Kush e urdhëroi vrasjen e Alban Gropçaj, 28 vjeçarit shqiptar në Fortaleza të Brazilit?
Çfarë ndodhi në atë mbrëmje të 18 Shkurtit 2019 kur i riu me origjinë nga Shkodra u qëllua me tre plumba nga dy persona ende të panjohur?
Cili ishte roli i mikut të tij biznesmenit Italian Guido Bertola, i cili u arrestua menjëherë pas ngjarjes?
Sipas autopsisë, Albani nuk është qëlluar vetëm një herë, siç deklaron Guido, por plot 3 herë. Dy herë në koke dhe një herë në shpatull. Gjë që ngjan me një merak të vrasësve për ta çuar punën deri në fund. Po i kujt ishte ky merak? Këtë do e zbulojmë pak më vonë.
Në lidhje me vizitat e Guidos në Brazil, që kohët e fundit ishin shpeshtuar, duhen sqaruar disa gjëra. Ai kishte krijuar një marëdhënie jashtëmartesore me Silvia De Souza, një 34 vjeçare braziliane që jetonte në Itali.
Madje në Fortaleza, biznesmeni italian kishte blerë një vilë, në të cilën e dashura e tij kishte punësuar si roje vëllain e saj Hoze De Souza.
Është pikërisht ky person që ndryshon krejtësisht rrjedhën e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila në nisje dukej si një grabitje e zakonshme në rrugët e një qyteti, ku krimi është në rend të ditës.
Souza, akuzon si urdhërdhënës të vrasjes dy persona. Motrën e tij Silvia, bashkë me të Guidon, të dashurin e saj.
Bazuar në dëshminë e dhënë në polici, Souza deklaron që në Janar të 2019, pra një muaj përpara vrasjes, Guido Bertola, i kishte dhënë atij një zarf të mbyllur me para, ndërkohë që nëpërmjet telefonit, e motra Silvia, i kishte thënë t’ia jepte një vrasësi me pagesë që ata kishin kontaktuar.
Me zarfin në dorë, ai ka shkuar në qendër të qytetit, ku brenda një makine e priste një person. Në momentin kur ai ka hapur xhamin dhe Souza i ka dorëzuar zarfin, ky i fundit ka arritur të njohë Romarion, që ishte nipi i tij dhe Silvias.
Në dëshminë e dhënë ai kujton gjithashtu se mbrëmjen e vrasjes, Silvia ishte e shqetësuar për Guidon, sepse trembej që mund t’i ndodhte diçka gjatë atentatit.
Një tjetër element i rëndësishëm për hetuesit, ka qenë edhe telefoni i Souzas, në të cilin ata kanë gjetur foton e një personi të paidentifikuar që në dorë mban një pistoletë.
Sipas dëshmitarit, ky person është Romario, i cili ia ka dërguar foton e pistoletës, Silvias. Një sinjal që arma për vrasjen e Albanit është blerë.
Vëllai i Albanit zbulon detaje të reja.
“Mbasi ndodhi kjo ngjarje vjen Simone dhe më thotë që ti nëse do të shkosh në Brazil shko, por është mirë mos të shkosh sepse babi po merret me këtë punë dhe ka dhe certifikatën e vdekjes në dorë, edhe nuk ke pse marrë gjithë atë udhëtim, se trupin mund ta bie babai im.
Por unë dua të të them një dëshirë që ka pasur Albani, që ka dashur që kur të vdesi t’i djegim trupin.
Aty nisa dyshimet unë, u vura në kontakt me ambasadorin që ishte në Brazil, ambasadorin shqiptar Rezart Bregu dhe më thotë mua: Ilir, punët nuk janë ashtu siç duken, ti bën mirë të vish në Brazil. Shkuam aty dhe të nesërmen na thanë të shkojmë në polici. Kur shkojmë ne aty me thotë një polic, e di ti ku është Guido, jo i them unë, më mori më çoi dhe nga një dritare aty shikoj Guidon me pranga në duar, ishte i arrestuar” tha Ilir Gropçaj.
Këtu familja Gropçaj fillon të dyshojë që gjërat nuk kanë shkuar aspak ashtu siç përshkruheshin nga Guido dhe djali i tij.
Cili është shkaku i vrasjes së Alban Gropcaj? Kush e vrau atë? Këto janë pyetje ende pa përgjigje edhe sot e kësaj dite.