Mbi 100 shtëpi janë ndërtuar dhe rinovuar vitet e fundit në fshatrat përreth Medvegjës, pavarësisht pasivizimit të adresave të shqiptarëve.
Kështu ka bërë të ditur afaristi dhe veprimtari shqiptar, Muharrem Salihu, i cili ka theksuar se banorët po vazhdojnë të investojnë në vendlindje, ndërsa ka kërkuar nga deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë që kthimin e adresave ta kenë prioritet, shkruan KosovaPress.
“Pavarësisht barrës së rëndë të pasivizimit që rëndon mbi supet e medvegjasve, ata nuk ndalen. Nuk dorëzohen. Nuk heqin dorë nga shtëpitë, nga trojet dhe nga e drejta për të jetuar në vendin e tyre!”, ka shkruar Salihu.
Sipas tij, ndërtimi dhe rinovimi i mbi 100 shtëpive në fshatrat përreth Medvegjës dëshmon lidhjen e banorëve me vendlindjen dhe vullnetin e tyre për të qëndruar. Ai ka thënë se ky aktivitet tashmë po shtrihet edhe në qytetin e Medvegjës.
Salihu ka veçuar rastin e familjes Sadiku, duke treguar se Sadik Sadiku dhe Naim Sadiku kanë ndërtuar 2 shtëpi të reja pranë shtëpisë ekzistuese.
Ai ka thënë se edhe anëtarët e këtyre familjeve janë prekur nga pasivizimi i adresave.
“Mendojeni këtë kontrast: njerëz që investojnë, ndërtojnë, rikthehen dhe ringjallin shtëpitë e tyre, ndërkohë që u mohohet edhe një e drejtë elementare, ajo e ekzistencës administrative në vendin ku kanë lindur dhe ku kanë rrënjët e tyre!”, ka shkruar ai.
Duke iu referuar pasojave të pasivizimit të adresave, Salihu ka kërkuar që deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë të angazhohen për kthimin e tyre.
“Prandaj, shpresoj dhe kërkoj që objektivi parësor i deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Republikës së Serbisë të jetë kthimi i adresave të shqiptarëve të Medvegjës”, ka theksuar Salihu.
Ai ka vlerësuar se kjo çështje ndikon në përfaqësimin e shqiptarëve dhe ushtrimin e të drejtave të tyre.
“Sepse pa adresa, ne, në dokumentet zyrtare, sikur nuk ekzistojmë. Pa adresa nuk ka përfaqësim të drejtë, nuk ka ushtrim të plotë të të drejtave dhe nuk ka siguri për të ardhmen”, ka shkruar ai.
Salihu ka theksuar se ndërtimi i shtëpive është akt qëndrese, ndërsa rikthimi në vendlindje akt dinjiteti. Megjithatë, sipas tij, kthimi i adresave është një domosdoshmëri që nuk mund të shtyhet më.
“Deputetët shqiptarë kanë një përgjegjësi politike, institucionale dhe kombëtare për ta vendosur këtë çështje në krye të agjendës së tyre. Jo si një çështje ndër shumë të tjera, jo si një premtim për një ditë tjetër, por si një prioritet që kërkon angazhim të vazhdueshëm, veprim konkret dhe rezultate”, ka deklaruar Salihu.
“Mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve të Medvegjës fillon me rikthimin e adresave të tyre! Kjo nuk është thjesht një kërkesë. Është një përgjegjësi që nuk mund t’i shmanget askush!”, ka përfunduar ai.