Mbahet takimi i punës ndërmjet krerëve të FBK-së dhe përfaqësuesve të klubeve të Five Star Superligës

Basketboll

Mbahet takimi i punës ndërmjet krerëve të FBK-së dhe përfaqësuesve të klubeve të Five Star Superligës

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 11:11
Mbahet takimi i punës ndërmjet krerëve të FBK-së dhe përfaqësuesve të klubeve të Five Star Superligës

Me ftesë të Kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu sot në zyrat e Federatës janë takuar krerët e lartë të FBK-së me përfaqësuesit e klubeve të Five Star Superligës së Kosovës.

Në këtë takim krahas Kryetarit Fetahu kanë marrë pjesë edhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, Komesari i Garave, Faton Kurshumlija, si dhe përfaqësuesit e të gjitha klubeve të Five Star Superligës së Kosovës.

Qëllimi i këtij takimi ka qenë që FBK së bashku me klubet e elitës së basketbollit të diskutojnë për edicionin që sapo ka përfunduar dhe se çfarë mund të bëhet më mirë në edicionin e ardhshëm.

Kryetari Fetahu së pari i ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit e klubeve për punën e bërë në edicionin e kaluar, për angazhimin dhe mobilizimin e pashoq në një vit pandemie, dhe se të gjithë së bashku ia kanë dal që t’i përballojnë shumë vështirësi dhe kështu tu ofrojnë adhuruesve të basketbollit jo në palestër, por nëpërmjet partnerëve medial ART MOTION dhe KUJTESA, emocione të pafundme të sportit tonë të zemrës.

Numri një i FBK-së i njoftoi përfaqësuesit e klubeve të Superligës se një Grup i Punës i emëruar nga Bordi i FBK-së nën udhëheqjen e Sekretares së Përgjithshme të FBK-së kanë punuar në hartimin e draft kritereve për licencim dhe garim të klubeve që nga edicioni i ardhshëm, si dhe të njëjtat pitet të jenë pjesë e Rregullores për Licencim të Klubeve për edicionin 2021/22.

Kryetari Fetahu para përfaqësuesve të klubeve ka folur për rëndësinë e fillimit të implementimit të këtyre kritereve nga edicioni i ri dhe përfitimet që mund t’i kenë vetë klubet, por edhe i gjithë komuniteti i basketbollit nga implementimi i tyre. Gjithashtu Fetahu ka kërkuar nga përfaqësuesit e ekipeve që të japin mendimet e tyre në lidhje me këto propozim-kritere, të cilat në vitin e parë do të jenë bazike dhe ata në parim u dakorduan që kjo nismë e FBK-së është shumë e qëlluar dhe se të gjithë së bashku do të punojnë në implementimin e tyre.

Krerët e FBK-së dhe zyrtarët e klubeve kanë diskutuar edhe për kalendarin e garave të edicionit të ri, Ligën Unike, afatet kohore për paraqitje dhe përmbushje të kritereve për licencim, si dhe u zotuan se do të vazhdojnë të punojnë së bashku në zhvillimin e basketbollit në vendin tonë.

Të mërkurën krerët e FBK-së do t’i presin në takim përfaqësuesit e klubeve të Ligës së Parë të Meshkujve, kurse të premten ata/ato të EBC Ligës së Femrave, për të vazhduar më pas edhe me ligat e tjera.

Duhet theksuar se në edicionin 2020/21 për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19 në të gjithë botën, nuk është lejuar prezenca e shikuesve nëpër palestrat sportive në vendin tonë. Megjithatë, FBK nëpërmjet partnerëve të saj medial, ART MOTION dhe KUJTESA, ka arritur që të transmetojë rreth 200 ndeshje të basketbollit të të gjitha ligave dhe kategorive që bëjnë gara në kuadër të Federatës, duke bërë kështu gjithçka që basketbolli të jetë sërish nëpër shtëpitë e adhuruesve të basketbollit, por edhe sportit kosovar në përgjithësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat