Protestohet sot kundër shtrenjtimit të rrymës

Aktuale

Protestohet sot kundër shtrenjtimit të rrymës

Më: 29 janar 2022 Në ora: 07:47
Ilustrim

Edhe sot me të filluar nga ora 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës dhe do të kërkohet që të hedhet poshtë propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Protesta e sotme është organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD).

Në një konferencë për medie, në sheshin “Zahir Pajaziti”, të mbajtur të premten, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se protesta e të shtunës(sot) do të jetë paqësore, por tha se do të ketë aksione simbolike para objektit të qeverisë.

Ai bëri thirrje edhe që opozita t’i bashkohet kësaj proteste.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të cilët deklaruan se nuk do të jenë pjesë e organizmit të protestës së të shtunës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Ne kuptojmë shqetësimin e secilit për këtë çështje, njëherësh prapë i bëjmë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga shtrenjtimi i rrymës. Gjithashtu, ne respektojmë vullnetin e secilit për pjesëmarrje në këtë protestë dhe apelojmë që të respektohen masat anticovid”, u tha në komunikatën e AAK-së.

Po për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike u protestua edhe më mërkurën e 26 janarit.

“Ngrohja nuk është komoditet”, “Asnjë cent më shumë”, “Lësho rrymën, lësho rrjetin, largoje KEDS-in”, janë shkrimet në pankarta me të cilat para objektit të Qeverisë protestuan rreth dyqind protestuese.

Ata kundërshtuan edhe paralajmërimin e ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Ndërsa grupi i qytetarëve të kësaj proteste nën parullën “Asnjë cent më shumë” është distancuar nga protesta e organizuar sot nga PSD.

“Grupi i qytetarëve të organizuar nën parullën “ASNJI CENT MA SHUMË!”, informon publikun se protesta e ditës së shtunë nuk organizohet nga ta. Kjo protestë është e thirrur nga Partia Social-demokrate -PSD.  Ky informim u bë i domosdoshëm pasi nëpër rrugët e Prishtinës janë ngjitur postera dhe janë shpërndarë fletushka me informatat e protestës të thirrur nga PSD, pa vendosur askund logon e tyre apo ndonjë shenjë tjetër identifikimi të tyre si organizatorë. Këtë gjë ne e lexojmë si akt të qëllimshëm i cili synon synon t’i konfuzojë qytetarët lidhur me organizimin e nesërm. Me këtë rast, ne shprehim gjithashtu shqetësimin për sulmet e vazhdueshme mediale të militantëve të PSD-së ndaj aktivistëve/eve dhe qytetarëve/eve të protestës “ASNJI CENT MA SHUMË!”. Gjatë kësaj jave ne e kemi parë një fushatë të egër të PSD-së për ta deligjitimuar organizimin kolektiv për ta kundërshtuar rritjen e energjisë, duke shpifur dhe keqinformuar publikun. Përveç propagandës mediale, PSD është angazhuar aktivisht në sabotimin e organizimit qytetarë rreth kauzës së mos-shtrejtimit të çmimit të energjisë, çka është duke na dëshmuar edhe një herë nevojën që kjo kauzë t’iu mbetet qytetarëve, e jo partive.Ne insistojmë që kjo kauzë, aq esenciale për të gjithë/a ne, duhet të mbetet kauzë qytetare. Çdo ndërhyrje nga partitë politike do ta dëmtojë këtë kauzë, duke e shndërruar atë në mjet të rritjes elektorale dhe pazareve politike.  Andaj, ne mbesim të vendosur/a që të vazhdojmë me organizimin dhe qëndresën tonë kundrejt kësaj padrejtësie e cila është duke na u kanosur. Protestat tona dhe përpjekjet për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë do të vazhdojnë deri në fitoren tonë. Kjo betejë na takon neve -qytetarëve, andaj ju ftojmë të gjithë/a që të na bashkoheni në organizim dhe në rrugë”, thuhet në reagimin e këtij grupi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat