​“Jo në emrin tim”, dita e gjashtë e protestës kundër vendimit të Speciales

Aktuale

​“Jo në emrin tim”, dita e gjashtë e protestës kundër vendimit të Speciales

Më: 21 shtator 2026 Në ora: 21:13 Përditësuar në ora: 22:13 më 21.09.2026
Pamje nga protesta

Shpërndahen protestuesit në shesh, përfundon protesta

Ka përfunduar protesta e mbajtur sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku qytetarë të shumtë kundërshtuan vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në protestën e gjashtë me radhë morën pjesë edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, si dhe djali i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Pjesë e protestës ishte edhe gjenerali Kudusi Lama, ndërsa të pranishëm ishin edhe deputeti Nait Hasani, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, si dhe figura të tjera politike.

Protestuesit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së.

Kjo ishte nata e gjashtë e protestave që po mbahen në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Haziri në natën e gjashtë të protestës: Ky shesh nuk kërkon ndarje, ky shesh kërkon bashkim

Për të gjashtën mbrëmje radhazi, qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në mesin e protestuesve ka folur edhe organizatori i protestës, Çlirim Haziri, i cili në fjalimin e tij ka theksuar se tubimet do të vazhdojnë dhe se kërkesat e protestuesve lidhen me veprimin institucional të institucioneve të Kosovës.

Haziri, i cili është edhe djali i një dëshmori të luftës së UÇK-së, ka nisur fjalimin duke iu drejtuar protestuesve si “vëllezër dhe motra”, duke vënë theksin te fakti se kjo ishte nata e gjashtë e protestës.

“Sonte është nata e gjashtë. Gjashtë net këtu, në këtë shesh. Gjashtë net që po vijmë, pa u lodhur, pa u ndalur. Dhe sonte, nga Haga, na erdhi një mesazh. Presidenti Hashim Thaçi, nga atje ku po mbahet, na ka dërguar të fala. Na ka falënderuar për qëndresën tonë në këtë shesh dhe ka thënë se ju, qytetarët që po vini këtu natë pas nate, jeni bërë zë i fuqishëm kundër padrejtësisë”, tha ai.

Duke iu drejtuar Thaçit, Haziri ka thënë se mesazhi i protestuesve ka arritur deri në Hagë, duke përmendur studentët, të rinjtë, familjet e dëshmorëve, veteranët dhe qytetarët që kanë marrë pjesë në protestë.

“President, të kemi dëgjuar! Zëri i këtij sheshi ka mbërritur deri në Hagë. Zëri i studentëve tanë. Zëri i rinisë sonë. Zëri i familjeve të dëshmorëve. Zëri i veteranëve. Zëri i secilit qytetar që për gjashtë net rresht ka ardhur këtu. Dhe ky zë do të vazhdojë të dëgjohet”, u shpreh ai.

Haziri ka deklaruar se protesta, sipas tij, nuk është organizuar për interesa të një partie politike, por për shkak të qëndrimit të protestuesve ndaj UÇK-së dhe historisë së luftës në Kosovë.

“Sepse ne nuk kemi dalë këtu për një parti politike. Nuk kemi dalë për pushtet. Nuk kemi dalë për interesa personale. Kemi dalë sepse besojmë se UÇK-ja dhe historia e luftës sonë janë më të mëdha se secila parti”, shtoi Haziri.

Një pjesë të fjalimit, organizatori ia ka kushtuar kërkesave të protestuesve drejtuar institucioneve të Kosovës. Ai ka përmendur edhe kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Dhe prej ditës së parë kemi pasur kërkesa konkrete. Kemi kërkuar që institucionet e Republikës së Kosovës të mos heshtin. Kemi kërkuar që Kuvendi të veprojë. Kemi kërkuar ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha ai.

Haziri ka komentuar edhe iniciativën e PDK-së për ndryshimin e këtij ligji, duke u bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që, siç ka thënë ai, të veprojnë së bashku, pavarësisht përkatësisë partiake.

“Por dëgjojeni mirë: Kjo nuk është çështje e PDK-së! Kjo nuk është çështje e një partie! Prandaj sonte u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës: Uluni bashkë! Mos e shikoni kush e ka propozuar. Mos e shikoni logon e partisë. Shikojeni kërkesën!”

Sipas Hazirit, qëllimi i protestuesve nuk është marrja e meritave politike, por veprimi institucional.

“Nëse një parti e ka bërë hapin e parë, të tjerat le ta vazhdojnë. Sepse ne nuk kërkojmë se kush do t’i marrë meritat. Ne kërkojmë veprim institucional! Ky shesh nuk kërkon ndarje. Ky shesh kërkon bashkim. Sepse këtu nuk na ka bashkuar partia. Na ka bashkuar UÇK-ja!”, u shpreh tutje ai.

Haziri ka thënë se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa e ka përmbyllur fjalimin me thirrje për Kosovën, UÇK-në, dëshmorët dhe drejtësinë.

“Prandaj vazhdojmë. Me dinjitet. Të bashkuar. Edhe sonte. Edhe nesër.

KOSOVA NUK HARRON!

UÇK NUK ËSHTË VETËM!

LAVDI GJAKUT TË DËSHMORËVE!

LAVDI USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS!

DREJTËSI!”

Ndërkaq, një tjetër folës ishte edhe Trim Syla, i cili foli për rezistencën e shqiptarëve.

“Populli ynë historikisht nuk e ka duruar padrejtësinë. Nuk e ka duruar nënshtrimin. Sa herë që armiqtë tanë kanë menduar se mund të na zhdukin nga faqja e dheut, bijtë dhe bijat e Kosovës kanë rezistuar dhe i kanë dalë zot vendit të vet. Nga ky shesh i lirisë, ky organizim i yni e dëshmon qartë se ne nuk dorëzohemi. Sepse nuk ka gjykatë, nuk ka institucion, nuk ka njeri që mund ta dënojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nuk ka gjykatë që mund ta njollosë pastërtinë e luftës sonë të drejtë për liri dhe pavarësi. Nuk ka gjykatë që mund ta shkelë gjakun e dëshmorëve që dhanë jetën për atdheun tonë”, tha Sylaj.

Krejt njëzëri – Veteranja e luftës, Aida Dërguti udhëheq betimin e ushtarit të UÇK-së

Një atmosferë e zjarrtë dhe emocionuese ka mbizotëruar në sheshin e kryeqytetit, ku qindra qytetarë u mblodhën për të shprehur përkrahjen e tyre për luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-krerët e saj.

Ndër momentet më kulmore të tubimit ishte kur veteranja e luftës, Aida Dërguti, doli para masës për të udhëhequr njëzëri betimin historik të ushtarit të UÇK-së.

“Unë të dua, ti e din”, protestuesit në Prishtinë rikthejnë fjalinë e dikurshme të Thaçit

Mijëra qytetarë janë mbledhur sërish sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në natën e gjashtë të protestës kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë protestës, qytetarët kanë rikthyer edhe një prej fjalive të dikurshme të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Unë të dua, ti e din”, është shkruar në një pankartë duke u bërë pjesë e mesazheve të protestuesve.

Protesta po zhvillohet në shenjë mbështetjeje për katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Edhe sonte, mijëra protestues kanë zbritur në sheshin “Skënderbeu”, duke shprehur qëndrimet e tyre lidhur me vendimin e Speciales.

​“Jo në emrin tim”, dita e gjashtë e protestës kundër vendimit të Speciales

Edhe sonte po protestohet në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj drejtuesve të UÇK-së.

Është kjo dita e gjashtë që qytetarët mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në kundërshtim të aktgjykimit dënues të 16 shtatorit në Hagë.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veselit me 18 vjet burg dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burg.

Dënimi me gjithsej 81 vjet burg shkaktoi pakënaqësi të madhe në Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat