Hashim Thaçin po e kërkon Riçard Grenelli - Riki, që të kthehet në Kosovë, bashkë me ata qindra shqiptarë, që ai i veshi me pushtet, dhe të cilët, ndihen gjithnjë e më të rrezikuar nëse do të mund të zbatohej ligji dhe rendi, sepse nuk besojnë se janë në vendet meritore.
Ishte dita e diel, kur serbët organizuan bllokimin e rrugëve, alarmuan në vazhdimësi për një mobilizim të detyrueshëm, dhe në fund, qeveria edhe nën ndikimin e SHBA-ve, vendosi për shtyrjen e zbatimit të dy vendimeve, targave të Serbisë dhe zëvendësimit të dokumenteve me një dëshmi, për të hyrë në Kosovë.
Ndaj kësaj situate panoramike, reagoi ish i dërguari i SHBA-ve për Kosovën, Riçard Grenell, duke e shpallur përveç se të dështuar dhe fashist kryeministrin Kurti, kërkoi lirimin e Hashim Thaçit nga gjykata speciale, pasi sipas tij është njeriu i duhur për ta zgjidhur situatën, dhe po ashtu si një të kërkuar të shqiptarëve.
Kësaj kërkese të tij, ju dha jehonë, aq sa u duk sikur mbështetësit e Thaçit e ndjenin, sikur vërtetë mund të realizohej.
Përtej kësaj, duket se ka një nismë tjetër.
Mes thirrjesh, deri në ulërima e ‘krrokama’ se Hashim Thaçi i duhet Kosovës në këto momente, pavarësisht argumenteve të panumërta, se pse nëse ai do të kishte pushtet do të ishte e dëmshme për Kosovën, ka pëshpërima të tjera, që nuk dëgjohen, dhe që veprojnë, me shpresë t’ju vie lideri i SHIK-ut, Kadri Veseli.
Situata
Kadri Veseli, bashkë me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, akuzohen se janë pjesë e një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, e cila akuzohet për krime lufte, mes tjerash për vrasjen e shqiptarëve kundërshtarë politik. Përveç se bazohet në akuzat paraprake, vendimi ka marrë parasysh edhe akuzat e reja të bëra nga Prokuroria.
“Gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se në vendimin e konfirmimit ishte konstatuar se në bazë të nenit 39(2) të Ligjit ekziston një bazë e mirë dyshimi se Z. Veseli është penalisht përgjegjës për një sërë krimesh kundër njerëzimit (persekutim, burgim, akte të tjera çnjerëzore, tortura, vrasje dhe zhdukja me forcë) dhe krime të luftës (paraburgimi arbitrar, trajtimi mizor, tortura dhe vrasje) sipas neneve 13, 14(1)(c) dhe 16(1)(a) të ligjit. Për më tepër, një dyshim i bazuar është krijuar edhe në lidhje me akuzat e reja të ngritura nga ZPS kundër Z. Veseli me të kërkuar ndryshime në aktakuzë. Këto konstatime janë bërë në bazë të një standardi që tejkalon pragun e dyshimit të bazuar që kërkohet”, thuhet në arsyetimin e vendimit të gjykatës speciale të 26 korrikut.
Në kërkesën e fundit të mbrojtjes për lirimin me kusht të Kadri Veselit, përkatësisht nga paraburgimi, sikurse Prokuroria edhe Gjykata, theksojnë se nëse ai lihet në liri, mund të arratiset nga Kosova. Arratisja e tij argumentohet me fuqinë e ndikimit të tij, me resurset që ka krijuar si shef i SHIK-ut, dhe ndikimit të mëpastajmë.
Sipas gjykatës speciale Veseli mund t’ju shmanget procedurave të gjykatës, pasi ‘ai mund të marr fonde nga struktura të ish-UÇK-së dhe të ikë jashtë vendit’.
Një arsye tjetër që është evidentuar nga gjykata është se ai mund t’i rrezikojë dëshmitarët e mbrojtur. “Z. Veseli ka një aftësi të demonstruar për t’u dhënë udhëzime të përfshirëve me ndërhyrje të mundshme kundër dëshmitarëve të ZPS-së”, thuhet në vendim.
Shqetësimi kryesor i gjykatës për motivin e arratisjes së mundshme të Veselit, është se ai tashmë në bazë të akuzave është i ndërgjegjshëm se mund të dënohet rëndë.
“Pas shqyrtimit të faktorëve dhe rrethanave të përmendura në vendime, duke shqyrtuar paraburgimin e z. Veseli, gjyqtari i procedurës paraprake mbetet i bindur se ato vazhdojnë të ekzistojnë. Në veçanti, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se Z. Veseli është vënë në dijeni për akuzat ndaj tij dhe mundësinë e një të dënimi të rëndë në rast të dënimit”, thuhet në vendim.
Pra, bazuar në situatën juridike të Veselit, sipas vlerësimeve të gjykatës speciale, si është:
a. I rrezikshëm për dëshmitarët
b. Ka qasje në fonde të mëdha nëpërmjet të cilave e siguron arratisjen dhe
c. Ai është i motivuar të arratiset, sepse mund të dënohet shumë.
Akuzat e reja
Më ngritjen e akuzave të reja, Kadri Veseli, Thaçi dhe të tjerët kanë humbur shumë shpresa për lirim, përkatësisht që shpallen të pafajshëm.
Ne ende nuk e dimë kush mund të jenë të dyshuarit në rastin e tij, dhe të arrestuarve të tjerë, në akuzat e reja, por shqiptarët po presin të akuzohen për vrasjet politike, shumë prej të cilave lëndë
Sipas akuzave të reja, të Prokurorisë së speciales në Gjykatën e Hagës, ata akuzohen se kanë urdhëruar vrasjen e të paktën 12 vetave në periudhën 4 korrik 1998 – 29 prill 1999.
Sipas prokurorisë, këta persona janë mbajtur peng në zona të ndryshme në Budakovë dhe Semetishtë.
Duket se për ta fituar një betejë për t’i liruar, si Hashim Thaçin, si Kadri Veselin nga gjykata speciale, duhet ndërhyrje e jashtëzakonshme mbi gjykatën. Autoritetet, mekanizmat apo personalitetet që mund ta bëjnë këtë mund të jenë edhe më të pakta apo inekzistente publike.
Mënyrat tjera të paligjshme, mund të mos jenë të pranueshme apo të zbatueshme, pasi rrezikojnë sigurinë juridike dhe tërë proceset në gjykatën speciale.
Me një ngjarje të tillë do të lëndohej rëndë besueshmëria në këtë gjykatë e shqiptarëve, të cilët duan drejtësi për vrasjet politike, dhe në veçanti për familjet e atyre viktimave.
Sa ishte në SHIK, ai nuk u njoh asnjëherë, por as organizata që e udhëhoqi se ishte në mbrojtje të jetës së shqiptarëve atdhetarë dhe intelektualë. Përkundrazi ata u përndoqën në mënyrë sistematike duke e çuar në rreth 200 veta, numrin e viktimave të dhunës politike, pra të kundërshtarëve politik, kryesisht apo në plotni mbështetës të Rugovës.
Ndërsa, një ish agjent i UDB-së, e ka komprometuar edhe më, Fatmir Sheholli, kur deklaroi se ai kishte punuar në SHIK dhe shef e ka pasur Kadri Veselin.
Pra, bazuar nga vlerësimet e gjykatës speciale, dhe nga infot e ditura për të, një figurë e tillë, vetëm se sa do ta komprometonte luftën e mëtejshme për shtetndërtim.