Kuvendi i Kosovës pritet që në seancën e sotme të shqyrtojë vendimin e Qeverisë për shpalljen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, në një kohë kur sektori energjetik po përballet me disa sfida që mund të ndikojnë në furnizimin e vendit.
Vendimi i Qeverisë parasheh që masat emergjente të jenë në fuqi për një periudhë prej 60 ditësh, me qëllim të përballimit të vështirësive në furnizimin me energji elektrike.
Gjatë prezantimit të vendimit në Komisionin për Ekonomi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se një nga masat kryesore është obligimi për Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenci” që, sipas mundësive teknike, të përshtatë dhe të rrisë prodhimin e energjisë elektrike gjatë orëve të pikut. Energjia e prodhuar nga kjo ndërmarrje do t’i shitet Furnizuesit të Shërbimit Universal.
Po ashtu, është paraparë themelimi i Komitetit Teknik Emergjent, i cili do të udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë dhe do të përbëhet nga përfaqësues të akterëve relevantë të sektorit. Ky komitet do të ketë për detyrë të japë rekomandime për Qeverinë dhe Ministrinë lidhur me masat që duhet të ndërmerren për përballimin e situatës.