Protesta për Trustin! E bombat për kë?!

Aktuale

Protesta për Trustin! E bombat për kë?!

Nga: Idriz Morina Më: 24 maj 2022 Në ora: 18:36
Pamje: Alarmi për bombë para Rektoratit të UP-së

Shqiptarët pak kohë më parë, në kulmin e pandemisë i kanë tërhequr 10% të Trustit, të kursimeve të tyre, me kusht që Qeveria t’ua kompensojë. Kjo në shenjë të ndihmës së drejtpërdrejt për qytetarët për të zbutur krizën dhe pasigurinë e krijuar nga Covid 19.

Aktualisht po diskutohet për një Projektligj, që më shumë se i sponsorizuar nga deputetët duket të jetë nga mafia politike dhe nëntoka përgjithësisht.

Ata po duan që me ligj, t’ju lejohet qytetarëve tërheqja e 30% të parave të Trustit.

Nuk është thjeshtë një protestë. Nuk është një pakënaqësi. Askush thuajse nuk thotë të dalim të protestojmë, se pse nuk po na lejon shteti t’i tërheqim tani 30% të kursimeve, sepse ato janë paratë tona dhe ne mund të vendosim vetë për to.

Por, sot ka bërë thirrje për mbështetje të një proteste deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu – Kamishi.

“Ne kemi proceduar Projektligjin për Trustin në Kuvend, jemi pro kërkesës së qytetarëve, kam qenë zëri i tyre gjatë kësaj periudhe për miratimin e Projektligjit për Trustin dhe do të jem me qytetarët edhe të enjten në protestë”, ka thënë Bekim Haxhiu.

Image
Pamje nga lart e shkollës "Xhevdet Doda" nga kërcënimi me bombë para 6 dite

Ekspertët e tregjeve, kundër

Paratë në Trust, në gjithë botën nuk qeverisen nga kursimtarët. Ato janë të krijuara me ligj, që t’i shërbejnë njerëzve në pleqëri. Për to paguan vetë qytetari-punëtori, por edhe biznesi, për të investuar për një të ardhme më të mirë, por edhe për t’i përballuar më lehtë situatat e panjohurat në të ardhmen, qoftë ato për individin apo për shoqërinë.

Pandemia e Covid 19, dhe veçmas lufta në Ukrainë nga pushtimi rus, janë dy dëshmi, se sa e pasigurt është e ardhmja jonë.

Ne mund të bëhemi budallenjë, nga njerëz të kësaj nisme, që kanë të kaluar të paqartë dhe që janë subjekt i kritikave edhe intelektuale, edhe i hetimeve edhe popullore, për keq udhëheqje, dhe t’i mbështesim t’i tërheqim edhe 30 %!

Por, një ekspert me përvojë ndërkombëtare në tregjet botërore, thotë për “Bota sot”, se ky hap do të ishte i pamatur.

“Unë mendoj që është politikë ekonomike e gabuar nëse hapet, sërish porta e tërheqjes së parasë nga Trusti”, thotë Emanuel Bajra, njëri nga ekspertët më të mirë shqiptarë të tregjeve ndërkombëtare-bursave.

Ai vlerëson se do të shkaktoheshin së paku dy dëme kyçe, e që njëri prej tyre është psikologjik.

“Dy janë argumentet kryesore që unë i cilësoj si të rëndësishme: e para mbjellja e konceptit të kursimtarisë nga pension-kontribuuesit, por edhe konsumatorët tanë, si edhe penalizimi që do të mund ti bëhej Fondit Pensional nga tregjet dhe investitorët e jashtëm, të cilët kanë interes ta shohin rritjen e Fondit Pensional të Kosovës si e vetmja dritare në tregun e kapitaleve globale që do të na duhet tepër shumë në të ardhmen e sidomos kur të krijohet Fondi Sovran i Kosovës”, vlerëson Bajraj, ish-bankier.

Image
Eksperti i tregjeve Emanuel Bajraj

“Qeveria duhet të gjejë mekanizma tjerë fiskal/monetarë për ta adresuar problemin e shtrenjtisë dhe inflacionit e jo hapjen e kasafortës së Trustit”, thotë Bajraj, ekspert i tregjeve, dhe veprues në Bursën e Londrës.

Kush duhet të na udhëheq!?

Pra, dilema morale është sërish, a do të lejojmë të na tërheqin njerëzit e gabuar në shtegun e gabuar sërish, në të cilin humbëm thuajse rrugën gjatë 20 viteve, nga mashtrimet, vjedhjet, pazaret e pista, trafikimet dhe vrasjet e panumërta, pa prita, në prita!

Protestën, që thuhet kushtimisht se e ka thirrur një grup në Fb, është paralajmëruar për të enjten nga ora 12:00 para Kuvendit të Kosovës, ndërsa e përkrah hapur opozita, kryesisht PDK-ja, me njerëzit e ish SHIK-ut, është e qartë se kush po kërkon protestë.

Nuk është me rëndësi se çfarë pozicioni ka në këtë mes Qeveria, por cilat janë vlerësimet e ekspertëve të ekonomisë, të fushave përkatëse, deri tek ekspertët e tregjeve.

Kjo nuk është thjesht një protestë! Është përpjekje për të shmangur qetësinë, për të krijuar trysni, dhe për të pasur sa më shumë ndikim grupet kriminale.

E tillë është edhe tendenca, që të pengohet me çdo kusht hetimi i listës së veteranëve. Së paku afër 20 mijë veta marrin, para çdo muaj, në emër të statusit të rrejshëm ose të dyshimtë.

Procesi është në gjykatën e Apelit, dhe të korruptuarit në këtë proces, po bashkërendojnë pakënaqësi, për të ushtruar sa më shumë trysni në institucione për të shpëtuar nga akuzat.

Numri më i madh i falsifikuar është në Dukagjin, pastaj në Drenicë dhe vazhdon në zonat tjera.

Kjo situatë edhe gjeografikisht korrespondon me krimin. Në zonat ku ka pasur më shumë krim të organizuar, është rritur më shumë numri i veteranëve, pikërisht nga të inkriminuarit, të cilët edhe e kanë orientuar apo udhëhequr krimin.

Por, me bomba kush po kërcënon?

Sërish sot, u kërcënua Rektorati i Universitetit të Prishtinës, me një sulm me bombë, nëpërmjet një e-maili. Kjo është hera e dytë që kërcënohet ky institucion me shpërthim bombe brenda një kohe të shkurtër. Ende asnjë kërkesë nuk rezulton se është bërë, në të dyja herët.

Kërcënime të tilla ka pasur edhe në rajon. Por, në rastin e Kosovës, ky kërcënim duhet parë së paku në dy drejtime.

I pari, kërcënimi mund të jetë bërë edhe si vazhdimësi apo si pjesë e projektit rus për të destabilizuar botën, Perëndimin, por edhe Ballkanin.

Nëse vazhdojnë të bëhen kërcënime të tilla pa kërkesa, dmth. Pas asnjë objekt, tregon se kërcënuesi nuk ka mundësi t’i realizojë ato, por është duke vepruar për efekte psikologjike. Por, natyrisht nuk duhet nënçmuar organet e sigurisë. Në një moment, kërcënimet e tilla mund të lënë pasoja.

Pak ditë më parë një kërcënim i tillë u bë edhe ndaj shkollës, gjimnazit “Xhevdet Doda”. Siç kemi vënë në dukje, aktualisht këto kërcënime kanë targetuar institucionet e edukimit. Psikologjikisht, edhe thuaja institucionet më të ndjeshme.

Përveç një mundësie të bashkëveprimit, si një skenar serb apo në bashkëveprim me rus, këto kërcënime duhet parë edhe në kontekst të ngjarjeve në Kosovë.

Ndërsa, grupime të caktuara po përpiqen, që të shkaktojnë turbullira dhe pasiguri, me protesta të ndryshme, a nuk duhet edhe pak zjarr nga jashtë?

Image
Policia duke ruajtur para shkollës "Xhevdet Doda"

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat