Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ende nuk ka bërë publike një qëndrim të prerë nëse do të ketë protestë nesër me 1 Maj për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
KP kontaktoj Kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin duke e pyetur nëse do të ketë protestë, por i njëjti nuk ishte i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij teksti.
Ndërkaq nënkryetarja e BSPK-së, Edita Azemi për KosovaPress tha se gjatë ditës do të dalin me një shkresë zyrtare në llogarinë e tyre në Facebook.
Ndërkohë Federata Sindikale e Punëtoreve të Sektorit Privat ka njoftuar se kanë organizuar një protestë paqësore në mbështetje të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat duke filluar nga ora 10:00.
“Protesta do të fillojë në ora 10:00, me vendgrumbullim në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, dhe do të vazhdojë sipas itinerarit të planifikuar deri në hapësirën ndërmjet objektit të ish-Gërmisë dhe ndërtesës së Qeverisë”, njofton Jususf Azemi, kryetar i SPSPK-së.
1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.