Në kuadër të 26 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës janë organizuar aktivitete të shumta me fokus në angazhimin dhe bashkëpunimin me fëmijë dhe të rinj. Aktivitetet gjatë ditës do të zhvillohen në disa qytete dhe do të përfshijnë pjesëmarrjen e fëmijëve, rinisë, si dhe pjesëtarëve të njësive speciale.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve është forcimi i marrëdhënieve ndërmjet Policisë dhe komunitetit, si dhe rritja e ndërgjegjësimit për sigurinë dhe rolin e rëndësishëm që ka Policia në mbrojtjen e qytetarëve.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës, Sami Halimi, tha se në të gjitha stacionet dhe njësitë po mbahen aktivitete për të shënuar këtë ditë.
Halimi: Në të gjitha stacionet e Policisë së Kosovës organizohet Porta e Hapur
“Në kuadër të 26 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, në të gjitha njësitë, stacionet e Policisë së Kosovës organizohet Porta e Hapur ku realizohen vizita të ndryshme nga kategori të ndryshme të shoqërisë. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Policia organizon edhe manifestime sikurse sot në kuadër të stacionit Qendra, është organizuar manifestimi në sheshin Zahir Pajaziti, aktivitete me fëmijë, aktivitete me qytetarë të ndryshëm, biseda me ta poashtu organizohen edhe manifestime të tjera sportive si sot që do të zhvillohet ndeshja sportive mes Policisë së Shqipërisë dhe Policisë së Kosovës, aktivitet i cili mbahet në sallën e pallatit të rinisë.”
Aktivitete për fëmijë u mbajtën edhe në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.
Jona Fazliu tha se ju uron Policisë ditën e tyre.
Fazliu: Policia na mbron gjithmonë
"Unë po ju uroj të gjithë policëve ditën e Policisë sepse ata na kanë mbrojtur çdo herë kur kemi pasur nevojë dhe na kanë mbrojtur pronat tona, sot po bëjmë aktivitete të ndryshme si për shembull na kanë dhënë libra falas dhe gjera të tjera. Unë po kaloj shkëlqyeshëm”, tha ajo.
Kurse, Amelia Halili tha se Policia e Kosovës i ka mësuar shumë përgjatë aktivitetit të sotëm.
Halili: E falënderoj shumë Policinë e Kosovës sepse na kanë mësuar shumë gjëra
“Unë e falënderoj shumë Policinë e Kosovës, na kanë treguar shumë gjëra, për shembull kur kemi nevojë për ndihmën e Policisë dhe të ambulancës, kemi bërë shumë aktivitete, na kanë dhënë shumë dhurata dhe ka qenë shumë bukur sot. Unë po kaloj shumë bukur”, tha ajo.
Edhe Eris Hasani u shpreh se shpreson që policët e Kosovës ta festojnë sa më mirë këtë ditë.
Hasani: Shpresoj që policët e Kosovës e festojnë shumë bukur këtë ditë të bukur
“Unë këtu jam duke u kënaqur dhe këtu ka shumë aktivitete dhe dhurata të bukura. Shpresoj që policët e Kosovës sonë e festojnë shumë bukur këtë festë të bukur dhe të mirë”, tha ai.
Ndërkaq, Hare Pllana u shpreh se i pëlqen të bëhet police.
Pllana: Mua më pëlqen të bëhem police
“Unë sot po kënaqem këtu duke i shikuar Policinë. Sot kemi bërë aktivitete të ndryshme në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, kemi shikuar valle, Policinë e të tjera. Prindërit më thonë se kur të rritesh shpresojmë të jesh e suksesshme si policët e tjerë këtu. Mua më pëlqen të bëhem police por nuk jam ende e sigurt, ndoshta do të bëhem një arkitekte e suksesshme”, tha ajo.
Në anën tjetër, mësuesja e shkollës “Qamil Batalli”, Suzana Xhemajli tregoi se si janë organizuar nxënësit e shkollës për të marrë pjesë në këtë manifestim, njëkohësisht duke i bërë thirrje Policisë që të ftojë edhe më shumë shkolla përgjatë viteve në vazhdim.
Xhemajli: Kemi përgatitur dy këngë për shënimin e Ditës së Policisë
“E gjitha kjo ka filluar me ftesë të Policisë së Kosovës dhe ne filluam përgatitjet. Filluam me kartolina dhe me thënie të cilat fëmijët i kanë punuar vetë, një nxënëse edhe në pëlhurë ka paraqitur ëndrrën e saj se si dëshiron të bëhet police, kemi përgatitur dy këngë, një në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën angleze si dhe kemi recituar himnin. Fëmijët, si gjithmonë janë entuziastë për të parë gjëra të reja dhe kënaqen, pse jo tjetër here i bëj thirrje Policisë të thërras edhe më shumë sepse edhe ne të rriturit jemi kënaqur”
Kjo nismë është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve me komunitetin dhe promovimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët.