Kosova në mesin e vendeve më të sigurta në Evropë, ja ku renditet sipas Gallup-it

Aktuale

Kosova në mesin e vendeve më të sigurta në Evropë, ja ku renditet sipas Gallup-it

Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 12:09
Fotoilustrim

Kosova është renditur ndër vendet me vlerësimin më të lartë për sigurinë dhe rendin publik në Evropë, sipas të dhënave të Gallup-it për vitin 2025.

Me 90 pikë nga 100 të mundshme në Indeksin Global të Ligjit dhe Rendit, Kosova ndan vendin e pestë në Evropë me Danimarkën dhe Finlandën, duke lënë pas disa shtete të zhvilluara evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, raporton KosovaPress.

Të dhënat janë pjesë e raportit “The Global Safety Report 2026”, të publikuar nga kompania ndërkombëtare Gallup, i cili pasqyron rezultatet e anketave të realizuara gjatë vitit 2025.

Në krye të renditjes evropiane qëndron Islanda me 93 pikë, e ndjekur nga Zvicra, Lituania dhe Norvegjia me nga 91 pikë.

Kosova, Danimarka dhe Finlanda renditen më pas, me nga 90 pikë shkruan KosovaPress.

Sipas të dhënave të Gallup-it, Kosova ka rezultat më të lartë se Gjermania, Portugalia dhe Kroacia, të cilat kanë marrë nga 86 pikë, Polonia dhe Belgjika me nga 84 pikë, Italia me 82 pikë, Franca me 81 pikë dhe Mbretëria e Bashkuar me 80 pikë.

Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Kosova ka shënuar rezultat më të lartë. Shqipëria ka marrë 86 pikë, Mali i Zi 84, ndërsa Serbia 82 pikë.

Megjithatë, krahasuar me vitin paraprak, Kosova ka shënuar rënie prej 4 pikësh në këtë indeks, nga 94 pikë në vitin 2024 në 90 pikë në vitin 2025.

Në nivel botëror, renditjes i prin Taxhikistani me 96 pikë, i ndjekur nga Singapori dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me nga 95 pikë.

Indeksi Global i Ligjit dhe Rendit i Gallup-it mat perceptimin dhe përvojat e qytetarëve lidhur me sigurinë personale, besimin në policinë lokale dhe përballjen me kriminalitetin.

Vlerësimi mbështetet në 4 tregues kryesorë: ndjenjën e sigurisë gjatë ecjes vetëm natën, besimin në policinë lokale, përvojat me vjedhjen e pronës dhe rastet e sulmeve apo grabitjeve gjatë 12 muajve të fundit.

Raporti bazohet në anketat e realizuara me qytetarë në 140 shtete dhe territore të botës, duke pasqyruar nivelin e sigurisë së përjetuar dhe besimin në rendin publik.

Rezultati prej 90 pikësh e pozicionon Kosovën ndër vendet evropiane me vlerësimin më të lartë të qytetarëve për sigurinë dhe rendin publik, megjithëse paraqet rënie krahasuar me vitin 2024.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat