Plani i Albin Kurtit

Aktuale

Plani i Albin Kurtit

Më: 22 mars 2021 Në ora: 15:33
Albin Kurti, duke folur para mediave mbrëmjen e 14 shkurtit.

Lufta kundër korrupsionit dhe punësimi, vaksinimi i 60 për qind të popullatës kundër COVID-19 brenda një viti, rritja e prodhimit dhe eksportit si dhe fuqizimi i ndërmarrjeve publike janë prioritetet e Albin Kurtit, partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kurti, qeveria e të cilit pritet të votohet nga Kuvendi i ri i Kosovës, ka thënë se dialogu me Serbinë, nuk është pjesë e prioriteteve të tij. Ai madje ka paralajmëruar edhe vendosjen e reciprocitetit ndaj këtij shteti.

Sipas rezultatit zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlametare të 14 shkurtit. Kjo parti ka 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje garoi në këto zgjedhje pa certifikimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të liderit të saj Albin Kurti, i cili është kandidat i këtij subjekti politik për kryeministër të vendit.

Në listën e Lëvizjes Vetëvendosje ka garuar edhe Vjosa Osmani, e cila ka qenë numri dy, në krye të listës së këtij subjekti politik. Ajo fitoi më së shumti vota, përkatësisht mbi 300 mijë.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, prezantoi programin e ardhshëm qeverisës të partisë së tij, duke thënë se dëshirojnë “të nxjerrin Kosovën nga kriza e shumëfishtë dhe ta vendosin në binarët e progresit”.

Programi qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, siç ka deklaruar Kurti, do ta ketë në fokus të menjëhershëm përballjen me pandeminë e koronavirusit, ku do të krijohen kushtet që shpjegimet dhe rekomandimet e ekspertëve të jenë bazë për çdo vendim që do të merret nga institucionet.

Vaksinimi i 60 për qind të popullatës

“Pa vonesë do të vëmë në zbatim planin aksionar të detajuar të mbështetur financiarisht dhe i bazuar në situatën në terren. Masat e veprimit të menjëhershëm do të jenë: vaksinimi i së paku 60 për qind të popullatës, sigurimi i qëndrueshëm i materialeve elementare mbrojtëse, barnave dhe testeve, trajnimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, komunikim transparent, i sinqertë dhe i dendur me qytetarë”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se do të nisë menjëherë bisedimet me vendet e rajonit, me theks të veçantë Shqipërinë, për përballjen e përbashkët me pandeminë COVID-19. Kurti gjithashtu, ka theksuar se do të bëhen përgatitjet për aplikim dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Për rimëkëmbje ekonomike, “intervenim ambicioz fiskal”

Kurti ka theksuar se kthimi i jetës ekonomike në normalitet është prioriteti kryesor i angazhimit në ditët, muajt dhe vitin e parë të qeverisjes së tij.

“Për këtë jemi të gatshëm të ofrojmë një intervenim ambicioz fiskal”, ka thënë Kurti.

Ai ka premtuar se në qeverinë e re do të synohet “një ekonomi që del nga pandemia dhe e shëruar edhe nga sëmundjet tjera”.

Në ekonomi, sipas tij, do të ketë më shumë nevojë dhe hapësirë për gratë, për rininë, për mërgatën, për komunitetet, për fshatin, e sidomos për ata që kanë nevojë për më shumë mbështetje prej shoqërisë dhe shtetit.

Ai ka premtuar një ekonomi ku ka më shumë prodhim dhe eksport, më shumë punëtorë, më shumë kontrata të punës dhe më shumë respektim të të drejtave të punëtorit.

Ekonomia që ai synon, siç ka thënë, duhet të jetë pa monopole, por me ndërmarrje publike që operojnë suksesshëm, si dhe një ekonomi ku fuqizohen komunat në mënyrë që ato të vendosin vetë për prioritetet e tyre.

Ndërmarrësve u është premtuar ofrimi i qasjes së volitshme në financa, të nevojshme për të përballur rritjen e prodhimit.

“Për këtë do të krijojmë partneritet të fuqishëm në mes pesë shtyllave, që së bashku garantojnë daljen relativisht të shpejtë nga recesioni i tanishëm; ndërmarrjet, shteti, sistemi bankar, Fondi kosovar për garantimin e kredive, si dhe komuniteti i donatorëve dhe i kredidhënësve ndërkombëtarë”, është shprehur Kurti.

LVV-ja ka thënë se mbështetja do të shtohet për të gjitha bizneset që arrijnë të krijojnë qasje në tregjet e reja ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet e Kosovës, për të gjithë ndërmarrësit që hapin linja të reja të prodhimit, fusin produkte të reja apo që arrijnë të shtojnë numrin e punëtorëve.

Vetting-u dhe lufta kundër korrupsionit

Kurti ka premtuar që pjesë e programit të tij qeverisës do të jenë qasja më serioze ndaj drejtësisë.

Siç ka theksuar ai, pjesë integrale dhe e domosdoshme të sistemit e drejtësisë është gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm, me integritet dhe efikas.

“Për të arritur këtë, nivelet më të larta hierarkike të sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm, do t’i nënshtrohen procesit të vetting-ut. Nëpërmjet këtij procesi, synohet të arrihet integriteti gjyqësor dhe prokurorial dhe do të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se procesi i vetting-ut do të nisë nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial.

“Qeveria e jonë do të dëshmojë përkushtim në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë drejtim, do të shtohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale në Departamentin Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të asaj të Apelit”, është shprehur Kurti.

Kurti ka thënë se kjo do të mundësohet përmes mbështetjes financiare për sistemin e drejtësisë, me qëllim të plotësimit të nevojave të tyre..

Rivendosje e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë?

Çështja e reciprocitetit me Serbinë, e cila kishte prodhuar mjaft probleme brenda skenës politike në Kosovë, por edhe në raport me faktorët ndërkombëtarë, është potencuar sërish nga Vjosa Osmani, e cila në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje ishte numri dy, por edhe nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Në një debat të transmetuar nga mediat vendore, më 12 shkurt, Osmani ka deklaruar që “reciprociteti është baza më e shëndoshë e ndërtimit të raporteve, në veçanti tregtare dhe ekonomike, ndërmjet shteteve”.

“Natyrisht që ajo që mund të pritet është se ne do të sillemi në mënyrë reciproke për ta mbrojtur dinjitetin e shtetit tonë. Për këtë ne do të ulemi me partnerët tanë, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Bashkimin Evropian, që kanë qenë ndërmjetësues të këtyre marrëveshjeve, për t’i bindur që kjo është rruga e drejtë, për të arritur barazi, jo vetëm në raport me Serbinë, por siç e thash, për ta mbrojtur dinjitetin shtetëror mbi të gjitha”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se vendosja e reciprocitetit me Serbinë, do të jetë ndër gjërat e para që do ta bëjë qeveria e tij.

“Është çështje ditësh, javësh dhe kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, ka thënë Kurti.

Marrëdhëniet me SHBA-në

Lidhur me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti ka theksuar Kosova i do marrëdhëniet “jo vetëm të mira, por edhe shumë më të mira se që janë, në aspektin bilateral, ushtarak, ekonomik dhe kështu me radhë”.

“Nuk mund t’i zëvendësojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me asnjë partner ose aleat tjetër... me SHBA-në ne kemi raporte të një shteti të ri me një shtet, për të cilin të thuash na ka ndihmuar, përkrahur e mbështetur, gjithmonë është pak”, ka thënë Kurti dhe ka shtuar:

“Me Sekretarin amerikan të Shtetit (Antony) Blinken mendoj që do të kem një bashkëbisedues të shkëlqyeshëm për marrëdhëniet tona të ndërsjella”.

Dialogu me Serbinë “nuk është prioritet”

Pa një zhvillim të brendshëm ekonomik të Kosovës, Kurti ka theksuar se nuk do të ketë as marrëveshje me Serbinë. Kjo për shkakun se, sipas tij, përderisa shteti i Kosovës është i dobët, Serbia nuk do ta respektojë asnjë marrëveshje.

“Gjithmonë do të kërkoj edhe më shumë. Ne duhet ta forcojmë shtetin tonë. Nuk po them që të mos dialogojmë me Serbinë, por kjo nuk është ndër prioritetet e para. Së dyti, Serbia na ka borxh. Unë jam i gatshëm të dëgjoj kërkesat për të drejtat dhe nevojat e serbëve në Kosovë, mirëpo nuk mund të dëgjoj vajtimet dhe piskamat në Beograd, se si paska humbur shteti serb Kosovën në kohën e (Sllobodan) Millosheviqit. Nuk mund të kem kurrfarë mirëkuptimi për këso lloj vajtimesh. Kur thuhet se ‘çka ofroni ju’, mendohet të kompensohet Serbia për humbjen e Kosovës. Jo. Serbia na ka borxh për krimet këtu, të kryera gjatë luftës, pra krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe të gjenocidit. Unë Serbisë do t’ia kërkoj borxhin”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se në rast se shikohet prezantimi programor i Lëvizjes Vetëvendosje, “fjala Serbi nuk është fare aty”.

Osmani: Asociacioni i rrezikshëm sa ndryshimi i kufijve

Osmani, e cila në listën e Vetëvendosjes ka garuar për postin e presidentes, ka theksuar se nuk do t’i qasen formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas kërkesave që ka Serbia.

“Asociacioni me kompetenca ekzekutive është po aq i rrezikshëm sa edhe ndryshimi i kufijve sepse e ka atë qëllim përfundimtar. Madje, e destabilizon Kosovën për një kohë të gjatë, por në fund shkon te po i njëjti skenar. Prandaj duhet të respektohet ajo që ka thënë Gjykata Kushtetuese....Ai skenar duhet të eliminohet dhe nuk mund të hyjmë në këtë proces me logjikën se çka do t’i japë Kosova Serbisë sepse ne kemi dhënë mjaft”, ka thënë Osmani./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat