Carys Douglas ka dëshmuar se stili i mirë nuk njeh kohë, duke rikthyer në vëmendje një veshje ikonike të nënës së saj, aktores së njohur Catherine Zeta-Jones.
23-vjeçarja u shfaq më 11 nëntor në eventin “Gucci x Moda Operandi”, në New York, e veshur me një bluzë vintage të markës Gucci, të cilën nëna e saj e kishte veshur në vitin 1996.
Bëhet fjalë për një bluzë të zezë me dantellë, mëngë të gjata dhe një detaj me kapëse në pjesën e gjoksit. Carys e kombinoi atë me një fund të shkurtër të zi me dantellë, geta dhe një çantë Gucci.
Ndërkaq, Catherine Zeta-Jones kishte zgjedhur një kombinim të ngjashëm në premierën e filmit “The Long Kiss Goodnight”, në Los Angeles, në vitin 1996. Në atë kohë, aktorja e kishte kombinuar bluzën me streçe dantelle, një çantë të zezë dhe këpucë me taka.
Catherine, e cila me bashkëshortin e saj, aktorin Michael Douglas, ka dy fëmijë, Carys dhe Dylan, 26 vjeç, duket se ka përcjellë edhe pasionin për modën te vajza e saj.
Në fakt, Carys ka pranuar edhe më herët se nuk e ka aspak problem të frymëzohet nga stili i së ëmës dhe të veshë rrobat e saj.
Kështu, një veshje e ruajtur prej dekadash u kthye sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë e interpretuar nga brezi i ri.