Komplotet e panjohura të “Ballkanit të Hapur”

Aktuale

Komplotet e panjohura të “Ballkanit të Hapur”

Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 17:52
Edi Rama, Aleksandër Vuçiq e Zoran Zaev

Ka një lëmsh në trajtimin e kritikave apo kundërshtimeve ndaj nismës së “Ballkanit të Hapur”, të cilën e mbështesin vetëm 3 liderë rajonalë: Edi Rama, Aleksandër Vuçiç e Zoran Zaev.

Tre politikanë që kanë marrëdhënie të hershme dhe të forta me familjen Soros, prania e së cilës në këtë menxhilis ballkanik, ka zgjuar teoritë e shfrenuara të komplotit.

E këto teori komploti, në vend që të shpjegohen me hollësi e logjikë, tirren duke e eklipsuar të vërtetën dhe errësuar më shumë këtë allishverish ku mungon transparenca e plotë.

“Ballkani i Hapur” nuk është një marrëveshje transparente, pasi ajo përbën një ide që fsheh një plan, ku prapa janë grupe të rëndësishme interesi.

Ideja e një tregtie të lirë rajonale, edhe pse sillet si një koncept avanguard, nuk mund të jetë një aksion që kryhet kaq thjesht, ngaqë ka rregulla ndërkombëtare për tregtinë.

Liritë e Bashkimit Europian që shpallin Rama e Vuçiç, po të ishin kaq të thjeshta të zbatohen, do të kishin marrë ‘OK’-in e Bashkimit Europian apo edhe të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Por pse po shtyhet kaq fort nga “tre tenorët” e Ballkanit kjo ide që ka një kundërshti të hapur si në vendet që e përkrahin këtë iniciativë, por edhe nga shtetet e tjera që refuzojnë të marrin pjesë në të?

Duket se kemi të bëjmë qartë me një lob, i cili natyrisht është lob financiar dhe ekonomik, që po e mbështet “Ballkanin e Hapur”.

Sorosi është emri më i njohur, e megjithatë pas tij janë interesa ekonomike që ai përfaqëson.

Shkurt e shkoqur, tentohet krijimi i një trusti të madh biznesi apo industrie që të ketë ekskluzivitetin apo franchize-n e investimeve në vendet e Ballkanit. Një lloj korporate që kërkon të jetë si paradhomë e çdo investimi të madh, kryesisht në energji, turizëm apo bujqësi. Kjo nismë, biznesit mes vendeve nuk i sjell ndonjë gjë pozitive, pasi siç ka ndodhur në Shqipëri, Serbi e Maqedoninë e Veriut, është një manovër oligarkike për të përqendruar gjithçka në pak duar.

Kush e njeh realitetin ekonomik në Ballkan, e di se ka prej 30 vitesh që bëhet një tregti e gjallë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Tregti që natyrisht nuk është në nivele ku duhet të jetë, por ekziston. “Ballkani i Hapur” synon që të jetë një “rregullator” i kësaj tregtie, duke e përqëndruar atë në pak duar.

Ndaj prapa është Sorosi, i cili ka dashur prej 30 vitesh që të ketë fuqinë monopol të arsimit cilësor universitar në Ballkan, atë të Sigurimeve, linjave ajrore, e më pas industrisë.

“Ballkani i Hapur” së shpejti pritet të shfaqet si koorporatë ekonomiko -financiare, e ky është realisht një zhvillim që sipas gjasave do të bjerë ndesh me rregullat e BE-së. Dikush e quan Jugosllavi, por është më shumë se kaq. Është një lloj Perandorie Osmane e re, ku prapa natyrisht qëndron Turqia e vendet e Gjirit Persik.

Gazi, nafta, energjia elektrike, janë mallra jetikë që shkojnë në Europë nëpërmjet Ballkanit.

E Sorosi dhe ortakët e tij, synojnë që të krijojnë “doganat” e reja për këtë grumbull interesash, që kërkojnë që të krijojnë një hapësirë tregtare që t’i dalë Europës me një  “kartel” të ri, që nuk është as Rusia e as Kina, të cilat janë shtete që përcaktojnë çimet e produkteve të tyre, çka ka çuar që BE të kërkojë tregje alternative ndaj këtyre dy vendeve. E këtë do të kapë “Karteli” apo Korporata e re, e cila synon që të ketë kontroll në atë pjesë të Ballkanit që nuk është në BE.

Bashkimi Europian, është një entitet ‘par exellanxe’ antitrust. Çdo vit Brukseli gjobit kompani të mëdha monopoliste prej shumë vitesh. Që nga Windows apo Apple, Samsung e shumë kompani të tjera.

Hyrja në BE e gjysmës së Ballkanit, ka bërë që Brukseli si dhe vendet e Bashkimit Europian të përfitojnë shumë nga tregu i mallrave, kapitaleve apo krahu i punës.

Por ka një hapësirë të vogël që janë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, ku po synohet të themelohet një koroporatë që kontrollon Sorosi. Ndaj edhe sulmet e deklaratat anti BE nga Edi Rama nuk janë të rastësishme. Atij nuk i intereson fare hyrja në BE, por moshyrja; Serbia natyrisht që interesat më të mëdha tregtare i ka me Rusinë e Kinën.

Nëse Shqipëria do të hyjë në BE, përfitimet e përgjithshme do të jenë shumë më të mëdha sesa ‘Ballkani i Hapur’ që është një grup dokrrash.

Nëse hyjmë në BE, përfitimet i marrin qytetarët; që përkthehen në liri për t’u punësuar, për të tregtuar, studiuar etj. Ndërsa ‘Ballkani i hapur’ nuk se ka një gjë për të ofruar, thjesht kërkon një gremç për të negociuar.

“Ballkani i Hapur” është një ‘brooker i madh’, siç është një i tillë i vogël për një kompani sigurimesh që merr një kontratë me një klient. Merr komisionin, sa më e madhe shuma aq më i madh komisioni. Ky është realisht “Ballkani i Hapur”…/Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat