​Voton Petrit Hajdari

Aktuale

​Voton Petrit Hajdari

Më: 12 tetor 2025 Në ora: 10:43
Petrit Hajdari

Kandidati për kryetarë të Komunës së Drenasit nga radhët e PDK-së, Petrit Hajdari ka votuar sot dhe ka ftuar të gjithë qytetarët të cilët ende nuk e kanë shfrytëzuar këtë drejtë për zgjedhjet lokale.

Gjatë votimit të tij në shkollën “Rilindja” në Dobroshec, Hajdari tha se janë pak minuta për të dhënë votën, por vlen shumë për katër vitet e ardhshme.

Hajdari: Ftoj të gjithë ata të cilët nuk e kanë shfrytëzuar ende këtë të drejtë, të dalin ta shfrytëzojnë

“Kanë filluar jashtëzakonisht mirë qytetarët të dalin. Edhe ne sot e shfrytëzuam të drejtën tonë, janë pak minuta për të dhënë votën tonë, por është shumë për katër vitet e ardhme. Ftoj të gjithë ata të cilët nuk e kanë shfrytëzuar ende këtë të drejtë, të dalin ta shfrytëzojnë sepse vendosin për të ardhmen”, tha Hajdari.

Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.

Votimi përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar dje, më 11 tetor.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5.624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5.419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Vendvotimet u hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Kjo periudhë llogaritet heshtje zgjedhore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat