Rrëzohet padia e Behgjet Pacollit kundër Reshat Badallajt

Aktuale

Rrëzohet padia e Behgjet Pacollit kundër Reshat Badallajt

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 16:21
Behgjet Pacolli

Gjykata Themelore në Prizren ka hudhur poshtë si të pasafatshme padinë për shpifje të paditësit Behgjet Pacolli, të ushtruar kundër të paditurit Reshat Badallaj nga fshati Zhur i Komunës së Prizrenit.

Përmes padisë së ushtruar më 12 mars 2021, paditësi Behgjet Pacolli, ish-president i Kosovës dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme (MPJ), njëherësh kryetar i Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, po kërkonte nga i padituri Reshat Badallaj shpërblimin e dëmit në vlerë prej 100 mijë euro për shkak të shpifjes përmes rrjeteve sociale, portalit “Kosova Sot Online”, në një artikull të publikuar më 5 maj 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e siguruar nga “ Betimi për Drejtësi”, të marrë më 3 shkurt 2022, thuhet se pas shqyrtimit paraprak të padisë dhe meqenëse ka të bëjë me kompensim të dëmit, i cili është shkaktuar përmes shpifjes ku edhe janë përcaktuar afatet ligjore për paraqitjen e së njëjtës, gjykata ka konstatuar se paditësi kishte humbur afatin për paraqitjen në fjalë.

Sipas nenit 17, par.1 të Ligjit Civil kundër shpifjes dhe fyerjes, Ligi 02/L-65 është paraparë që “Afati për paraqitjen e një kërkese për kompensim në bazë të këtij ligji është tre (3) muaj, nga dita kur personi që pretendon të jetë i dëmtuar, është vënë në dijeni ose duhet të jetë vënë në dijeni për shprehjen e faktit të pa vërtetë dhe identitetin e autorit, dhe në asnjë raste nuk duhet të kaloj një (1) vit, nga dita kur shprehja është bërë publike“.

Dispozitat ligjore të cituara si më lartë, kanë paraparë dy afate ligjore për paraqitjen e padisë përmes së cilës kërkohet kompensim i dëmit të shkaktuar nga shpifja dhe atë afatin subjektiv i cili është tre muaj, ndërsa afati objektiv i cili është 1 vit nga dita kur është publikuar shpifja.

Afati subjektiv fillon të rrjedh nga dita kur personi që pretendon të jetë i dëmtuar është vënë në dijeni ose duhet të jetë vënë në dijeni për shprehjen e faktit të pavërtetë dhe identitetin e autorit.

Sipas gjykatës, duke i marrë për bazë këto, është vërtetuar se shpifja e pretenduar nga paditësi kishte ndodhur më 5 maj 2020, kur edhe është publikuar artikulli në portalin “Kosova Sot Online” ku është shënuar edhe autori i tekstit, datë kjo kur edhe vet paditësi e kishte lexuar këtë artikull (pra po të njëjtën ditë, “..ose duhet të jetë vënë në dijeni për shprehjen e faktit të pavërtetë dhe identitetin e autorit), gjë të cilën e pranon vet paditësi në padinë e tij, ku ndër të tjera kishte theksuar se “…i padituri Reshat Badallaj, më datën 05.05.2020, përmes rrjeteve sociale dhe, portalit “Kosova Sot Online”, ka publikuar një shkrim..”.

Nga këto, gjykata kishte ardhur në përfundim se paditësi më 5 maj 2020, ishte në dijeni për shpifjen e pretenduar dhe personin i cili e kishte bërë këtë shpifje, kur edhe kishte filluar të rrjedh afati subjektiv për të kërkuar mbrojtje gjyqësore në rastin konkret.

Në anën tjetër, paditësi padinë e tij në gjykatë e kishte ushtruar më 12 mars 2021, apo pas kalimit të më shumë se 10 muajve, gjë e cila padinë e paditësit e bën të pasafatshme, andaj gjykata të njëjtën duke u bazuar në neni 931, pika f. të LPK-së  e kishte hudhur poshtë.

Ndryshe, përmes padisë së ushtruar më 12 mars 2021, paditësi Behgjet Pacolli po kërkonte nga i padituri Reshat Badallaj shpërblimin e dëmit në vlerë prej 100 mijë euro për shkak të shpifjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat