Dy protesta në një ditë

Aktuale

Dy protesta në një ditë

Më: 15 qershor 2022 Në ora: 19:06
Foto ilustrim

Dy protesta pritet të mbahen nesër në Prishtinë. Paradite, para objektit të Kuvendit dhe Qeverisë do të protestojnë organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në shenjë kundërshtimi të Projektligjit për Pagën Minimale, ku nuk janë të përfshirë veteranët e UÇK-së. Ndërkohë, nga ora 12.00, sindikata e qytetarë do të protestojnë për të kërkuar lejimin e tërheqjes së një pjese të mjeteve nga TRUSTI.

Kuvendi i Kosovës miratoi dje në lexim të parë Projektligjit për caktimin e Pagës Minimale. Nëse ky kalon edhe në lexim të dytë, paga minimale në Kosovë do të rritet në 264 euro bruto, nga 170 sa ishte deri tani. Në projektligj nuk janë të përfshirë veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale. Pas miratimit të projektligjit që u votua nga deputetët e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe, reaguan organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, të cilët miratimin e projektligjit e cilësuan të kundërligjshëm dhe të turpshëm. Këto organizata kanë paralajmëruar protestë gjithëpopullore për këtë të enjte, nga ora 9:30, para objektit të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.

Një protestë tjetër me kërkesë për deputetet e Qeverinë, për miratimin e projektligjit që mundëson lejimin e tërheqjes së mjeteve të kursyera nga TRUSTI, do të organizohet po ashtu nesër. Për këtë gjë do të protestojë edhe Sindikata e Re e KEK-ut. Kreu i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica, i tha Radio Kosovës se ngritja e çmimeve po i detyron të protestojnë.

 “Jemi të shtyrë të protestojmë për tërheqjen e mjeteve nga TRUSTI,  për arsye se ka inflacion të lartë, ka ngritje të çmimeve përderisa nuk ka ngritje të pagave. Këto janë arsyet që na detyrojnë të kërkojmë kursimet tona në këtë kohë të vështirë. Kemi vendosur të protestojmë më 16 qershor, prej orës 12:00 deri në 13:00”, tha ai.

Pjesëmarrës në protestën e organizuar nga Sindikata e Re e KEK-ut, do të jenë edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës, ka thënë kryesindikalisti i forcave të rendit, Imer Zeqiri.

 “Do të jemi si kryesi ekzekutive e sindikatës, por nuk dua të keqkuptohemi, Policia e Kosovës nuk ka organizuar ende protestë. Aktualisht nuk e kemi në agjendë protestën me Policinë e Kosovës për arsye se ende nuk e kemi harxhuar gjithë dialogun, pasi jemi në dialog me Qeverinë për sa i përket realizimit të të drejtave dhe kërkesave që i kemi ne si Sindikatë e Policisë”, deklaroi Zeqiri.

Pjesëmarrës në protestën për lejimin e tërheqjes së një pjese të kursimeve nga TRUST-i pensional, do të jenë edhe qytetarë, të cilët këtë e kanë paralajmëruar në grupe të ndryshme sociale. Iniciativa për lejimin e tërheqjes deri në 30 për qind të mjeteve nga TRUSTI-së është ndërmarrë nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, për çka janë tërësisht kundër Vetëvendosje si shumica parlamentare dhe Qeveria e Kosovës.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat