Tenisti amerikan Tommy Paul u rikthye në fushë për turneun prestigjioz Miami Open këtë muaj, por ishte e fejuara e tij, Paige Lorenze, ajo që mori gjithë vëmendjen jashtë fushës.
Influencerja e njohur ndau në Instagram një paraqitje elegante nga turneu në Floridën e Jugut, ku u shfaq me një stil veror dhe të rafinuar. Ajo kishte zgjedhur një bluzë të shkurtër jeshile dhe të bardhë nga marka Valentino, një fund të bardhë nga Reformation dhe taka klasike nga Manolo Blahnik.
Paraqitja e saj nuk kaloi pa u vënë re as nga vetë Paul, i cili reagoi shkurt por me admirim në rrjetet sociale: “Wow”.
Përtej angazhimeve sportive, 28-vjeçari është duke u përgatitur edhe për një tjetër moment të rëndësishëm në jetën personale – martesën me Lorenze. Çifti është bashkë që nga viti 2022, ndërsa propozimi për martesë erdhi në korrik të vitit 2025.
Në një intervistë të mëhershme, Lorenze kishte theksuar se marrëdhënia e tyre nisi me qëllime serioze. Ajo e përshkroi partnerin si një person shumë të përkushtuar ndaj familjes dhe të gatshëm për hapin e radhës në jetë.
Sa i përket ceremonisë së martesës, Lorenze ka lënë të kuptohet se do të jetë një festë në verilindje të SHBA-ve, e shoqëruar me “surpriza argëtuese” për të ftuarit.