Me flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së, mërgimtarët shqiptarë në Zvicër shprehën kundërshtimin e tyre ndaj verdiktit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe solidaritetin me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Me moton “Jo në emrin tim”, qindra mërgimtarë shqiptarë janë tubuar sot në Helvetiaplatz të Cyrihut, në një protestë paqësore kundër vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protesta është organizuar nga rinia shqiptare në Zvicër, ndërsa pjesëmarrësit kanë marshuar dhe janë mbledhur me flamuj kombëtarë, simbole të UÇK-së dhe pankarta përmes të cilave kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj verdiktit të gjykatës.
Të pranishmit kanë bërë të qartë se tubimi synon të përcjellë një mesazh solidariteti me ish-krerët e UÇK-së dhe të shprehë pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës se si është trajtuar lufta e Kosovës dhe figura e drejtuesve të saj në proceset gjyqësore në Hagë.
Për mërgatën shqiptare, veçanërisht për komunitetin e madh në Zvicër, zhvillimet që lidhen me ish-krerët e UÇK-së kanë qenë prej vitesh çështje me interes të madh. Diaspora shqiptare në Zvicër ka pasur rol të rëndësishëm në mbështetjen e Kosovës gjatë viteve të luftës dhe në periudhën e pasluftës, ndërsa organizime të ngjashme në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së janë zhvilluar edhe në të kaluarën.