Pas debateve të "nxehta", përfundon seanca, Kuvendi shkon në pushim

Aktuale

Pas debateve të "nxehta", përfundon seanca, Kuvendi shkon në pushim

Më: 4 gusht 2022 Në ora: 07:20 Përditësuar në ora: 12:37 më 04.08.2022
Kryeministri Albin Kurti dhe Glauk Konjufca

Kurtin e bën dallimin mes Rakiqit e Radojiçiqit, kështu i sheh ai ata

Kryeministri Albin Kurti në kundërreplikat me deputetët e opozitës ka thënë se kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetari i saj Milan Radojiçiq nuk janë identik.

Sipas Kurtit, Radojiciq është në listën e zezë të Thesarit amerikan dhe ka fletarrest, kurse Rakiq s’është në listë të zezë.

“A janë krejtësisht të ndryshëm Rakiqi dhe ai kryekrimineli Radojiciqi nuk mund të them sepse janë në të njëjtin subjekt, a janë identik prapë s’mund të them a e dini pse se ai kryekrimineli është në listë të zezë dhe ka fletëarrest, si dhe në listë të zezë s’është Rakiqi sikurse ai kryekrimineli pra nuk janë të identik”, tha Kurti.

Ai tha se opozita e tanishme kur ka qenë në pushtet ka votuar rezolutë kundër reciprocitetit me Serbinë.

“Për tre vjet me gaz nuk vishin paret nuk nënshkrueshin marrëveshjet te na me bateri u nënshkruan mbi 200 milionë. Kurrë mos harroni se disa gjëra që kanë ndodhur në vitet e kaluara kanë qenë në kuadër të shkëmbimit territorial që ka nisë me frazën “ëe are not problematic guys”. Të gjitha këto elemente kanë qenë në dritën e shkëmbimit territorial që kanë dështu si projekt.Reciprociteti në këtë Kuvend është hedhë poshtë, keni bë rezolutë kundër reciprocitetit më 14 janar 2012. U janë dashur juve më shumë se 10 vjet për ta mbështet reciprocitetin dhe të më thuani mua bëje më shpejt”, tha ai.

Duke folur për pagat e policëve, Kurti tha se s’kanë garuar me premtimin për rritje pagash por për punësim.

“Duhet ta kuptoni një gjë, pagat, pagat, pagat unë e di se jeta është bërë më e vështirë në Kosovës, parulla jonë që i kemi fitu zgjedhjet është drejtësi dhe punësim jo rritje të pagave, ju keni garu me rritje pagash dhe keni humbë. Prandaj parullën tuaj s’mund t’ua realizoj unë. Ne do ta bëjmë ligjin e ri të pagave”, tha ai.

Shefi i qeverisë tha tutje se nëse veprimi i 31 korrikut në veri do të ishte gabim, populli do ta mbushte sheshin në protesta.

“Është e rëndësishme që unë e kuptoj plotësisht se duhet ta bëni opozitën por po të kishte qenë shkelje vendimi jonë i mbrëmjes së 31 korrikut, po të mos e kishte kuptu populli se është i drejtë sot do të ishte sheshi plot qysh e këna mush na kur vishin zajednica e shkëmbimi territorial për me u ratifiku këtu. Populli i Kosovës po e din shumë mirë që kemi vepru shumë mirë”, tha ai.

Besnik Tahiri – Kurtit: Je dobësu para Serbisë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë seancës së sotme iu drejtua kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë “mjeshtër për të devijuar temën e diskutimit”.

Ai tha se nuk e kanë hallin e partive dhe qeverisë, por një hall tjetër. 

“Nuk e kemi hallin se çka ndodh me qeverinë dhe partitë, hallin e kemi të thjeshtë: ti je dobësu, qeveria jote u dobësu para Serbisë, qytetari i Kosovës është dobësu qat ditë që ti në 12 të natës ke marrë vendim, ke mujt ni ditë përpara”, tha Tahiri.

Ai e garantoi Kurtin se më 1 shtator prapë do ta mbështesin Kurtin për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë.

“Mos më shit moral, e prite Radojçiqin në zyre”/ Përplasen Kurti e Haradinaj

Kryeministri Albin Kurti dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj kanë replikuar mjaft ashpër në Kuvend në një debat për situatën në veri dhe veprimet e fundit të Qeverisë.

Kurti fillimisht tha se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq ishte pritur nga Haradinaj në zyrën e kryeministrit.

“Vetëm ta keni parasysh, para 4 viteve kryekrimineli atje është pritur në zyrën e kryeministrit. A sot ka fletëarrest dhe është në listën e zezë të Thesarit Amerikan. Ky është dallim i madh… Andaj ju lutem mos më shisni moral dhe patriotizëm sepse ju njohim mirë”, tha Kurti.

Në replikë, Haradinaj i tha Kurtit të mos merrte merita për listën e zezë të SHBA-së, por të marrë masa për ministrin Goran Rakiq.

“Kryeministri tha ‘mos shit moral’. Vërtetë s’kam kujt me ia shitë, se ia kisha shitë. Por atij që është bërë ‘good guy’ më s’di në çfarë drejtimi me i shitë moral… Mos merr merita për listën e zezë, tregona çka po bëhet me Rakiqin tënd. Njëjtë si ai tjetri është. Ti je në tavolinë me të”, tha ai.

Kurti kundërreplikoi duke thënë se është ‘good guy’.

“Gjithmonë kam qenë ‘good guy’. Absolutisht unë nuk e kuptoj çfarë vlere paska mos me qenë ‘good guy'”, tha ai ndër tjerash.

Hisen Berisha: Rakiqi s’mund të jetë një ditë ministër e një ditë tjetër në barrikada

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka thënë se Goran Rakiq s’mund të jetë një ditë ministër e një ditë në barrikada.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ai ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “që të reflektojë”.

“Kyeministër tregojë realitetin”, tha Berisha.

Ai po ashtu theksoi se vendimmarrja nuk ka qenë e koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, por shtyrja e reciprocitetit po. 

Kurti tregon arsyen e shtyrjes sē zbatimit të reciprocitetit

Kryeministri Albin Kurti thotë se shtyrja për një muaj e zbatimit të reciprocitetit me targa dhe dokumente e kanë shtyrë shkaku i fushatës së fuqishme dezinformuese të Beogradit te serbët e Kosovës .

“Përshkak të fushatës të madhe të dezinformimit që është bërë nga Beogradi mbi qytetarët serbë të Kosovës ne kemi pranuar tek faktorët amerikanë dhe evropianë ta shtyjmë zbatimin deri më 1 shtator, përshkak të fushatës së tmerrshme të dezinformimit jo përshkak të mungesës të fushatës tonë.  Nuk ka pasë qytetar që ka dashtë të informohet që nuk është informuar por është e vërtetë se ka qenë shumë më e fuqishme fushata e dezinformimit”, tha Kurti.

Kurti para deputetëve të Kuvendit tha se me datën 1 gusht janë lëshuar 2679 dokumente në pikat kufitare me Serbinë.

“Përvec kësaj e kemi pasur edhe vendim që duhet të ketë një dokument për të gjithë ata që kanë dokumente të Serbisë që me atë dokument të mund të identifikohet nga autoritetet tona pasi edhe në Serbi zbatohet e njëjta gjë. Cdo qytetar i Kosovës kur e kalon kufirin me Serbinë ia japin një dokument që duhet ta përdorë në atë territor dhe ne me datën 1 gusht kemi lëshuar 2679 dokumente të tilla mesatarisht për 20 sekonda ndërkaq kur shkon në Serbi shkon nga 10 minuta deri 1 orë. Pra ne jemi shumë më efikas në këtë aspekt”, tha ai.

Hoxhaj pyet Kurtit: A do ta krijosh Asociacionin me veprimet e fundit në Veri?

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se çfarë po dëshiron të arrijë me “veprimet e fundit në Veri”.

Hoxhaj në seancën e sotme të Kuvendit pyeti nëse qëllimi është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serb.

“Cili është zingjiri i ngjarjeve që do të prodhohet, edhe me takimin e gushtit, edhe me situatën e 1 shtatorit? A është qëllimi që me e kriju Asociacionin, që me kriju fakte në terren vet ata kriminelë? Një pjesë të tyre i keni edhe në Qeveri, se Rakiqi po flet”, tha Hoxhaj.

Ish-kryediplomati tha se ka rrezik që tani çështja e dialogut të shndërrohet në çështje të sigurisë.

“Nëse kryeministri po thotë se qëllimi i tij është që njohja e ndërsjellë të jetë në qendër, jo në fund, frika ime është se pas të dielës kryeministri ka me u marrë në dialog me problemet që i ka krijuar vet”, tha Hoxhaj.

Ai i kërkoi Kurtit përgjigjje se “si do të dalë nga kjo situatë”.

​Haradinaj e quan Kurtin "good guy": Për ty vendosin të tjerët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti me “good guy” (djalë i mbarë) dhe i ka thënë se u detyrua të kthehet prapa nga veriu i vendit, çka sipas Haradinajt, më mirë është të mos nisesh fare se të tërhiqesh.

Në seancën e Kuvendit, Haradinaj e ka kritikuar kryeministrin për veprimet e tij që lidhen me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.

Haradinaj-Kurtit: Je bërë “good guy”, u tërhoqe nga veriu

“Sikur të ishte nisur gjithë kohës si ‘good guy’ nuk ka dert, por ky është nisur si i forti dhe është munduar t’ia ndërtojë disa pozicione vendit të vet, politikës së vet, qeverisë së vet si ‘i forti’, që ku ka përfunduar, ‘good guy’, shko para kthehu prapa, shko para kthehu prapa, kur duan çka ‘I thonë, dhe a e dini kush, Lajcaku sepse Vuqiq e thirr Lajckakun e Lajckau e gjen kënd ta thërrasë dhe këtij i thonë ‘step back’. Kjo është Kosova sot. A ke me zgjedh kështu situatën në veri i dashur ‘good guy’, më trego të dimë. Të dini se ky është qorrsokak ku kemi hyrë por ka mundësi me dalë prej këtij qorrsokaku kryeministri ynë pa u bë menjëherë ‘problematic guy’, vetëm t’i kryejë punët e shtëpisë, e punët e shtëpisë duhet t’i kryejë ky kryeministri që po i pëlqen se është bërë ‘good guy’ duhet me i rritë rrogat policëve, ata që do t’i dërgojë në veri. Ky rri në jug, por njerëzit po i dërgon në veri”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinajt, është turp qe institucionet e Kosovës sa herë të niset për veri të vendit me u kthy prapa.

Haradinaj: Vetëm në historinë e qeverisjes së Vetëvendosjes jemi duke u kthyer prapa

“Vjen 1 shtatori shpejtë dhe është marrë Kosova sa herë të niset me u kthy prapa, vetëm në historinë e qeverisjes VV jemi duke u kthy prapa, asnjë herë nuk jemi thyer prapa, vetëm me këtë ‘good gay’ nisemi e kthehemi, dhe dalim lavdërohemi se jemi në koordinim. Lavdëroheni se jeni në koordinim me u kthy prapa, mosni ju lutem, lavdonu ndonjëherë se jeni në koordinim me kry punën deri ën fund. Më mirë është mos me u nisë se me u nisë e me u kthy prapa”, ka thënë ai.

Ai i ka thënë Kurtit se duhet t’i kthejë fuqitë me të cilat ka hyrë në pushtet dhe sipas Haradinajt të bazohet në strukturat dhe institucionet e shëtit të Kosovës.

Haradinaj-Kurtit: Ty nuk të format kush më, për ty vendosin të tjerët

Imagjino si më të respektuar anë kriminelët në veri që shkrepin armë publikisht e më në konsideratë i marrin strukturat e tjera ndërkombëtare sesa ty, ty nuk të format më kush, për ty vendosin të tjerët, ty kanë me të treguar kur ke me u nisë, sa larg do shkosh dhe ku. Ju siguroj që nuk është rruga e duhur kjo, ka të tjerë që e kanë provuar kështu e dini ku kanë përfunduar, ‘good guy’ mundesh me qenë me ditë saktë çka je tu bë, jo të kthehesh prapa, hiç mos u nisë”, ka thënë Haradinaj.

​Tahiri: Kurti nuk ka gatishmëri të vendosë reciprocitet të plotë Serbinë

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk është i gatshëm të vendosë reciprocitet të plotë me Serbinë andaj, sipas tij, po bën përzgjedhje selektive me masat e reciprocitetit.

Në seancën e Kuvendit, Tahiri ka thënë se Kurti është formuar politikisht duke folur për reciprocitet ndërsa tani sipas tij nuk po i përmbahet asaj.

Tahiri: Kurti nuk ka gatishmëri për të vendosur reciprocitet të plotë me Serbinë

“Përderisa nuk ka gatishmëri për të vendosur reciprocitet të plotë kjo përzgjedhja selektive e masave të reciprocitetit, duke qenë i vetëdijshëm se Serbia dhe politikat e saj ndaj konsolidimit tonë të brendshëm janë shumë dekontrsutkure e të cilat masa edhe ashtu po krijojnë probleme të sigurisë së e të rendit siç ishte rasti i fundit, po na japin përshtypjen se para se këto masa të jenë qëllim në vetvete janë qëllime instrumentale. Nuk besoj se me këto masa kryeministri po do me zgjedh raportin bilateral mes Kosovës dhe Serbisë më shumë po duket si një lloj aranzhimi gradual prej të cilave duhet të dalin shumë tema të tjera përfshirë edhe Asociacionin për çka shihet se do të jetë pjesë e këtyre diskutimeve”, ka thënë Tahiri.

Ai ka kërkuar nga qeveria qartësi për rrugën në të cilën po shkon procesi i dialogut me Serbinë dhe sipas tij a po i përmbahet qeveria parimeve të dialogut.

Tahiri: Kurti është formuar politikisht duke folur për reciprocitet

Kryeministri po bën përpjekje me bë reciprocitet në çështje specifike duke anashkaluar reciprocitetin e plotë ndërsa e mban mend fort mirë se si politikisht është formuar duke na folë për reciprocitet të plotë me Serbinë i cili mandej nisi të zbatohej në çështje specifike. Nëse do t’i përmbahej reciprocitetit të plotë ai do të duhej të zinte vend së pari në fushën e ekonomisë. Nuk po flas për bilancin tregtar me Serbinë, ndonëse njëjti në kohë ne këtij kryeministri shënon rekord të importeve nga Serbia, po flas për reciprociteti në garanton kushte të barabarta për ndërmarrësit e të dyja vendeve. Prodhimet serbe sot futën në Kosovë me certifikata e prodhimit të lëshuar nga Serbia e që Kosova i njeh si të tilla ndërsa certifikatat e prodhimit të lëshuar nga Kosova, Serbia nuk i njeh”, ka shtuar ai.

Kjo sipas tij ka pasoja direkte ekonomike për prodhuesit kosovar.

​Kusari-Lila: Pas 30 ditësh nuk ka argumente për të kontestuar vendosjen e reciprocitetit

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se veprimet e qeverisë së Kosovës lidhur me situatën në veri ishin mirë të koordinuara me ambasadat e QUINT-it dhe KFOR-in. Ajo ka thënë se në raste të tilla duhet besuar veprimet e qeverisë dhe jo sipas saj dezinformatat e atyre që synojnë të destabilizojnë vendin.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila ka thënë se vendimi i qeverisë për të shtyrë zbatimin e marrëveshjes për 30 ditë është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë ndërsa pas një muaji nuk ka më argumente që të konstatohet vendosja e reciprocitetit.

Kusari-Lila: Pas 30 ditësh nuk ka më argumente për të kontestuar vendosjen e reciprocitetit

“Koordinimi i veprimit nga ana e institucioneve të vendit, nga presidenca, qeveria dhe organet e rendit me të gjithë akterët ndërkombëtarë solli vendimin për shtyrjen e zbatimit të mëparshëm për 30 ditë, pas së cilit afat nuk ka argumente apo hapësirë për të kontestuar vendosjen e reciprocitetit në marrëveshje të nënshkruar vite më parë në Bruksel. Megjithatë duket se jo gjithmonë, përkundër deklaratave duam të kuptojmë realitetin apo vlerësojmë suksesin e qeverisë në zgjidhjen e problemeve shumë vjeçare në Kosovë, deklaratat e menjëhershme të udhëheqësve të partive opozitare në Kosovë, pas vendimit të përbashkët të qeverisë për shtyrje, kinse veprimi nuk ishte i koordinuar me faktorin ndërkombëtar, se veriu është i pa menaxhueshem apo se shteti nuk është eksperiment, të krijojnë bindjen se ata ishin duke pritur një dështim të ndodhte dhe këta do të kishin mundësinë të na tregonin se qeveria e presidenca nuk e dinin çfarë të bënin.

Ajo ka ftuar opozitën që të besojë veprimet e qeverisë në raste të tilla dhe jo sipas saj dezinformatat.

Kusari-Lila: Betejat e brendshme politike të bazuara në dezinformata dëmtojnë sigurinë e vendit

“Betejat politike të brendshme të cilat japin ndjesinë se po i bëjmë mirë demokracisë, kur bazohen në dezinformata jo vetëm nuk forcojnë demokracinë por situatën e lartcekur dëmtojnë sigurinë e vendit. Tani kur qeveria vendosë për veprimin e duhur në raport me ligjshmërinë në vend duhet të jenë veprimet e qeverisë që duhet besuar e jo atyre që duan të destabilizojnë vendin në çdo kusht”, ka thënë ajo. 

Haradinaj ironizon me Kurtin në Kuvend për ngjarjet në veri

Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, në seancën e kuvendit e ka quajtur kryeministrin Kurti si djalë të mirë në gjuhën angleze.

Haradinaj ka thënë se Kurti fillimisht e ka bërë të fortin, por tani po zmbrapset nga veprimet.

“Në VV po e shoh se janë të ekzaltuar se ndërkombëtarët po e lavdojnë kryeministrin qeverinë se kryeministri i tyre është bë “good guy”, vërtetë është bërë “good guy” Albin Kurti “he is a good guy now”, por është një problem tash mas këtij “good guy” dhe ju duhet me analizu pak, sikur të ish nis gjatë gjithë kohës si “djal i mirë” s’ka dert por është nisë si i forti edhe u mundu me ia ndërtu do pozicione vendit të vet qe ku ka përfundu “good guy” shko para kthehu mbrapa kur dojnë cka ti thojnë dhe a e din kush Lajcaku, Vuçiqi e thirr Lajcakun e Lajcaku e gjen kon me thirr e këtij i thonë “step back”, a kemi me zgjidh situatën në veri i dashtun “good guy””, tha Haradinaj.

Ai u shpreh se Kurti duhet t’i rrisë rrogat e policëve që do t’i dërgojë në veri.

“Dijeni se ky është qorrsokak, mundemi me dalë prej kësaj situate kryeministri jonë pa u bo meniher “problematic guy” vec t’i kryjnë do punë të shpisë, e duhet me i rritë rrogat policëve që ka me i cu në veri, ky s’osht ka e merr vesh që njerzt osht kah i con në veri e vet rrin në jug.  Pse po ja them këto fjalë sot, sepse vjen 1 shtatori shpejt e është marre Kosova sa herë të niset me u kthy mbrapa, vetëm në kohën e VV-së jemi kthy mbrapa”, tha Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat