Votimet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë po zhvillohen për mrekulli

Zvicër

Votimet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë po zhvillohen për mrekulli

Nga: Nexhmije Mehmetaj Më: 27 dhjetor 2025 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Shqiptarët në Gjenevë, me të drejtë vote, i janë drejtuar këtë të shtunë, më 27 dhjetor 2025, qendrave të votimit për të ushtruar një nga të drejtat më themelore demokratike: zgjedhjen e përfaqësuesve të rinj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Që në orët e hershme të mëngjesit, bashkatdhetarë të shumtë nga qyteti dhe rrethina kanë treguar përkushtim dhe përgjegjësi qytetare, duke pritur me radhë dhe në qetësi për të hedhur votën e tyre.

Procesi i votimit në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Gjenevë ka filluar në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00. Të gjithë qytetarët e regjistruar me të drejtë vote në diasporë kanë mundësi të shprehin vullnetin e tyre politik në kushte të rregullta, transparente dhe të mirë organizuara.

Këto zgjedhje parlamentare janë të tretat që mbahen brenda këtij viti, çka i jep këtij procesi një rëndësi të veçantë politike dhe institucionale. Ato konsiderohen si një test serioz për stabilitetin demokratik të vendit, për besimin e qytetarëve në institucionet zgjedhore, si dhe për aftësinë e shtetit për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Anëtarët e angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), përfshirë përfaqësues të partive politike, si dhe stafi i Konsullatës, janë të pranishëm dhe të angazhuar maksimalisht për të monitoruar çdo fazë të procesit zgjedhor. Puna e tyre e përbashkët synon garantimin e standardeve demokratike, respektimin e ligjit dhe ruajtjen e transparencës në çdo hap të votimit.

Në Gjenevë, ku pata mundësinë të votoj dhe të shoh nga afër mbarëvajtjen e procesit, u dëshmua një atmosferë e qetë, korrekte dhe dinjitoze. Konsullja e Republikës së Kosovës, znj. Floreta Kabashi, nën vëzhgimin e saj të kujdesshëm dhe me një qasje plot dritë, profesionalizëm dhe fisnikëri, theksoi rëndësinë e integritetit dhe përgjegjësisë në procesin zgjedhor. Ajo nënvizoi se vota e diasporës ka një peshë të veçantë dhe se çdo qytetar duhet të ndjehet i respektuar dhe i sigurt gjatë ushtrimit të kësaj të drejte.

Ky angazhim serioz institucional, i kombinuar me pjesëmarrjen e ndërgjegjshme të qytetarëve, e bën këtë proces zgjedhor në Gjenevë një shembull pozitiv të funksionimit demokratik të shtetit të Kosovës edhe jashtë kufijve të tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat