Petrit Skënderi flet për gjeneratën e sakrificës: Jemi ndal disa orë nga policia serbe në Deçan 

Basketboll

Petrit Skënderi flet për gjeneratën e sakrificës: Jemi ndal disa orë nga policia serbe në Deçan 

Nga: Kemajl Goca Më: 18 maj 2021 Në ora: 18:06
Petrit Skënderi, foto e vitit 2000

Të jesh sportist në vitet e 90-ta (1991-1999) ka qenë sikur të jesh ushtar në vijën e parë të frontit kundër pushtuesit serb.

Sportistët, veprimtarët sportivë, donatorët etj. u mobilizuan në forma të ndryshme dhe i zhvilluan garat në kuadër të Republikës së Kosovës, duke iu thënë përgjithmonë jo garave me klubet ish jugosllave dhe serbe.

Petrit Skënderi i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë prej basketbollistëve më të mirë të asaj periudhe.

Image

Petrit Skënderi 

Skënderi me sukses ka luajtur në ato vite për klubin me renome Bashkimi dhe nuk u ndal asnjëherë përkundër kërcënimeve të llojllojshme nga milicia e regjimit serb.

Ai u angazhua me tërë energjinë që posedonte për basketbollin dhe sportin në përgjithësi, së bashku me mijëra sportistë i rezistuan pushtuesit serb.

Sot ndihet krenar që i takoi gjeneratës së sakrificës dhe dha kontribut.
   
“Bota sot”: Sa ka qenë vështirë të luash në gjeneratën e sakrificës?
Petrit Skënderi:
Sigurisht që zhvillimi i aktiviteteve sportive gjatë kohës së okupimit ka qenë i vështirë dhe me rreziqe por ndjenja e kontributit në qëndresën kundër okupimit ka qenë shtytje shtesë për angazhimin tonë. 

Loja në fusha dhe salla të improvizuara ka ndikuar në zhvillim me të madh basketbollit për shkak të pamundësisë që stërvitjet të zhvillohen në cikle të rregullta. 

Po ashtu, ka qenë e vështirë të zhvillohet lojë më kualitative për shkak të përmasave të vogla të fushës. 

Shumë herë kemi qenë të privuar nga shfrytëzimi i sallës së shkollës fillore “Lekë Dukagjini”, kështu që me iniciativën e trajnerit të ndjerë Dervish Agaj në oborrin e shkollës fillore “Abdyl Frashëri”, klubi e ka ndërtuar fushën e basketbollit por të cilën e shfrytëzonim vetëm gjatë motit të mirë dhe ku i kemi zhvilluar stërvitjet si dhe disa ndeshje miqësore. Këtu edhe reprezentacioni i Kosovës e ka zhvilluar ndeshjen kundër ekipit të përzgjedhur nga gazetarët.

“Bota sot”:  Sa ishte vështirë të udhëtonin si ekip, kur dihet se në ato vite ka pasur keqtrajtime të llojllojshme në punktet e milicisë serbe?
Petrit Skënderi:
Çdo udhëtim i yni gjatë viteve 1992-1998 ka qenë i vështirë. Së pari për shkak të kontrolleve policore nuk udhëtonim me pajisje shtesë por pajisjet/fanellat gjithmonë i kemi pas të veshura nën veshjet e zakonshme, që posaçërisht ishte e vështirë gjatë periudhës së dimrit.

Shumë herë jemi ndalur nga policia në punktet kontrolluese, por do të kisha veçuar rastin kur në Pejë (besoj në sezonin 93/94) policia e ka rrethuar sallën e shkollës fillore “8 marsi” në Pejë dhe ku pas largimit rrugës për në Prizren jemi ndal disa orë nga policia në Deçan. Po ashtu, pas një ndeshje në Gjilan, në sezonin 96/97, së bashku me dy bashkëlojtarët Milazim Kukaj dhe Urim Hasani, për disa orë jemi ndaluar në stacionin e policisë në Gjilan. Fatmirësisht në të dyja rastet nuk është ushtru dhunë fizike por vetëm psikologjike. 

“Bota sot”: Ju kujtohet cilët nga policët ka ushtruar dhunë?
Petrit Skënderi:
Gjatë viteve të 90-ta shumë nga bashkëlojtarët e mi në Prizren, disa herë janë rrahur nga një polic, Raiqeviç, i cili ka qenë ish lojtar i Buduçnostit të Pejës por në vitet e 90-ta ka qenë i stacionuar në Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat