Partitë opozitare t’i shuajnë bandat e përbashkëta kriminale me serbët, në veri / Të shkëputen nga ndikimi ruso-serb

Aktuale

Partitë opozitare t’i shuajnë bandat e përbashkëta kriminale me serbët, në veri / Të shkëputen nga ndikimi ruso-serb

Nga: Idriz Morina Më: 3 gusht 2022 Në ora: 12:07
Foto ilustrim me pamje nga përojekjet e policisë për largimin e barrikiadave serbe në veri,

Disa parti, përkatësisht figura të komprometuara të tyre nuk shohin asnjë perspektivë për veten e tyre nëse zbatohet ligji.

Kështu që mjet kryesor e kanë destabilizimin, krijimin e paqëndrueshmërisë politike, dhe në situata si e sotmja, kur e kanë humbur pushtetin, një shpresë tjetër e kanë tek mbajtja e zgjedhjeve të reja, me idenë se mund ta krijojnë një koalicion fitues, kush e di....

Bashkëpunimi me Serbinë

Në raportet sekrete, apo relacionet e komunikimit KFOR-NATO, rezultonte se disa figura të luftës, kishin bashkëpunim apo dyshoheshin se kishin bashkëpunuar që në luftë me UDB-në serbe. Bëhej fjalë për figura të larta të SHIK-ut dhe të PDK-së.

Po ashtu sipas raporteve inteligjente, rezultonte se janë disa banda kriminale bashkëpunimi në veri, të serbëve me shqiptarë.

Këto banda nuk mund të ishin të askujt tjetër pos të kontrolluara nga figura që zakonisht, i quanin në opinion ‘komandant’, pavarësisht nëse kishin komanduar vërtetë në luftë apo jo, dhe se çfarë madhësie kishte grupi i ushtarëve.

Sipas raporteve të inteligjencës KFOR-NATO, disa nga figurat kishin raporte personale me ish-pjesëtarë të UDB-së, si Xhavit Haliti me Ali Haskajn; Hashim Thaçi po ashtu me Ali Haskajn, më vonë po ashtu me Branisllav Nikoliqin (pas shuarjes së SHIK-ut), të cilin e kishte bërë këshilltar të tij në Presidencë; Kadri Veseli me Fatmir Shehollin, e ky edhe me Elmi Reçicën etj., ndërsa Azem Syla me Fahredin Gashin etj.

Nga të gjithë këta dhe të tjerë, aktualisht vetëm Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ndodhen të arrestuar nga gjykata speciale nën dyshimin për krime lufte.

Dhuna e nxitur nga Serbia të dielën, me shenja të qarta për një konflikt të armatosur, dhe retorika që pasoi nga disa opozitarë, flet më shumë për ekzistencën e këtyre lidhjeve të evidentuara nga raportet inteligjente amerikane, gjermane etj.

Disa relacione kanë qenë aq të hapura, sa që nëse do të publikoheshin ato dosje, vështirë se dikush do t’i merrte për patriot, ‘këta njerëz’.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, sa ishte kryeministër e ka pritur në zyrën e tij Milan Radojçiqin, një kriminel të famshëm serb, i cili po vazhdon t’i ikë drejtësisë, për shkak të akuzave për krim dhe korrupsion.

Sipas raportit të Freedom House, ish-presidenti Thaçi dhe ish-kryeministri Haradinaj, kishin lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, gjë kjo me shumë gjasë ka ndikuar që të krijohen dhe bashkëveprojnë bandat serbe me shqiptarë, për të ndarë fitimet në projekte dhe tenderë.

“Figura të mëdha politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, të cilët luajnë role të fuqishme në politikë dhe kanë ndikuar në instalimin e liderëve kyç”, thuhet në raportin e Freedom House, të publikuar muaj më parë.

Ka mbetur e pasqaruar si dhe kush, por që sipas kësaj organizate të shquar amerikane, qeveritë e Kosovës ishin ndikuar edhe nga qeveria ruse etj.

“Qeveritë ruse, kineze dhe turke kanë ushtruar gjithashtu ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë gjatë viteve të fundit”, thuhet në raportin e Freedom House”, thuhet në raport.

Ndërkohë, ish-diplomat të njohur britanik, ekspertë e analistë të huaj, ngjarjet në veri, po i shohin si të bashkërenduara apo në varshmëri të Rusisë.

Dhe kur kësaj ia shton dyshimet se kanë ekzistuar në vazhdimësi lidhje të fuqishme të disa shqiptarëve me eksponentë të UDB-së, dhe se në veri Serbia ushtron kontroll tek serbët nëpërmjet bandave dhe krimit të organizuar, situata bëhet më komplekse për t’u zgjidhur, por edhe më e qartë.

Pse?

Duke qenë aq shumë të ndërlidhura me subjekte kriminale serbe, me shërbimin inteligjent serb BIA (ish-UDB), këta i marrin informacionet nga Serbia, duke ua fshirë origjinën, i shpërndajnë si informacione të çuditshme, pa burim dhe qëllim. Por, në fakt burimi është i qartë, dhe qëllimi është i përbashkët.

Serbia me kërcënimin me traizra e ruan një gjendje status-kuoje në veri, dhe e vazhdon ushtrimin e kontrollit mbi serbët, dhe po ashtu bandat kriminale shqiptare, të përfaqësuara në nivele të larta partiake, besojnë se mbesin pa u dekonspiruar për bashkëpunimin.

Meqë Serbia, e ushtron kontrollin nëpërmjet bandave kriminale, figurave si Millan Radojçiq, prandaj presidenti i Serbisë Vuçiq, dhe diplomacia serbe bëjnë thirrje që të mos arrestohen kriminelët. Këta janë resursi kryesor me të cilin Serbia e mban nën kontroll popullatën serbe në veri. Vuçiqi madje e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurtin për arrestimin e një serbi, që ka qenë agresiv në vendosjen e barrikadave.

T’i denoncojnë kriminelët

Pra, nuk ka asnjë shtet në botë, që mund ta ndalojë Kosovën t’i arrestojë pikërisht kriminelët, të cilët kanë kryer madje krime të shumëfishta, përveç korrupsionit, shantazhit, trysnisë, dhunës psikologjike ata kanë kryer edhe vrasje.

Në këtë kontekst, që institucioneve të sigurisë së Kosovës, t’i lehtësohet puna, duhet që ato parti opozitare, figurat e të cilëve kishin dhe kanë lidhje me krimin në veri, duhet t’i denoncojnë dhe t’i detyrojnë të tërhiqen nga ky lloj bashkëpunimi e bashkëveprimi. Po ashtu ato duhet të shkëputen nga ndikimi serbo-rus.

Pra, kjo arrihet pasi partitë opozitare, PDK e AAK, t’i shuajnë bandat e përbashkëta kriminale në veri, nëpërmjet të cilave Serbia po ia arrin ta trazojë veriun, dhe t’i detyrojë serbët, që të mos jenë lojal ndaj shtetit të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat