Jeton Nixha emërohet menaxher i kombëtareve 5x5

Basketboll

Jeton Nixha emërohet menaxher i kombëtareve 5x5

Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 16:10
Jeton Nixha

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka mbajtur të enjten, më 26 nëntor, mbledhjen e radhës në Prishtinë, ku janë trajtuar një sërë çështjesh që lidhen me ecurinë e garave, zhvillimin e basketbollit dhe planifikimin për vitin 2027.

Gjatë mbledhjes janë shqyrtuar raportet për ecurinë e garave në të gjitha ligat e FBK-së për edicionin 2026/2027, si dhe raportet mbi gjendjen financiare të Federatës.

Është aprovuar Raporti nëntëmujor për progresin e zbatimit të Planit Strategjik të FBK-së 2026–2030, ndërsa është diskutuar edhe ecuria e përgatitjes së dokumenteve të planifikimit për vitin 2027.

“Ndër vendimet kryesore të mbledhjes ishte aprovimi i ristrukturimit organizativ dhe funksional të Departamentit të Përfaqësueseve të Kosovës për vitin 2027, me këtë përbërje:

Jeton Nixha – Menaxher i kombëtareve 5x5;
Artina Hasani – Menaxhere e Programit 3x3;
Bujar Loci – Koordinator 5x5 për Meshkuj;
Lorik Kllokoqi – Koordinator 5x5 për Femra;
Edita Medunjanin – Koordinatore Operacionale dhe Logjistike për Meshkuj;
Sumeja Osmani – Koordinatore Operacionale dhe Logjistike për Femra.

Ristrukturimi do të realizohet përmes angazhimit të personelit ekzistues të Zyrës Ekzekutive të FBK-së, pa rekrutime të reja.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar pjesëmarrjes së kombëtareve të Kosovës në garat e FIBA Europe gjatë vitit 2027, përgatitjeve për organizimin e Kampionatit Evropian U18 për Femra, Divizioni C, në Pejë, si dhe kualifikimeve për FIBA 3x3 Europe Cup 2027.

Në kuadër të mbledhjes janë diskutuar edhe programet zhvillimore të FBK-së, përgatitjet për Kursin FIBA WABC – Niveli 2 dhe procesi i licencimit të gjyqtarëve dhe komisionerëve të FIBA-s.

Kërkesa e Shoqatës së Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës për rritjen e taksave, si dhe propozimi për Piramidën e përditësuar për zhvillimin dhe vlerësimin e gjyqtarëve, janë shqyrtuar, ndërsa vendimmarrja për këto çështje është paraparë për mbledhjen e radhës.

Gjithashtu, është prezantuar kalendari i aktiviteteve të FBK-së për muajin dhjetor, përfshirë përgatitjet për organizimin e ceremonisë së Laureatëve të Vitit 2026”, thuhet në njoftimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat