Me kë është Rama, me Rusinë e Serbinë apo me Kosovën e Perëndimin?! A ia ka premtuar veriun Vuçiqit?

Aktuale

Me kë është Rama, me Rusinë e Serbinë apo me Kosovën e Perëndimin?! A ia ka premtuar veriun Vuçiqit?

Nga: Idriz Morina Më: 3 gusht 2022 Në ora: 20:44
Ram dhe Lavrov duke u dakorduar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nuk e ka ndërmend të dalë nga ‘zhgualli’ pro serb në të cilin është futur.

Rama në ditën që Serbia po i mobilizonte serbët në veri heshti, nuk e tha asnjë fjalë, pavarësisht që shumë vende europiane filluan të reagojnë.

Madje SHBA-ja u kujdes që ta negociojë një marrëveshje për shtyrjen e zbatimit të dy vendimeve të Qeverisë, ndalimin e përdorimit, regjistrimit të targave të Serbisë për shtetasit e Kosovës brenda territorit dhe vendimin që të gjithë shtetasit e Serbisë të nxjerrin një dokument udhëtimi në letër me afat tre mujor, ngjashëm siç e lëshon Serbia, por me afat dymujor.

Rama po e mbron Serbinë edhe pas mobizilimit të shpallur në veri

Kryeministri Rama, nuk e gjykoi Serbinë, përveç se shprehu përkrahje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për ta shtyrë zbatimin e dy vendimeve në fjalë, që i cilësoi legjitime.

Madje edhe këto reagime ai nuk i bëri enkas për opinionin shqiptar, por vetëm kur u pyet nga gazetarët, në paraqitjen për shtyp pas takimin me kryeministrin spanjoll Pedro Sançez, sipas të cilit shteti i tij nuk e njeh Kosovën për shkak se shpallja e pavarësisë së saj ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Ndaj këtij deklarimi ka reaguar vetëm ish-ambasadori holandez në Kosovë Robert Bosh, i cili theksonte situatën problematike në BE, që sipas tij, paraqitet pas kësaj deklarate të kryeministrit spanjoll. Bosh vlerësonte se me atë deklaratë bëhet e qartë se Spanja nuk i njeh vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe ai e përshkruante si problem potencialisht të thellë!

Kryeministri Spanjoll nuk mund të mos e dinte se GJND-ja, ka vendosur se Shpallja e Pavarësisë ishte legjitime. Prandaj, Bosh e godet, duke alarmuar se kjo paradigmë e politikës spanjolle përbën shqetësim të thellë për Bashkimin Europian.

“... ne mendojmë që një deklaratë e njëanshme për pavarësi, – ky është mendimi, opinioni i qeverisë spanjolle, me gjithë respektin që kam për opinionin e qeverisë shqiptare, – por ne mendojmë që është shkelur e drejta ndërkombëtare, ndaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi”, deklaroi Sançez në Tiranë, pa marrë asnjë përgjigje të duhur nga Rama, përveç se e quajti ‘mendim radikal’.

Nuk ka mendime radikale në këtë rast, por janë qasje, vendime në kundërshtim me frymën europiane, në kundërshtim me rendin dhe ligjin, më saktë, janë anarkike. Nëse një vend kaq i rëndësishëm i Bashkimit Europian, del kundër frymës, vlerave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, atëherë si mund të shpresohet në drejtësi dhe vlera.

Edi Rama nuk është duke e kuptuar qartë as frymën e NATO-s, ose është duke e penguar rrënjësisht atë.

Rama, Rusia e Serbia

Është vet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili e bëri publike kërcënimin për Serbinë, që ia ka adresuar presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiqit, se në rast provokimi të konfliktit në Kosovë, aleanca është e gatshme të ndërhyjë.

“NATO-KFOR rri i gatshëm për të ndërhyrë nëse stabiliteti rrezikohet, bazuar në mandatin e Kombeve të Bashkuara”, i ka thënë Sekretari Jens Stoltenberg, presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiqit në një bisedë telefonike.

Pra, derisa NATO-ja është e gatshme për ndërhyrje, Edi Rama, thotë se e vetmja rrugë është ajo paqësore për ta zgjidhur situatën.

Në fakt Sekretari Stoltenberg, me këtë deklaratë konfirmoi atë që analisti ushtarak italian Thomas Theiner e tha para dy ditëve, se oficer të NATO-s, e kishin gjetur mënyrën, për t’ia përcjellur Shtabit të ushtrisë serbe mesazhin, se aleanca do të ndërhynte nga ajri menjëherë dhe pastaj edhe nga toka, nëse Serbia do të përdorte forcën në veri të Kosovës, duke shkelur integritetin territorial.

Po ashtu edhe gjenerali shqiptaro-amerikan Muharrem Maralusha, dha një informacion edhe më delikat, duke thënë se NATO-ja e kërcënoi Serbinë, se nëse herën e parë u përballoi sulmeve për 78 ditë, kësaj herë nuk do të mund t’i përballonte as për 7-8 orë.

Por, Edi Rama, ashtu si në vazhdimësi e mbronte Serbinë, kur ndodhej nën presionin perëndimor për shkak se po rreshtohej me Rusinë në luftën e Ukrainës, duke i dal në mbrojtje e shpallur të pafajshme, tani, në rastin e Kosovës, por kërkon vetëm zgjidhje paqësore.

Image
Edi Rama gjithnjë besnik i Vuçiqit

Pse e bën këtë Rama? Jo pse ai është paqësor, por sërish po e mbron Serbinë, duke e ditur se në një ballafaqim ushtarak me NATO-n, armatimi i saj mund të kthehet në gërmadha.

Edhe në këtë rast, qëndrimet e dhëna pas takimit me kryeministrin spanjoll, gjenerali Maralusha duket se ka të drejtë, pasi beson se Rama i premtoi Sançezit, se Shqipëria do të jetë indiferente ndaj një sulmi të mundshëm të Serbisë në veri.

“Kryeministri spanjollë Pedro Sanchez e vizitoi Shqipërinë me një detyrë specifike. Ai shkoi me i thonë Edi Rames (vëllai i Vuçiqit) që të mos ndërhynë me e ndihmue Kosovën, në qoftë se Serbia ndërhyn me ushtri në Kosovë. Edi Rama ja dha fjalën se ai është për një zgjidhje paqësore të çdo konflikti në Ballkan”, ka shkruar në Fb, gjenerali Maralusha.

Madje Edi Ramën, se ka penguar fare fakti, që e transmeton edhe intelektual i jashtëzakonshëm Samuel Ramani, se ministri i Brendshëm i Serbisë Alexander Vulin është parë kohët e fundit me simbolin Z të mbështetjes së pushtimit rus të Ukrainës.

As në këto shfaqje të hapura të agjendave të Serbisë në bashkëpunim të plotë me Rusinë, nuk e kanë kthjellur Ramën.

As takimet e shpeshta të Ramës me ministrin e Jashtëm të Rusisë, nuk kanë qenë thjesht rastësi, por duket se ato raporte u fuqizuan me ndërmjetësimin e Vuçiqit.

Rama i pajtuar me gjenocidin serb ndaj shqiptarëve

Edi Rama, nuk reagoi as sot, ndaj vendimit që Kuvendi i Serbisë e ka zgjedhur nënkryetar të tij një kriminel lufte në Kosovë Bozhidar Deliq, i akuzuar për pjesëmarrje në kryerjen e krimeve masive ndaj shqiptarëve civil dhe të pafajshëm.

Deliq, ish-komandant i Brigadës famëkeqe 549 të Motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila përbëhej edhe nga mercenarë rusë, gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), besohet se ka kryer krimet më çnjerëzore, përfshirë, masakra dhe vrasje masive të shqiptarëve të pafajshëm, madje edhe foshnje, fëmijë të porsalindur.

Por, Edi Ramën se kanë penguar fare krimet serbe, që kur ka filluar të ketë poste politike. Ai ishte i pari që e ftoi dhe i dhuroi “Çelësin e Tiranës”, këngëtarit serb Goran Bregoviçit, i cili i këndonte dhe e himnizonte fashizmin e Millosheviçit.

Ashtu, siç në 9 vjet të udhëheqjes së Qeverisë shqiptare se ka penguar asgjë që t’ia vë në dispozicion Serbisë edhe tregun shqiptar, dhe madje në “Ballkanin e hapur” e fton edhe Kosovën të anëtarësohet aq sa, edhe gjendjen në veri, e arsyetonte me moshyrjen e Kosovës në këtë nismë. Pra, mosdorëzimi i Kosovës para Serbisë, për Ramën, duhej ndëshkuar, dhe ajo që bëri dhe deshi ta bënte më tej Vuçiqi, ishte një ndëshkim i duhur.

Image
"Unë besoj shumë fort te Ballkani i Hapur", ka thënë Rama pas takimit me kryeministrin spanjoll Sanchez

“Këto situata tregojnë, pikërisht, pse ne kemi nevojë për këtë. Këto situata tregojnë pikërisht pse duhet “Ballkani i hapur... Këto situata tregojnë pikërisht pse Kosova duhet të vijë dhe të ulet në tryezën e Ballkanit të hapur ...Unë besoj shumë fort te Ballkani i Hapur. Unë besoj shumë fort tek intensifikimi i të gjitha marrëdhënieve rajonale”, ka thënë Rama.

Pra, Rama po e sheh ‘Ballkanin e hapur’, si rrugën e vetme nëpërmjet së cilës, Serbia mund ta shkëput veriun e Kosovës!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat