Paul Williams përfundon dëshminë në Hagë

Aktuale

Paul Williams përfundon dëshminë në Hagë

Më: 18 shtator 2025 Në ora: 07:22 Përditësuar në ora: 13:20 më 18.09.2025
Paul Williams

Paul Williams përfundon dëshminë në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka përfunduar dëshminë Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje.

Dëshmia e Williams zgjati një ditë e gjysmë, ku tha se në cilësinë e këshilltarit juridik kishte punuar pa pagesë për delegacionin kosovar gjatë punimeve për marrëveshjen e Rambujesë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjatë fundit të dëshmisë së tij, ai u mor në pyetje edhe nga mbrojtja e Jakup Krasniqit pasi pati pyetje shtesë.

Ndryshe, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq tha se nuk do të kenë dëhsmitarë tjetër për sot. Ndërsa, për javën e ardhshme do të jetë vetëm një, e që dëshmia e tij pritet të zgjasë deri të mërkurën në mëngjes.

Me kaq përfundoi seanca e sotme për të vazhduar të hënën me dëshmitarin e tretë të mbrojtjes.

Williams thotë se Bukoshi po përpiqej të krijonte FARK-un

Dëshmitari Paul Williams tha në Hagë se kryeministri i atëhershëm i Qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi përpiqej të krijonte Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

Këtë deklarim, dëshmitari e bëri duke u përgjigjur në pyetjet shtesë të mbrojtjes së Hashim Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë e dija se kryeministri Bukoshi përpiqej të krijone FARK-un bazuar fillimisht në Shqipëri që përbëhej nga oficerë shqiptarë ose oficerë që kishin shërbyer në Forcat Ushtarake të Jugosllavisë”, tha ai.

Dëshmitari tha se Bukoshi s’i ka kërkuar kurrë këshillë lidhur me FARK-un që ishte një iniciativë e LDK-së për të krijuar një krah lufte.

“Bujar Bukoshi nuk më ka kërkuar kurrë konkretisht këshillë lidhur me FARK-un, por në bisedat tona me Bukoshin dhe ato me diasporën shqiptaro-amerikane ishte pjesë e bisedave që ekzistonte. Ishte pjesë e tensionit të thellë. Ishte ndërmarrje e re e LDK-së për të krijuar një krah të armatosur.

Sipas asaj që e ka kuptuar, Williams tha që FARK-u do të ishte aktor shtesë i armatosur joshtetëror që për rrjedhojë do e mënjanonte UÇK-në.

“FARK-u do të ishte aktor shtesë i armatosur joshtetëror i cili do të luftonte në emër të popullit të Kosovës. Duke qenë se do të ishte më profesionist, duke qenë se përbëhej nga oficerë të ish-ushtrisë jugosllave dhe kishte gjasa që të bëhej aktori më efikas dhe efektiv i armatosur joshtetëror dhe për rrjedhojë do të mënjanonte UÇK-në”, tha ai.

Dëshmitarin e mori në pyetje edhe gjyqtari Fergal Gaynor, i cili u fokusua tek roli i Thaçit gjatë periudhës së negociatave në Rambuje.

Williams: Ishte e qartë si drita e diellit që komandatët e zonave duhej bërë pjesë e procesit, Thaçi s’e kishte autoritetin që të vendoste vetë

Dëshmitari Paul Williams tha në Hagë se Hashim Thaçi nuk e kishte autoritetin që të vendoste vetë.

Madje, ai tha që ka realizuar takime edhe me Adem Demaçin i cili ishte kundër marrëveshjes nëse nuk përmendej pavarësia, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përveç kësaj, ai tha se u bë e qartë se komandantët e zonave duhej të bëheshin pjesë e procesit.

“U bë e qartë si drita e diellit se komandantët e zonës duheshin të bëheshin pjesë e procesit”, u shpreh Williams.

Ai gjithashtu theksoi se brenda objektit ku mbaheshin punimet e marrëveshjes së Rambujesë, ishte e pamundur që të përcaktohej statusi i ardhshëm i Kosovës.

“Brenda përbrenda kështjellës ishte e pamundur që të përcaktohej statusi i ardhshëm i Kosovës”, tha Williams.

Williams: Bukoshi hezitonte të jepte fonde për UÇK-në, ishin destinuar për diçka tjetër

Paul Williams deklaroi se Bujar Bukoshi hezitonte që të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në nga burimet që janë mbledhur nga diaspora, pasi ishin destinuar për diçka tjetër.

“Bujar Bukoshi hezitonte të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në”, tha Williams, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai shtoi se Bukoshi kishte thënë se këto para ishin destinuar për fuqizimin e arsimit paralel dhe kujdesit paralel shëndetësor.

“Burimet që kishte mbledhur diaspora ishin të kushtëzuara. Ishin mbledhur që të financonin sistemin paralel në Kosovë dhe të financonin kujdesin shëndetësor paralel. Ai më ka thanë që ka dy probleme: I kemi mbledhë këto para nga diaspora për shëndetësinë dhe për arsimin dhe këtu duam t’i shpenzojmë dhe besoj që i përdornin edhe për disa nga refugjatët. Së dyti: nëse doni para për armë, ka forma të tjera për ta bërë këtë dhe përfundimisht në fakt e gjetën një zgjidhje”, tha Williams.

Ai tha që sipas Bukoshit këto mjete ishin caktuar për çka të përdoreshin dhe ishte e papërshtatshme të përdoreshin për diçka tjetër.

“Ai hezitonte për shkak të natyrës konkurruese politike dhe fondeve të kushtëzuara dhe mos e merrni kaq të mirëfilltë se është term amerikan. Ishin caktuar për diçka tjetër dhe ishte e papërshtatshme që të përdoreshin për diçka tjetër kur nuk ishin caktuar për atë fushë”, tha ai.

Përpara kësaj, Williams deklaroi se i kujtohet se patën dalë deklarata publike nga udhëheqja e UÇK-së që i bënte thirrje Bukoshit që të jepte fonde për UÇK-në që i kishte në dispozicion.

LDK-ja sipas dëshmitarit ishte shumë efektive për mbledhjen e fondeve e që pjesë e kontrollimit të këtyre fondeve ishte edhe Bukoshi.

Williams po ashtu tha se nuk e di nëse është e vërtetë që Bukoshi s’ka dhënë mjete për UÇK-në.

Atij iu prezantuan edhe deklarata se kinse Bukoshi po i jep paratë për miq dhe për të financuar vrasje, e madje për të financuar dezertorë. Sipas dëshmitarit, përshtypja e tij lidhur me këto pretendime është se nuk janë të vërteta dhe nuk ka informacione mbi to.

Pretendohet se disa nga deklaratat për Bukoshin, kanë dalë nga Jakup Krasniqi.

Williams për UÇK-në: Ishte strukturë mbi baza rurale dhe jo e bazuar në rregulla

Dëshmitari Paul Williams para Gjykatës Speciale deklaroi të enjten se Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte një strukturë mbi baza rurale dhe jo duke u bazuar në rregulla.

Fillimisht, dëshmitari pohoi se Hashim Thaçi duhej të merrte miratimin e komandantëve të zonave në Kosovë për të nënshkruar marrëveshjen, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pas kësaj, dëshmitari u pyet nëse ekzistonte ndonjë rregullore që e thoshte këtë.

“Nuk kam qenë në dijeni të kësaj dhe do të isha habitur shumë nëse do të kishte ekzistuar diçka me shkrim dhe është një strukturë mbi baza rurale dhe nuk iu vjen në mendje mendoj ky nivel ndërveprimi dhe do të kishte qenë shumë më normatve, kulturore më shumë autoritet dhe më pak e bazuar në rregulla”, tha dëshmitari.

Williams tregoi edhe për një rast kur ishte fotografuar Thaçi nga një footgraf francez, e që tashmë i akuzuari thuhet që kishte qenë i shqetësuar se mos po vihej në shënjestër nga Serbia.

Williams: Thaçi dhe i gjithë delegacioni kosovar kërkonin pavarësi

Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se Hashim Thaçi dhe i gjithë delegacioni kosovar e kërkonin pavarësinë.

Këtë deklarim, dëshmitari e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christopher Barthe, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Hashim Thaçi dhe do të thoja të gjithë anëtarët e delegacionit shqiptar të Kosovës dhe ekspertët tyre kosovarë, shqiptarë, kërkonin pavarësinë”, tha Williams.

Ai gjithashtu tha se ka kaluar shumë kohë duke iu shpjeguar se si mund të arrihet pavarësia pa u përmendur në marrëveshje.

“Pra, pavarësia ishte e domosdoshme. Kam kaluar shumë kohë duke u shpjeguar rrugën se si mund të arrinin pavarësinë në qoftë se fjala pavërsi nuk shkruhej në marrëveshjen e Rambujesë”, shtoi ai.

Përveç kësaj, dëshmitari tha se Thaçi kishte studiuar në Zvicër dhe përveç kësaj ai nuk ishte një fshatar nga zonat e thella të fshatrave në kuptimin që dinte si të sillej, ishte i qytetëruar.

Paul Williams: Dino Asanaj ishte përfaqësues i Qeverisë së Përkohshme në SHBA

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, edhe të enjten po e vazhdon dëshminë Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Ai deklaroi se Dino Asanaj u bë përfaqësues i Qeverisë së Përkohshmen të Kosovës në SHBA në verë të 1999-ës.

“Duhet të ketë qenë diku nga vera e vitit 1999 pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s”, tha dëshmitari, i cili e nisi dëshminë dje më 17 shtator, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Meqë dje përfundoi me pyetje Prokuroria, për këtë dëshmitar ka vazhduar me pyetje trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe.

Dëshmitari tha se Dino Asanaj mund të jetë emëruar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, por se kush e mori vendimin tha se nuk e di.

Për Dino Asanajn, Williams tha se ishte amerikano-shqiptar i cili i ndihmoi delegacionit kosovar në Rambuje, por ishte i kujdesshëm që të mos anonte nga ndonjë subjekt.

Ndryshe, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq tha se për javën e ardhshme nuk ka ndonjë ndryshim lidhur me listën e dëshmitarëve dhe se do të dërgojnë në ora 16:00 një njoftim për dëshmitarin e radhës.

Gjithashtu palët thanë që nuk kanë ndryshime të kohës për marrjen e këtij dëshmitari në pyetje.

Ndryshe, në sallën e gjyqit teksa po dëgjohet dëshmia e Paul Williams janë të pranishëm të gjithë të akuzuarit.

Dëshmitarët e mbrojtjes filluan të dëshmojnë më 15 shtator. Dëshmitari i parë ishte James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të shtetit i cili dëshmoi më 15, 16 dhe 17 shtator 2025.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /

Paul Williams vazhdon sot dëshminë në Gjykatën Speciale

Dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, Paul Williams, i prezantuar nga mbrojtja si këshilltar ligjor pro bono për delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë në shkurt dhe mars të vitit 1999, vazhdon sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale.

Ndryshe, dje dëshmitari Paul Williams mohoi që trupat gjermane të kenë gjetur 15 të burgosur – përfshirë një person të moshuar, i cili ishte gjetur i lidhur me pranga në një karrige, i rrahur dhe i vdekur – në ish-godinën e MUP-it në Prizren.

Po ashtu, dëshmitari mohoi të ketë pasur ndonjëherë kontakt me Adem Demaçin, dhe tha se nuk e di nëse ky i fundit ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Nuk kam dijeni lidhur me këtë,” deklaroi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat