizotëronte një atmosferë e jashtëzakonshme. Fëmijët e grupit “Fatosat” ushtroheshin me entuziazëm në lojërat dhe vallet e tyre, ndërsa prindërit e pranishëm jo vetëm i përcillnin, por i motivonin dhe i mbështesnin me dashuri.

Grupi i vajzave “Dallandyshet” po përgatisnin me përqendrim të madh vallet e reja, të cilat do t’i prezantojnë premierë para publikut më 22 nëntor. Me ritmin e valleve, veshjet e pasura dhe buzëqeshjet në fytyrat e tyre, ato simbolizojnë shpresën dhe vazhdimësinë e trashëgimisë sonë kulturore.

Në anën tjetër të sallës, grupet e këngëve dhe valleve burimore po punonin me përkushtim, duke bashkuar në një skenë tri breza artistësh – gjeneratën e parë, të mesme dhe më të re. Kjo bashkëdyzim brezash dëshmon se “Dardania” është një shkollë e vërtetë e kulturës shqiptare në diasporë, ku tradita ruhet dhe përcillet me dashuri nga një brez në tjetrin.

Përgatitjet organizative dhe mbështetja e bashkësisë

Ndërkohë, kryesia e shoqërisë po zhvillon takime të rregullta me prindër dhe anëtarë, ku prezantohen planifikimet organizative, ndarjet e detyrave dhe skicat e hollësishme të programit.

Falë përkushtimit të stafit, sponsorizimeve dhe mbështetjes së donatorëve, “Dardania” arrin të mbajë gjallë një traditë të veçantë: hyrja në programet festive është gjithmonë pa pagesë, sidomos në ngjarjet kombëtare. Kjo e bën këtë shoqëri të veçantë në mesin e organizatave kulturore shqiptare në Zvicër.

Një trashëgimi që ruhet me fanatizëm

Këshilli artistik po punon në perfeksionimin e çdo valleje dhe detaji skenik. Vallet tradicionale shqiptare, të pasqyruara përmes kostumeve autentike nga trevat e ndryshme të Shqipërisë etnike, do të sjellin në skenë ngjyrat, emocionin dhe krenarinë e kombit tonë.

“Kjo shoqëri nuk është thjesht një grup valltarësh, por një familje e madhe që ruan dhe kultivon trashëgiminë shpirtërore shqiptare. Çdo brez këtu është dëshmi se kultura jonë jeton dhe zhvillohet, pavarësisht larg atdheut,” – u shpreh z.Cakolli për sam24.info. Festa e madhe më 22 nëntor – ftesë për të gjithë

Prova gjenerale do të mbahet më 14 nëntor, ndërsa programi festiv do të zhvillohet më 22 nëntor 2025, nga ora 19:00, në Aula, Kantonsschule Rychenberg, ku publiku do të ketë mundësi të shijojë një mbrëmje të mbushur me këngë, valle, emocion dhe krenari kombëtare.

Organizatorët ftojnë gjithë bashkatdhetarët që jetojnë në Zvicër dhe më gjerë, të marrin pjesë në këtë manifestim të veçantë për të dëshmuar bashkë se shpirti shqiptar mbetet i gjallë kudo që rreh një zemër shqiptari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat