Kukësi ka shumë dilema për të zgjidhur

Futboll

Kukësi ka shumë dilema për të zgjidhur

Më: 16 maj 2021 Në ora: 11:54
Kukësi ka shumë dilema për të zgjidhur

Me këtë sezon, Kukësi i mbylli hesapet. Verdiktet janë dhënë, ku përfundimisht klubi verilindor për herë të parë në historinë 9- vjeçare në elitë, mbetet jashtë Europës. Mirëpo, nga ana tjetër siguron qëndrimin në Superiore, paçka se këtë sezon e nisi për titull.

Gjithsesi, ka ende hesape të hapura për edicionin e ardhshëm, aty ku skuadra do të tentojë të rikthehet kompetitive për të fituar titullin kampion. Në këtë aspekt, situata në kampin kuksian është ende e paqartë, pasi fillimisht duhet të sigurojë se cilët futbollistë do të qëndrojnë në skuadër edhe për sezonin e ardhshëm dhe më pas të mendojë për përforcimet, të cilat normalisht pritet të jenë të shumta, shkuran panoramasport.

TRAJNERI – Çështja e parë është ajo e trajnerit, me Mirel Josën që ka një kontratë edhe për sezonin tjetër me Kukësin, pavarësisht se si shkoi ky kampionat. Vetë Josa ka pohuar se vetëm në mbyllje të edicionit do të ulet dhe bisedojë me drejtuesit, duke theksuar se një kontratë jo domosdoshmërisht e mban të lidhur me një klub.

Mirëpo, nga burime në klub mësohet se dëshira e drejtuesve është që ta respektojnë kontratën me teknikun dhe t’i lënë në dorë ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se si do të vijojnë gjërat edhe në këtë aspekt, për më tepër që në Kukës asnjëherë trajneri nuk ka siguri dhe është me “valixhe në dorë”.

LOJTARËT – Disa prej lojtarëve titullarë të ekipit dhe që kanë mbajtur barrën më të madhe këtë sezon, Kukësi mund të thuhet se i ka “blinduar”, për shkak se kanë pasur kontratë edhe përtej këtij sezoni. Përjashtim bën vetëm kapiteni Ibraimi, i cili në mbyllje të këtij kampionati del lojtar i lirë dhe për të qëndruar sërish në Kukës do të duhet të ulet në bisedime me drejtuesit. Burime pranë gazetës pohojnë se ndaj tij kanë shfaqur interes disa prej skuadrave shqiptare, të cilat për një moment e kanë tunduar kapitenin.

“Në ajër” është edhe situata me Besir Demirin, i cili ka një kontratë me kusht, e cila rishikohej nëse klubi nuk merrte pjesë në Europë. Edhe për të përflitet se ka interes nga klube të tjera, por ndërkohë dëshira e klubit është që ta mbajë në skuadër edhe për sezonin e ardhshëm.

Një situatë disi më e qartë është me Taipin dhe Ezenë, pasi kanë edhe një vit kontratë me klubin dhe pa një marrëveshje nuk mund të largohen. Në fakt, për golashënuesin më të mirë të kampionatit përflitet se ka një ofertë nga një klub nga Katari, që është gati të derdhë në arkat e Kukësit deri në 150 mijë dollarë. Vetë nigeriani ka mohuar që të ketë dijeni për një interesim të tillë, por gjithsesi për aq kohë sa ka kontratë, është “i dënuar” të qëndrojë te verilindorët.

Në të njëjtën situatë është edhe mesfushori Taipi, një nga futbollistët më stabël të Kukësit, i cili është nën kontratë dhe gjasat që të largohet janë të pakta. Edhe me futbollistët e tjerë është pak a shumë e njëjta situatë, por e gjitha do të qartësohet kur të mbyllet kampionati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat