Kthehet gjenerali gjerman që ishte ballafaquar me barrikadat në veri

Aktuale

Kthehet gjenerali gjerman që ishte ballafaquar me barrikadat në veri

Më: 8 gusht 2022 Në ora: 17:36
Erhard Buhler dhe Bashkim Jashari

Ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler është kthyer në Kosovë. Ai u prit në Prishtinë në takime të ndara me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Ministria e Mbrojtes njoftoi se Jashari dhe Buhler folën kryesisht rreth situatës së sigurisë në vend e më gjerë, ndërsa me ministrin Mehaj u fol për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Partneritetin për Paqe.

“Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari shprehën kënaqësinë për vizitën e Gjeneralit Buhler me të cilin biseduan kryesisht rreth situatës së sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë. Ndërsa, në takim me Ministrin Mehaj dhe Gjeneral Buhler u diskutua për procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në NATO, më konkretisht procesin e anëtarësimit në Partneritetin për Paqe. Më tej, Ministri Mehaj e njoftoi Gjeneral Buhler rreth zhvillimeve dhe proceseve në të cilat po kalon Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes, me ç’rast shprehu falënderimin e tij për gjithë mbështetjen që ka ofruar gjatë kohës sa ka qenë në pozitën e Komandantit të KFOR-it dhe për mbështetjen që është duke na ofruar edhe tani”, njoftoi ministria.

Buhler ishte ballafaquar vet me situatën e para një jave në veri të vendit, kur ishte komandant i KFOR-it në Kosovë. Barrikada ishin vendosur edhe gjatë kohës së tij, ndërsa ai thoshte në vitin 2011 se “KFOR-i është i gatshëm dhe në gjendje të përballet me të gjitha sfidat në Kosovë”.

Në gusht të vitit 2011, Erhard Bühler kishte arritur një marrëveshje me zyrtarët e qeverisë serbe për zhbllokimin e rrugëve në veri të Kosovës.

Largimi i protestuesve serbë nga barrikada në Rudarë ishte parakusht për takimin e komandantit të KFOR-it Erhard Bühler me shefin e ekipit negociator për bisedime me Kosovën, Borislav Stefanoviq, i cili kishte kërkuar nga protestuesit që ta mundësojnë kalimin e lirë të ushtarëve të KFOR-it.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat