Një 65-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në aeroportin ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” në Athinë, pasi në valixhen e tij janë gjetur dhe sekuestruar 15.2 kilogramë kanabis.
Sipas raportimeve të mediave greke, përfshirë portalin Entypos, i arrestuari kishte mbërritur në Athinë nga Barcelona e Spanjës, ndërsa lënda narkotike dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e tij me qëllim trafikimin e mëtejshëm në Greqi.
Policia greke bëri të ditur se në valixhen e 65-vjeçarit janë zbuluar dy pako me kanabis të papërpunuar të kultivuar në mënyrë hidroponike, të njohur si “skunk”, me peshë të përgjithshme 15 kilogramë e 200 gramë.
Sipas autoriteteve, i dyshuari dyshohet se është pjesë e një organizate kriminale ndërkombëtare që merrej me importimin e kanabisit në territorin grek përmes transportit ajror.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar edhe 100 euro, 4.200 lekë shqiptare dhe një telefon celular.
Mediat greke raportojnë se 65-vjeçari kishte qenë më parë në vëmendjen e autoriteteve për shkelje të legjislacionit për të huajt.
Pas arrestimit, ai është dërguar para autoriteteve të prokurorisë për procedurat e mëtejshme.