Gashi: Diaspora akademike, potencial i fuqishëm për zhvillimin e arsimit

Diaspora

Gashi: Diaspora akademike, potencial i fuqishëm për zhvillimin e arsimit

Më: 31 tetor 2025 Në ora: 15:16
Zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi

Zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka deklaruar se diaspora akademike shqiptare është një partner strategjik për zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkencës në Kosovë.

Në fjalën e saj në forumin “Bashkë në Shkencë: Universiteti i Prishtinës dhe Diaspora Akademike”, të organizuar nga Universiteti i Prishtinës, Gashi nënvizoi se diaspora shqiptare përfaqëson një potencial të jashtëzakonshëm intelektual e profesional, i cili mund të kontribuojë ndjeshëm në forcimin e sistemit arsimor dhe shkencor të vendit, njofton MPJD.

Ajo theksoi nevojën për krijimin e një platforme të qëndrueshme dhe të koordinuar që do të mundësonte bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet diasporës akademike dhe universiteteve në Kosovë. “Dëshira jonë është që Universiteti i Prishtinës të marrë rolin udhëheqës në zhvillimin e kësaj platforme, duke krijuar ura bashkëpunimi me akademikët shqiptarë anembanë botës”, tha Gashi.

Zëvendësministrja përmendi edhe nisma të suksesshme si Shkolla Verore e Universitetit të Prishtinës, e cila ka kontribuar në rikthimin e diasporës akademike dhe në krijimin e mundësive për bashkëpunim me studentët dhe profesorët vendorë.

Duke folur për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, Gashi vlerësoi rëndësinë e partneriteteve që Universiteti i Prishtinës ka me institucione ndërkombëtare përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit.

Ajo theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë të mbështesë nismat që ndërtojnë një ekosistem të hapur e bashkëpunues. Në këtë kuadër, Gashi prezantoi programin “Citizen Diplomacy Fellowship”, që u ofron profesionistëve të mërgatës mundësi angazhimi në institucionet e Kosovës.

“Rezultatet e qëndrueshme ndërtohen hap pas hapi. Prandaj, do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të ndërtuar një platformë bashkëpunimi që reflekton ndikim pozitiv në sistemin tonë arsimor”, përfundoi Gashi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat