Flasin avokatët e Veselit dhe Selimit

Aktuale

Flasin avokatët e Veselit dhe Selimit

Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 16:36
Të akuzuarit nga Specialja

Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë po mbahet konferenca e tetë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ata akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në konferencën statusore që po mbahet më 15 dhjetor, të pandehurit nuk po marrin pjesë fizikisht në Dhomat e Specializuara, por po e ndjekin atë përmes video-lidhjes.

Në fillim të konferencës, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe tha se pavarësisht se sot gjykata mori vendim për mbajtjen në paraburgim të klientit të tij, mbrojtja do ta apelojë vendimin. Por, për shkak të festave të fundvitit, ai kërkoi që të shtyhen afatet e apelimit.

“Nga gjykatat e mëparshme janë liruar serbë dhe shqiptarë, por nga kjo gjykatë jo”, tha ai, duke shtuar ata do të respektonin kushtet e lirimit nga paraburgimi dhe kërkoi seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet se pse të pandehurit mbahen në paraburgim për një vit dhe për dilemat që ka Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me Policinë e Kosovës, e cila do të ishte përgjegjëse për sigurinë e të pandehurve nëse ata do të ktheheshin në Kosovë.

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftuan se besojnë që deri në afatin e 31 janarit të vitit të ardhshëm për nxjerrjen e materialeve. ZPS-ja tha se nga 11,300 materiale, 545 ende nuk janë përkthyer në shqip. Po ashtu, kjo zyre tha se po punon në krijimin e entiteteve për dëshmitarët e mbrojtur. Mbrojtja e mirëpriti krijimin e entiteteve apo rubrikave për informacionet rreth dëshmitarëve.

Ndërkaq, avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se deri më tani mbrojtja ka marrë 13,800 prova dhe më shumë se 11,000 prej tyre i kanë marrë pas afatit për nxjerrje të materialeve të 23 korrikut të këtij viti.

"Ky volum rritet gjithmonë para konferencave të ecurisë së çështjes. Sa ka materiale të tjera ka për t’u dhënë, që të kemi një ide se sa duhet të presim. A do të marrin një volum të madh të materialeve në janar?", pyeti ai.

"Besoj që ndoshta do të na duhet shumë kohë në vitin e ardhshëm, vetëm për të lexuar një pjesë të materialeve", tha mbrojtësi i Veselit.

Avokati i Selimit, David Young tha se ZPS-ja po vazhdon që të dërgojë materiale për dëshmitarët, por nuk po tregon se cilat materiale i përkasin cilit dëshmitarë. Deri më tani, mbrojtja, tha ai, ka pranuar mbi 200 pako materialesh për dëshmitarët.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së u ankua se sistemi 'legal workflow', ku ZPS-ja ndan me mbrojtjen provat që ka, nuk po funksionon si duhet.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat