Për masivizimin e futbollit të femrave

Futboll

Për masivizimin e futbollit të femrave

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 23:18
Për masivizimin e futbollit të femrave

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi sot konferencën me temë “Futbolli i femrave dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm”.

Në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e stadiumit “Air Albania” morën pjesë Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, doktori i njohur Pëllumb Pipero, futbolliste, mësues, trajnerë, personalitete dhe legjenda të futbollit shqiptar, etj.

Në fjalën e mbajtur në nisje të konferencës, Presidenti Duka, pasi falënderoi të gjithë të pranishmit, theksoi se shumë vite më parë futbolli i femrave dukej utopi, por tashmë falë mundit dhe punës së madhe të bërë është një realitet i bukur.

Gjithashtu, ai vlerësoi prezencën e Ministres Kushi dhe shprehu besimin se ajo do të japë kontributin e saj në zhvillimin e futbollit të femrave.

“Në fakt kur e ftuam zonjën Ministre ajo na tha se kishte disa arsye për të qenë në këtë event. E para sepse është drejtuese e politikave dhe strategjive sportive në vend, e dyta na tha se është nënë dhe se do që fëmijët e saj të luajnë futboll dhe e treta, na tha se kishte peng që nuk ishte bërë futbolliste vetë dhe donte që të tjerët të kishin mundësi të bëheshin futbolliste. Me të gjitha detyrat që ka si ministre dhe pengjet për futbollin, mendoj se do të na ndihmojë akoma më tepër në zhvillimin e kësaj kauze për të cilën ne jemi sot këtu”, tha Presidenti Duka, teksa shtoi se kjo konferencë u organizua për të shpallur Strategjinë e zhvillimit të futbollit të femrave në Shqipëri për vitet e ardhshme.

Sipas tij, për FSHF-në kjo është një ditë speciale duke parë që pas një pune të gjatë dhe të lodhshme është arritur diçka me futbollin e femrave.

“13 vite më parë për shumëkënd dukesh utopi, por aktivitetet që ne zhvillojmë sot në Shqipëri tregon që ia kemi dalë. Mundi dhe djersa e shumë individëve, shoqatave apo klubeve sportive është shpërblyer me atë që kemi arritur. Arritjet nuk janë maksimale, por për kaq vite mendoj se janë të mjaftueshme dhe premtuese për të ardhmen. Sot në Shqipëri kemi një kampionat kombëtar profesionist të Kategorisë së Parë. Kemi organizuar për herë të parë kampionatin e femrave U-15, kemi organizuar kampionatin e femrave në shoqatat rajonale për moshat U-11 dhe ajo që është më kryesoja, me ekipet tona kombëtare jo vetëm që jemi përfaqësuar në të gjitha nivelet, por kemi arritur edhe rezultate pozitive.

Dikush në FSHF thotë se në rajon jemi lider me futbollin e femrave, duke qenë se kemi fituar me të gjithë fqinjët ndeshjet direkte me ekipin kombëtar. Kjo nuk mjafton, jemi në këtë stad, por për të shkuar atje ku duhet kemi hartuar një strategji të detajuar, të cilën sot e kemi bërë publike dhe duke parë se çfarë kemi arritur deri më sot, do ta implementojmë këtë strategji për ta çuar futbollin e femrave në nivelet e duhura.

Shumëkush në Shqipëri mendon se sporti apo futbolli është pronë e meshkujve, por ne të gjithë bashkë duhet ta luftojmë këtë mentalitet, sporti nuk është pronë e meshkujve, por është i të gjithëve dhe të gjithë kanë të drejtë të luajnë futboll. Futbolli vërtet është një lojë, shpeshherë perceptohet si një garë se cili do të fitojë, por nuk është ky qëllimi.

Futbolli është një instrument i rëndësishëm për përmirësimin e shëndetit të njerëzve, për edukimin e njerëzve dhe kjo do të plotësonte edhe një nga komponentët e tjerë për të cilat është sot edhe Ministrja këtu, sepse nuk është thjeshtë sport, por është edukim, na mëson se si mund të punojmë në kolektiv, se si mund të largohemi nga veset e këqija e shumë gjëra të tjera”, – vijoi Presidenti Duka.

Sakaq, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar bëri me dije se strategjia është e përbëra nga katër kolona kryesore: në zhvillimin e futbollit profesionist për femra dhe atë kombëtar; në masivizimin e tij; në marketimin dhe komunikimi e futbollit të femrave.

“Në nivelin profesionist FSHF ka vendosur tashmë kusht që në edicionin e ardhshëm asnjë klub i Kategorisë Superiore nuk mund të marrë pjesë në garë nëse nuk ka një ekip vajzash. Do të vazhdojmë të kemi edhe garat e Kategorisë së Parë dhe për t’i bërë të gjitha garat paralelisht si garat e meshkujve.

Në planin e ekipeve kombëtare, objektivat dhe zhvillimi i tij është i qartë, ndërtimin e stafeve profesioniste që tashmë janë ndërtuar, por duhet të jenë edhe më profesionistë.

Për masivizimin e futbollit të femrave, nuk është diçka që ka nisur sot, padyshim që ka pasur rezultate dhe në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit ne kemi përfunduar fazën pilot të financuar nga UEFA të projektit “Grow” në 250 shkolla të vendit.

Padyshim që me dashamirësinë dhe mirëkuptimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ne do ta shtrijmë këtë projekt në të gjithë Shqipërinë, edhe pse është e qartë që pandemia na ka penguar, pasi kemi pasur kufizim të orëve të edukimit fizik. Urojmë që të kthehemi në një normalitet dhe të kemi një orë të edukimit fizik për futbollin në shkolla për projektin “Grow”, të cilin ne do ta financojmë me pajisje sportive, duke instruktuar trajnerët dhe duke i incentivuar ato”, u shpreh Duka.

Përveç projektit “Grow” pak ditë më parë FSHF shpalli edhe një projekt tjetër që quhet Playmakers, që konsiston në edukimin e vajzave të vogla të moshave 5-8 vjeç nëpërmjet personazheve të “Disney”-t.

Presidenti i FSHF-së tha se ky projekt që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë që nëpërmjet personazheve të filmave të famshëm vizatimorë që t’i afrojmë fëmijët me botën e bukur të futbollit.

“Gjithashtu, në drejtim të komunikimit dhe marketimit të futbollit të femrave kemi filluar të transmetojmë ndeshjet e ekipeve kombëtare në televizionet tona. Kemi arritur me klubin Vllaznia të vajzave rezultate që nuk i kemi arritur me djemtë faktikisht, duke u renditur në 32 ekipet më të mirë të Europës e për këtë duhet të falënderojmë drejtuesit e klubit shkodran.

Ju ftoj të na mbështesni e të na përkrahni në realizimin e këtij objektivi të ri. Jam i bindur dhe i sigurt se të gjithë bashkë ne do të arrijmë që ta bëjmë futbollin e vajzave dhe grave masiv njësoj si futbolli i meshkujve”, – tha ndër të tjera Presidenti Duka në fjalën e tij.

Ndërsa, Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi tha sporti stimulon jo thjeshtë një jetë më të shëndetshme fizikisht për çdo njeri, por sidomos ndikon për një shoqëri më të shëndetshme, duke i nxitur të rinjtë dhe të rejat që të qëndrojnë larg veseve, larg dhunës, larg substancave narkotike.

“Unë nuk jam këtu thjesht për shkak se unë e mbështes sportin dhe futbollin, por unë jam këtu edhe për mbështetjen e grave dhe vajzave. Ashtu sikurse i mbështesim dhe promovojmë në çdo fushë tjetër, natyrisht që edhe në sport duhet akoma më shumë mbështetje dhe nxitje për to.

Disa vite më parë pjesëmarrja e grave dhe vajzave në sport ishte e ulët, e sidomos në futboll ishte një tabu. Por sot futbolli për vajzat është i barabartë me sportet e tjera, duke përfaqësuar kështu kërkesat e shumë vajzave për të luajtur këtë sport. Rritja e pjesëmarrjes së tyre është vërtetë shumë impresionuese, madje që në mosha të vogla, përkundër ideve dhe të gjitha parashikimeve futbolli është një nga sportet më të njohura edhe për gratë dhe vajzat. Futbolli i tyre po rritet në popullaritet dhe status me rritjen jo vetëm të pjesëmarrjes së tyre, por edhe të profesionalizmit dhe vëmendjes së veçantë. Vajzat janë po aq të pasionuara sa edhe djemtë dhe brenda pak vitesh kanë arritur rezultate domethënëse. Shpresoj që me mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë mund ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të rritur pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në sport”, – tha ndër të tjera Ministrja Kushi.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kapitenia e Kombëtares së femrave, Albina Rrahmani, e cila pasi tregoi historinë dhe sakrificat e saj në futboll, dha edhe një apel për vajzat shqiptare.
“Me këtë rast, dua të falënderoj shumë dy prindërit e mi, të cilët janë edhe dy idhujt e mi, që më kanë mbështetur dhe nuk janë tërhequr, më kanë thënë të vazhdoj përpara dhe nuk janë ndikuar nga të tjerët, më kanë thënë PO me siguri, kanë besuar tek unë, dhe sot, mendoj dhe besoj, se më shohin me krenari. Dhe kjo, shërben edhe si një thirrje dhe lutje për të gjithë prindërit e femrave shqiptare: Ju lutem, mos ndërprisni ëndrrat, e mbi të gjitha kur ato lidhen me futbollin.

Një ditë, besomëni, do ndiheni krenarë! Unë jam e lumtur sot, që ne kemi arritur të thyejmë një mit në Shqipëri. Sot, futbolli shqiptar nuk është vetëm për meshkuj. Sot futbolli shqiptar është edhe i femrave”, tha Rrahmani, teksa falënderoi presidentin e FSHF-së për mbështetjen që i ka dhënë futbollit të femrave. “

“Me dashurinë që tregoni shpesh, me pasionin që flisni dhe me dëshirën që keni për këtë futboll, keni shënuar golin më të bukur në të gjitha këto vite ekzistencë futbolli femrash në Shqipëri. Goli juaj do të mbahet mend përjetësisht, pasi ju, keni siguruar të ardhmen e këtij futbolli në Shqipëri. Nga baza, shkollat 9-vjeçare, tek U-15 e më tej, shpresoj dhe besoj, por kurrsesi nuk dyshoj, se do të kemi edhe kampionate të tjera moshash në Shqipëri”, – theksoi kapitenia kuqezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat