Klubi i basketbollit Vëllaznimi nga Gjakova ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin maqedonas Alek Jonçevski.
Lajmi është bërë i ditur nga klubi gjakovar, i cili ka vendosur t'i japë fund bashkëpunimit me trajnerin pas rezultateve jo të kënaqshme në elitën e basketbollit.
Pas përfundimit të 10 xhirove në Superligën e Kosovës, Vëllaznimi renditet në vendin e shtatë me 12 pikë, me bilanc prej dy fitoreve dhe tetë humbjeve.
“KB Vëllaznimi njofton se me marrëveshje të dyanshme është ndërprerë bashkëpunimi me trajnerin Alek Jonçevski.
Trajnerin e falënderojmë për angazhimin dhe kontributin e dhënë në klubin tonë, duke i dëshiruar suksese të mëtejshme në karrierën e tij profesionale.
Pozicionin e trajnerit kryesor tashmë do ta ushtrojë Nikola Bozinovski, të cilit i dëshirojmë suksese nën drejtimin e ekipit.
Faleminderit, Aleksandar!”, thuhet në njoftimin e klubit Vëllaznimi.