Pas vendimit të Supremes, reagon Suma

Aktuale

Pas vendimit të Supremes, reagon Suma

Më: 25 tetor 2021 Në ora: 18:46
Rufki Suma

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që komuna e Hanit të Elezit të shkojë në rivotim.

Supremja e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e kandidatit për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe ka anuluar vendimin e PZAP-së, duke e kthyer çështjen në rivendosje” thuhet në vendimin e Supremes.

Me këtë rast ka ardhur edhe reagimi i kandidatit të pavarur për kryetar të Hanit të Elezit Rufki Suma.

Suma në Info Magazine tha se vendimi i Supremes nuk ka asnjë bazë edhe asnjë argument.

“Realisht është një vendim befasues. Ne ende nuk e kemi të qartë, një panel e ka marrë një vendim Gjykata Supreme e rrëzon atë vendim, e kthen përsëri në rivendosje pa ndonjë argument dhe pa ndonjë arsyetim në pesë faqe që i përshkruan më së shumti veprimet e PZAP-it”.

“Përndryshe vetëm akuzon se PZAP-i nuk ka pasur argumente të mjaftueshme për të marrë një vendim të tillë. Edhe njëherë po e them. Nuk tregon se në çka është e bazuar, në cilat argumente është i bazuar? kur vet kandidati tregon se i ka vizituar vendvotimet. Dhe me rastin e vizitës së vendvotimeve ajo është ndikim direkt”.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, para disa ditësh kishte anuluar votat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Sipas PZAP-së, zgjedhjet janë anuluar për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit dhe mbështetjes së votuesve.

Kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi sipas rezultateve të KQZ-së, për zgjedhjet e 17 tetorit ka marrë me 50.98% të votave.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat