Gruan e dhunuan, ia prenë gjinjtë, e vranë e dogjën..., burrit ia thyen kokën... / Sot vetëm një varr e kanë

Aktuale

Gruan e dhunuan, ia prenë gjinjtë, e vranë e dogjën..., burrit ia thyen kokën... / Sot vetëm një varr e kanë

Nga: Idriz Morina Më: 9 gusht 2022 Në ora: 11:52
Pllaka përkujtimore e bashkëshortëve Frrokaj, por Tushi ka mbetur me varr të zbrazët!

Jehonin këngët dhe përcilleshin me vallet shqipe, në mesin e të cilëve shquhej një grup me veshje kombëtare, ditën e fundit të këtij korriku përplot vapë.

Të gjithë të ftuarit sikur donin që këtë natë ta bënin sa më të paharrueshme.

Dukej se asgjë nuk mungonte dhe se nuk kishte asnjë gjë që mund ta prishte këtë dasmë.

Motrat ishin aty, xhaxhai, kushërinjtë e kushërirat, dhe qindra mysafirë, që po e bënin ahengun krejtësisht të veçantë.

E vetmja gjë që mund të mos shkonte ishin kujtimet. Ato nuk mund të ndryshonin, dhe të mos ia kujtonin të motrave, ngjarjen tepër tragjike të luftës.

Lexojeni edhe këtë: 

Kjo ishte dasma e Jozefit. Ishte vetëm një vjeç, kur një ditë vere e lanë në shtëpi atë me tri motrat e tij, pa e menduar kurrë se mund t’i gjente ai fat i lig, që e pllakosi atë familje.

Ngjarja ndodhi një ditë gushti, 24 vjet më parë. Tushi, babai dhe nëna Ilire, u nisën me shpresë që kjo e fundit ta gjente motrën e vet diku në Lugun e Beranit, me mendimin që atë ta shpëtonte nga lufta, pasi besonte se atje ishte shumë më e rrezikuar se ku jetonte çifti, në Plançor.

Por, ndërsa ajo po përpiqej dhe po e mendonte se si të arrinte tek motra, pa u rrezikuar nga forcat serbe, ajo bashkë me burrin do të arrestoheshin nga forcat shqiptare.

Jozef Frrokaj, as që e dinte atëherë se çfarë ndodhi, dhe fatkeqësisht shumë nga gjërat mund të mos i merrte vesh kurrë, mbase sikur, t’mos i përkujtonim ne.

Ne se kishim idenë se ku jetonte Josefi as si, dhe po ashtu nuk dinim asgjë për motrat e tij, se si mbijetoi ajo familje, kush ju ndihmoi.

Por, një gjë është e sigurt, se Jozefin, pas krimit makabër, e mori xhaxhai i tij në Zvicër, dhe atje e rriti.

Por, për dasmë, të gjithë u kujdesën që të vinin në atdhe, në shtëpi, pranë familjes, shtëpisë dhe varrit të prindërve, në ditët e fundit të korrikut që shkoi.

Një nga familjarët jo të largët, pasi kishte lexuar shkrimin tonë të botuar, pranoi të flasë dhe të plotësojë disa nga informacionet e shkrimit tonë të asaj dite.

Në fakt, intervista-biseda është bërë një ditë pas botimit të shkrimit, por për shkak se e kuptuam se Jozefi do të martohej të nesërmen, unë hoqa dorë nga botimi i menjëhershëm i pjesës së dytë. Doja të shpresoja që të paktën Josefi të mos e kishte lexuar, jo para dasmës së tij, të pritur me aq shumë mall nga më të dashurit e tij, të gjallë.

Në fakt, sipas ndjesisë sime, unë nuk do ta kisha botuar as pjesën e parë, por nuk kisha asnjë informacion për familjen e ngushtë Frrokaj, sepse rrëfyesi nuk kishte lidhje familjare me ta.

Familja, përkatësisht trashëgimtarët e Tush dhe Ilire Frrokajt, kishin shkuar në Zvicër të jetonin, pasi kishin dalur të gjithë nga Kosova, gjatë bombardimeve, kohë kur rreth një milion shqiptar u dëbuan nga Kosova prej forcave të Millosheviçit.

Image
Varri i bashkëshortëve Ilire dhe Tush Frrokaj. A do të ketë drejtësi për ata?

Ekzekutimi

Tush Tun Frrokaj (29.08.1961-26.08.1998) dhe Ilire Mark Frrokaj (25.05.1967-26.08.1998) u ndaluan nga pjesëtarë të UÇK-së, në Zonën e Dukagjinit, pastaj pas një akuze të pakuptimtë, u rrahën, u torturuan, zonja u dhunua, i hapeshin varrë edhe në gjinj me mjete të ftohta, dhe më pas u ekzekutuan që të dy. Gruas pas ekzekutimit i qe djegur trupi, ndërsa si burrit edhe gruas i qe thyer koka. Tushit vetëm një pjesë eshtrash i qenë gjetur, aq sa varri i tij, besohet se është i zbrazët.

Tribunali i Hagës, nuk kishte arritur ta zbardhte tragjedinë, se kush ishin fajtorët apo autorët e drejtpërdrejt.

“Trupi i Ilire Frrokajt zbuloi praninë e një predhe në njërën këmbë, thyerje të shumta kockash, mes të cilave thyerje të kafkës dhe dëshmi të djegies së trupit. Trupi i Tush Frrokajt zbuloi një thyerje të kafkës”, thuhet në përshkrimin e Aktakuzës së Tribunalit të Hagës për trupat e dy viktimave, që ishin gjetur në kanalin e Radoniqit.

Së bashku me trupat e tyre nën rrjedhën e kanalit të liqenit të Radoniqit, qe gjetur edhe vetura e tyre, e cila kishte disa vrima plumbash.

Në Tribunal përmendet se një komandant lokal, kishte bërë përpjekje të merrte vesh se çfarë kishte ndodhur me bashkëshortët Frrokaj. Ky ishte Ardian Kurti, i ndjerë, komandant lokal i UÇK-së në Gramaqel, në rrugën që çifti i zhdukur e kishte përshkuar, por menjëherë më pas, sipas Tribunalit, ishte kërcënuar me jetë se do të pësonte sikur ata.

Rrëfimi

“Të afërm i kam pasur. Tushi dhe Ilira kanë lënë tri vajza dhe një djalë, 1 vjeçar, kur u vranë”, rrëfen ky njohës i familjes që pësoi tragjedinë.

“Fëmijët e tij i ka marrë vëllai i tij nga Shqipëria në Zvicër, gjatë bombardimeve, dhe vazhdojnë të jetojnë në Zvicër.

“Ndërsa, ky Ardian Kurti që përmendet në Tribunal, ishte katolik nga Dubrava, fshat afër Gllogjanit, të Ramushit”, na thotë ky burim.

“Tushi ka mund me pasë miell edhe nëse e gjenë baxhanakin, me ja lënë në fshatin Nepole. Këta kanë mund me ju kap, po donë me na helmu”.

- “Ai s’ka pasë gjë me UÇK në fakt. Por, ka kaluar në kohë të pakohë”.

- “Ishin dëshmitarë me rëndësi ata në Tribunal, që të dy ish-ushtarë të UÇK-së”, thotë ai.

I pyetur për trupin e Tushit, meqë në Tribunal jepet vetëm informacioni se e kishte kafkën të thyer, nëse edhe trupi i tij ishte djegur, ky burim nuk di më shumë, por jep një detaj të panjohur.

- “Mendoj se te çështja e kafkës së thyer është me rëndësi. Kjo sepse vetëm një pjesë e trupit të Tushit apo shumë pak është varrosur. Më pas i mori edhe ato eshtra UNMIK-u, por kurrë s’ka kthyer asgjë”, thotë ky.

- “Mbeti pa varr Tushi ynë”!

E Ilira?, e pyesim ne.

- “Po, po aty e ka trupin, eshtrat”.

Ilira ishte e djegur?

- “Mbase po. Kështu kemi dëgjuar, edhe në atë kohë”!

Për dhunimin a patët dëgjuar?

- “Diçka po. Kështu ka thënë dikush nga ushtarët”.

A kanë pasur shkollim Ilirja e Tushi?

- “Ilira se di, por ka punuar në fabrikën “Emin Duraku”! E Tushi jo, ka punuar në Zvicër, punë sezonale. Dhe qe kthyer, se nuk vazhduan garancionet pas luftës në Kroaci”, thotë ai.

Po fëmijët, si jetojnë sot, janë të martuar?

- “Po, bash djali i vetëm që e ka lënë. Martohet”.

“E ka marrë axha në Zvicër, gjatë luftës, dhe e ka rrit”.

Emrat si i kanë fëmijët?

- “Liridona, Ilirida, Ermelinda dhe Jozef djali”.

A janë të martuar të gjithë fëmijët?

- “Po shiko, vajzat janë martuar të gjitha, edhe djali po martohet nesër.”

Atje në Zvicër të gjithë jetojnë a?

- “Po në Zvicër, sa e di unë janë të gjithë. Ky djali asht rritur te axha, Pjetër Frrokaj. Mirë, se po e marton se ka një sëmundje”.

A kanë qenë Tusha apo Ilirja aktivist të LDK-së?

- “Jo s’kanë pas ndonjë aktivitet politik, fare. Realisht LDK kemi qenë të gjithë. Por, Tushi ka kaluar nëpër UÇK kohë pas kohe. Aty kanë mund me sajuar, se gjoja po "spiunon" ose kanë sajuar ndonjë gjë tjetër”.

- “Po LDK ishim të gjithë. Nëse ka pasë tendencë me saju ndonjë gjë, kanë thënë, ju LDK-ja s’po hyni në luftë. Ta zëmë.”

Ai e rrëfen pak më në detaje, shkakun e udhëtimit fatal për çiftin Frrokaj.

- “Edhe më keq ky për siguri e ka marrë gruan, për me shkuar te baxhanaku, se ka dëgjuar se i kanë dëbuar Nepolen në Lug të Baranit, dhe ideja ishte me i marrë e me i sjellë në Plançor, si zonë ma e qetë që ishte për momentin.

- “Por, ka mundësi të ketë pasur atë ditë miell në bagazh, ndoshta”.

- “Ideja nëse i gjen në shpi, me ju dërguar miell. Atë ditë me makinë me gruan ka qenë”

- “Nëse e kanë dëbuar atë familje, ka qenë ideja me e marrë e me e sjellë këndej”.

I pyetur nëse dërgonte ndihma si miell, ai e pohon si mundësi.

- “Po Tushi e ka pasur një lidhje me dikend në UÇK. Ka mund në atë kohë me ju dërguar miell nga rrugët anësore.

- “Me dikë aty ka pasur një lidhje. Thonë se ka dërguar miell e naftë, rrugëve anësore”, thotë ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat