Ka disa ditë, që po përfolen emra, të cilët po thuhet se do të heqin dorë nga koalicioni qeverisës, për t’iu bashkuar opozitës.
Në parim, këto lëvizje janë normale, pavarësisht se çfarë ndryshimesh apo edhe pasojash mund të sjellin.
Por, kur përfolet se këtij apo asaj deputeteje i janë ofruar shuma parash për ta marrë pajtimin, që ta braktis koalicionin jemi para një krimi kritik, penal të rëndë, që gjithmonë rrezikon të prodhojë pasoja për shoqërinë.
Para se ta shqyrtojmë më tej këtë çështje, duhet që të përkujtojmë njëlloj historie të rasteve të braktisjeve të partive, koalicioneve, kalimeve nga një grup në tjetrin, për të parë nëse lidhet me moralitetin apo edhe normalitetin e sjelljes politike dhe njerëzore.
Rasti Shala
Dy nga rastet më eklatante, njërin prej të cilit publiku ende nuk e ka harruar është vota e Haxhi Shalës - “Topit” (komandant bile) për qeverinë Hoti. Qeveria Hoti u zgjodh me 3 qershor të vitit 2020, me 61 vota të Kuvendit të Kosovës, ndërsa 24 ishin kundër, një abstenim, dhe në seancë ishin 86 deputetë.
Edhe atëherë u tha, dhe në shumë media u kalua se arsyeja ka qenë edhe një ofertë e majme parash. Dy ‘administratorët’ kryesor të procesit qenë, Thaçi dhe Haradinaj.
Çështja shkoi në kushtetuese, dhe vota e tij, si dhe e një deputeti nga pakicat u bë subjekt hetimi.
Por, për votën e Shalës, nuk mund të konstatohej nëse ishte shkelje kushtetuese, por gjithsesi ajo nuk u hetua nga prokuroria, edhe pse nuk munguan thirrjet publike, që ajo ta niste një hetim.
Një përfitim tjetër i provuar, ishte se Presidenti i kohës, Hashim Thaçi e kishte dekretuar menjëherë, pas pazarit, Thaçi-Haradinaj-Shala, të birin e Haxhisë, Flakron Shalën, Konsull të Përgjithshëm në Republikën e Çekisë, në Pragë.
Vota e tij ishte vendimtare, pa të cilën dukej e pamundur një qeveri e atillë, e udhëhequr nga Hoti!
Por, në fund rezultoi e paligjshme vota e një deputeti të pakicave. Vota e Ethem Arifit, nga radhët e pakicave qe kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, i cili ishte i dënuar me vendim të prerë të gjykatës. Ajo doli të jetë e pavlefshme, kështu që u rrëzua qeveria Hoti.
Një rast tjetër më eklatant është kur Hashim Thaçi, duhej të zgjidhej president. Në atë rast thuhet se është përdorur forca e detyrimit, që një deputet i pakicave të merrte pjesë në seancë, qoftë për të siguruar kuorumin, qoftë votën.
“Shitblerja” e tre e më shumë deputetëve!
Një nga të parët që e dha lajmin se janë disa deputetë që mund ta braktisin koalicionin ishte, Arben Gashi deputet i LDK-së, i cili fliste për tetë veta ‘të pakënaqur’ në koalicion!
Më pas vijuan deputet si Bekim Haxhiu - Kamishi, që fliste për katër deputetë, e të tjerë.
Nisur nga kjo paradigmë, se një numër deputetësh ‘të pakënaqur’ do ta braktisin shumicën parlamentare, zuri vend ideja për ‘rrëzimin e Qeverisë’.
Rrëzimin e saj në vjeshtë, e paralajmëruan po ashtu deputetë të PDK-së, LDK-së e deri tek Lista serbe.
Qëllimi i parë, duke se është, që koalicioni aktual, LVV-Guxo, ta humb shumicën qeverisëse. Dhe kjo do të mund të arrihej, me largimin e disa deputetëve të koalicionit dhe më pas të daljes nga koalicioni të disa deputetëve të pakicave.
Situata aktuale në Kuvend
Koalicioni aktualisht i ka 58 deputetë, ndërsa si grup parlamentar i ka 59, ndërsa shumicën e krijon me deputetët e pakicave të tjera, të cilat e kanë të formuar një grup parlamentar prej 8 deputetësh, një është i pavarur, dhe një tjetër i është bashkuar Listës serbe.
Grupi i PDK-së i ka 18 deputetë, i LDK-së 15 dhe i AAK-së vetëm 8.
Në koalicion formalisht sipas Kushtetutës është edhe Lista serbe, por ajo ka paralajmëruar se nëse kërkohet mosbesimi ndaj qeverisë ajo me 11 vota do ta mbështesë rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Në këto rrethana aktuale, nëse largohen tre deputetë nga Grupi i Vetëvendosjes, mbeten 56 veta, dhe 8 nga grupi i pakicave, që nënkupton se efektivisht shumica qeverisëse të ketë 64 deputetë. Por, nga këta tetë deputetë të pakicave, sa prej tyre do t’i qëndronin tundimit të parave, presionit, shantazhit ndaj tyre?
Pra, nëse largohen tre deputetë në një kohë të shkurtër, shumica aktuale qeverisëse kthehet në një shumicë të brishtë!
Rrezikim i sigurisë nacionale
Situata nëpër të cilën po kalon Kosova, nuk është e favorshme për eksperimentime të tilla qeverisëse, dhe të durojë edhe korruptimin e deputetëve, ndërsa Serbia po provokon në veri, e bëri të qartë të dielën se don dhe mund ta destabilizojë veriun nëpërmjet bandave serbe që i kontrollon, dhe të cilat i detyrojnë serbët e atjeshëm të bëhen pjesë e tyre, në emër të gënjeshtrave dhe propagandës.
Pra, në këtë kontekst, shitblerja e votës së deputetëve është krim i dyfishtë, si nga ata që i paguajnë apo i shpërblejnë deputetët, edhe nga ata që vetshiten!
Në rrethana të tjera mund të kishte këndvështrime të tjera, por lëvizja nëpërmjet korrupsionit është trishtim i përhershëm!
Pra, tash kjo furi e re, që bëhet me shitje vote, ‘blerje’ të deputetëve nga së paku tre sa argumentohet aktualisht, një nga pakicat, një nga LVV dhe një nga Lista Guxo, duhet të hetohet nga prokuroria.
Edhe kjo situatë po tregon pandëshkueshmërinë e gjatë në një nga shtyllat kryesore të demokracisë, tempullin e saj, në Kuvendin e Republikës.
Përveç se është e papranueshme si akt moral, kjo është një vepër kriminale e rëndë, që duhet ndëshkuar.
Ndarjet partiake, edhe pse as ato nuk lënë shije të ëmbël, por shpesh të hidhur, si ndarja e parë e LDK-së, ndarja e PDK-së (NISMA), ndarja e Vetëvendosjes e të tjera raste, kanë një karakter tjetër, dhe janë pasojë edhe e zhvillimit të përplasjeve, ku një grup fillon të besojë apo të ndërtojë koncepte të ndryshme. Natyrisht që edhe ato raste kanë rëndësi të ndriçohen si nga historianët, ashtu edhe nga hulumtues të tjerë, por nuk kanë karakter të drejtpërdrejtë të përfitimit personal, pavarësisht që disa aktorë politikë e kanë bërë këtë në të gjitha rastet e përmendura. Por, është një rrjedhojë më e gjerë dhe më e ndërlikuar, dhe madje që në disa raste, si ndarja e LDK-së (2006), ka prodhuar pasoja për vetë partinë, por ndoshta më shumë për Kosovën.