Një gropë e braktisur zhavorri, një fabrikë e Kodakut që askush nuk e donte dhe një luftë e gjatë me burokracinë. Prapa suksesit të Avni Orllatit qëndrojnë vendime të rrezikshme që ia ndryshuan rrugën grupit, si edhe kritika që e kanë vënë sot në qendër të debatit në Vaud.
„Kam lindur në një fermë dhe jam rritur aty deri në moshën 15-vjeçare.” Kështu iu përgjigj Avni Orllati gazetës zvicerane Le Temps këtë gusht, kur u pyet pse familja e tij ka lidhje kaq të fortë me tokën.
Lexuesit e pjesës së parë të kësaj serie e njohin rrugën e tij të përgjithshme: nga adoleshenti që erdhi në Zvicër më 1989, te themeluesi i një grupi me mbi 1300 punonjës. Më pak e njohur është mënyra se si u ndërtua ky grup. Në fillim nuk qëndrojnë kullat apo projektet e mëdha, por disa basteve që në kohën e tyre dukeshin të rrezikshme.
Gropa që u bë themel
Kthesa e parë erdhi në vitin 2001, kur firma e vëllezërve Orllati bleu LMT SA. Kjo kompani administronte ish-gropën kantonale të zhavorrit në Bioley-Orjulaz. Blerja u solli një park të madh makinerish për gërmime. Edhe më e rëndësishme ishte vetë gropa: një hapësirë e madhe ku mund të depozitohej dheu i gërmuar nga mijëra kantiere.
Në një vend ku çdo kantier prodhon mbetje dhe ku deponitë janë të pakta, kjo u bë përparësi strategjike. Sot, ish-gropa është qendra e grupit. Aty ndodhen fabrika e betonit të ricikluar dhe platforma e parë në Zvicrën romande për larjen e dheut të ndotur.
Rregulli i vëllezërve ishte i thjeshtë: çdo fitim riinvestohej. Kështu, në vitin 2011, grupi bleu firmën Forasol, të specializuar për punime speciale. Me këtë blerje, Orllati mbuloi të gjithë zinxhirin e punëve përgatitore, nga demolimi te themelet.
Bastja e Kodakut
Hyrja në patundshmëri nisi me terrene që askush nuk i donte. Orllati i tregoi Le Temps-it se në vitet 2004–2005 filluan të blinin zona industriale të braktisura në perëndim të Lozanës, sepse nuk kishin mjete për të blerë në qendër të qytetit. Sipas tij, sot ato vlejnë rreth dhjetë herë më shumë.
Rasti më i njohur është ai i ish-ndërtesës së Kodakut në Renens. Kompania i kishte kërkuar ofertë vetëm për demolim. Orllati kuptoi se Kodaku po mendonte ta shiste terrenin dhe ofroi një çmim të ulët, me pagesë të shtyrë. Fillimisht oferta u refuzua. Disa muaj më vonë, Kodaku e rimori në telefon, sepse ofertat më të larta kishin ardhur me shumë kushte.
Marrëveshja u nënshkrua në dhjetor 2008. Pastaj, brenda gjashtë muajsh, Orllati duhej të gjente kredinë. Një kontratë qiraje me Aldin e bindi bankën. Më pas doli nevoja e administratës kantonale për zyra të reja. Sipas Orllatit, grupi nisi me 3000 metra katrorë dhe përfundoi me 17 000. Sot aty janë vendosur Prokuroria e Vaudit dhe shërbime të tjera kantonale.
Ndërtesa u shit në dhjetor 2012, vetëm katër vjet pas blerjes. Orllati e quan këtë kohë rekord, krahasuar me rreth pesëmbëdhjetë vjet që zgjasin sot projektet e mëdha. Me fitimin, grupi bleu terrene të tjera të braktisura. Sipas tij, grupi e ndjek ende të njëjtën formulë.
„Mungon guximi politik”
Ai ritëm i shpejtë sot duket i largët. Orllati nuk e fsheh zemërimin me ngadalësinë e procedurave. Si shembull përmend një parcelë në Romanel, që grupi e zotëron që nga viti 2010. Projekti ishte gati për shqyrtim publik në vitin 2013. Pastaj ndryshimi i ligjit federal për planifikimin e territorit e ngriu gjithçka, dhe sipas tij deri më sot asgjë nuk ka lëvizur.
Rrugën e njëjtë po e ndjek edhe kulla Tour des Cèdres, e miratuar në referendum që në vitin 2014 dhe sot e bllokuar nga ankesat në gjykatë. Orllati thotë se ndonjëherë gëzohet kur një dosje shkon në gjykatë, sepse të paktën dikush vendos. Sipas tij, nëse grupi do të punonte krah për krah me komunat dhe kantonin, banesat mund të ishin 20 deri në 30 për qind më të lira.
Durim kërkon edhe pylli i Ballensit, depozita më e madhe e zhavorrit dhe rërës në kanton. Grupi ka parcela atje, por kantoni i dha përparësi projektit të Holcimit. Orllati thotë se grupi do ta presë radhën, edhe nëse kjo zgjat tridhjetë vjet.
Hija e debateve
Bashkë me rritjen janë shtuar edhe kritikat. Në qershor 2026, një hulumtim i gazetës Blick, i ripërcjellë edhe nga RTS, pretendoi se grupi kontrollon toka bujqësore përmes shoqërive aksionare në të cilat fermerët janë aksionarë kryesorë. Sipas ligjit zviceran, këto toka u takojnë fermerëve që i punojnë vetë. Sipas Blick-ut, tokat kanë vlerë strategjike për deponi, për nxjerrjen e zhavorrit dhe për ndërtime të mundshme në të ardhmen. Gazeta kritikoi edhe punësimin e disa zyrtarëve të lartë kantonalë që kishin punuar pikërisht në këto fusha.
Grupi u përgjigj se të gjitha transaksionet e tij me parcela bujqësore respektojnë ligjin për pronësinë e tokës bujqësore dhe u nënshtrohen autoriteteve kompetente. Sipas grupit, asnjë metër katror i punueshëm nuk u është marrë bujqve pa leje paraprake. Punonjësit, shtoi grupi, punësohen për aftësitë e tyre dhe në përputhje me ligjin.
Te Le Temps, Orllati e hodhi poshtë fjalën „spekulim”. Ai tha se tokat bujqësore i duhen grupit kryesisht për deponi dhe për zhavorr. Zhvillimin e ndërtimeve e quajti zanat fisnik, që u krijon shtëpi familjeve. Mbrojti edhe nipin e tij, që kishte marrë diplomën e bujkut. Sipas tij, kjo zgjedhje po instrumentalizohet, ndërsa familja ka lidhje të vjetër me tokën. Kurse për ish-zyrtarët e punësuar, tha se e kanë të detyrueshëm sekretin profesional dhe se kjo për të nuk është temë debati.
Kthimi në Kosovë
Parku solar në Kramovik të Rahovecit, që pjesa e parë e përmendi shkurt, tregon edhe një anë tjetër të grupit. Orllati nuk e ndërton projektin vetëm. E udhëheq një konsorcium me kompaninë kosovare Jaha, kompaninë zvicerane të energjisë Holdigaz dhe zhvilluesin gjerman ZPV. Konsorciumi fitoi ankandin e parë solar të Kosovës me çmimin prej 48,88 euro për megavat-orë.
Në inaugurimin e punimeve, më 15 korrik, projektin Lindja Solar e përfaqësuan Avni dhe Destan Orllati. Kryeministri në detyrë Albin Kurti e paraqiti grupin si shembull të kapitalit dhe përvojës që diaspora po i kthen vendlindjes.
Bastet e Avni Orllatit e shndërruan një firmë të vogël demolimesh në një prej aktorëve më të fuqishëm të Vaudit. Pyetjet që ngre sot shoqëria zvicerane, për tokën, për ndikimin dhe për transparencën, tregojnë se ky sukses tani shqyrtohet me sy shumë më kritik. Si do t’u përgjigjet grupi këtyre pyetjeve do të jetë po aq i rëndësishëm sa kantieret e tij të ardhshme.
Në pjesën e radhës: Esat Likaj dhe LIKA Group.