Ferma e familjes së Jennifer Lawrence në Kentaki u dogj nga një “zjarr i tmerrshëm” natën e së premtes, por për fat të mirë, çdo person së bashku me të gjitha kafshët, shpëtuan pa u lënduar.
Një nga hambarët u dogj plotësisht, ndërkohë që familja thotë se po “vuajnë humbjen e viteve të punës së palodhur dhe të kujtimeve” që gjendeshin pas atyre mureve, raporton “The Sun”.
Familja ka në pronësi Kampin “HI-Ho”, i cili ofron peshkim, sportin e notit, kalërim, gjuajtje me hark, shëtitje me varkë dhe zanate të ndryshme për fëmijë dhe adoleshentë.
Lajmi për shkatërrimin e fermës u nda nëpërmjet “Facebook”.
“Ne jemi shumë mirënjohës që asnjë person ose kafshë nuk u lëndua, por ende jemi shumë të prekur për humbjen e viteve të punës së palodhshme dhe të kujtimeve që ndodhen në këto mure,”- thuhet në deklaratë.
“Ne e dimë që Kampi Hi-Ho është një vend i veçantë për kaq shumë njerëz, dhe kemi në plan ta rindërtojmë dhe riparojmë në mënyrë që të mund të ecim përpara me një pamje të re të kampit këtë verë”.
Thuajse 30 zjarrfikës dhe gjashtë kamionë u thirrën në vendin e ngjarjes të premten në mbrëmje, sipas “WYKL News”, për të sjellë ujë të mjaftueshëm për të shuar zjarrin.
Vëllai i fitueses së ‘Oscar’, Blaine Lawrence, i cili është pronari dhe drejtori i Kampit Hi-Ho, dërgoi një email duke kërkuar që të mblidhen para për të riparuar kampin në 2021.
Ai gjithashtu detajoi dëmtimin duke shtuar: “Flakët shkatërruan hapësirën e tij të zyrës, stallat për kuajt, një zonë të mbyllur për fëmijë, një mur të brendshëm, një zonë arti dhe zejtarie si edhe një garazh me pajisje fermash.”
Ndërkohë, janë duke u hetuar shkaqet e zjarrit.