Cleveland Cavaliers kanë regjistruar një fitore bindëse dhe kanë siguruar kualifikimin në finalet e Konferencës së Lindjes në NBA, pasi mposhtën Detroit Pistons me rezultat 125–94 në ndeshjen e shtatë të serisë.
Në një përballje vendimtare ndaj skuadrës që kishte dominuar Konferencën gjatë sezonit të rregullt, Cavaliers treguan superioritet të plotë, duke pasur katër lojtarë me mbi 20 pikë të shënuara.
Donovan Mitchell ishte lideri i Clevelandit me 26 pikë dhe 8 asistime, ndërsa Jarrett Allen kontribuoi me 23 pikë dhe 7 kërcime. Evan Mobley realizoi 21 pikë, 12 kërcime dhe 6 asistime, ndërsa Sam Merrill shtoi edhe 23 pikë të tjera për fitoren e thellë.
Nga ana tjetër, ylli i Detroitit, Cade Cunningham, nuk arriti të lërë gjurmë në ndeshjen vendimtare, duke përfunduar me vetëm 13 pikë dhe 5 asistime. Edhe Jalen Duren pati paraqitje të dobët me 7 pikë dhe 9 kërcime.
Kjo humbje i mohon Detroitit rikthimin në finalet e Konferencës së Lindjes për herë të parë që nga viti 2008.
Cleveland ndërkohë rikthehet në këtë fazë për herë të parë që nga viti 2018 dhe në finale do të përballet me New York Knicks.